Aso kohe, kur bashkuan 12 llojet e vreshtave, ata prodhuan verën më të admirueshme në botë… Gjermania, me trupmadhin Helmut Kohl i shtypte kokrrat e rrushit me këmbë aq sa nuk linte as një pikë të shkonte dëm.. Miterand i Frances me gotën e kristaltë në dorë testonte i pari prodhimin, që në fuçitë e lisit, që përpara se të mbylleshin në shishet e fisme për t’u hapur në tryezat e vendeve me demokraci të thartuar… Ndërsa shtetet e tjera, deri në atë kohë, as në ëndrrat e tyre të dehura nuk e kishin gustuar një begati të tillë… Për ta falenderuar Zotin, si rrallë herë shpërthyen dyert e katedraleve dhe në mure vunë re ikonat shekullore… Pa dallim u fiksuan te ajo me fushën blu dhe 12 yjet që rrethonin Shën Marinë…12 orë, 12 muaj, 12 ngjyrat e qiellit…, Njësimi, perfeksioni, bashkimi…Në heshtje, e krahasuan veten me personazhet e një prej tregimeve më të përmendur në botë, atë të 12 apostujve të shenjtë dhe këtë simbol e shndërruan në flamurin e Evropës së Bashkuar…
Por…por për fat të keq nuk zgjati shumë dhe u pushtuan nga djalli.. Për hir të sasisë, hoqën dorë nga cilësia, i shtuan vreshtat me hardhi të pabëra e na u bënë 27… Lanë mënjanë paravolitë dhe verbërisht besuan se Zoti kish gabuar numërimin para 2000 vitesh në Jeruzalem…Madje tentuan sfidën dhe e shndërruan Brukselin në një qytet edhe më të shenjtë se sa vetë Jeruzalemi, plot me 27 apostuj…27 apostuj me të drejta të barabarta për t’i predikuar kujdo, por pa marrë asnjëherë përgjegjësi të barabarta për krasitjen e hardhive në vreshtat e tyre… Dhe kështu i gjithë prodhimi i ambalazhuar i 27 vreshtave u mbeti në duar, pasi asnjë treg përveç atij të besimit musliman nuk po lakmon tashmë ta pijë verën pa alkool të kësaj kantine… Madje edhe këto vende vetëm fal diellit të fortë që i ngroh po mbajnë një shpresë… Të pijnë sa të munden, të zbërthejnë komçat e këmishës dhe të fërkojnë barkun karshi diellit, në pritje të fermentimit, pa kryer mëkat e të dehen një ditë me vlerat e demokracisë së kësaj Evrope……
Tashmë, Gjermania dhe Franca, fajtorët dhe të penduarit kryesorë kanë filluar të takohen shumë shpesh për të zvogëluar numrin e anëtarëve të përgjegjshëm sërisht në 12 Shtete…A do të jete e mundur kjo?! Natyrisht që po, sepse Zoti është gjithnjë i plotmëshirshëm për ata që sinqerisht reflektojnë… Do të ndodhë, kur të shpallin emrat e atyre zyrtarëve evropianë që bashkëpunuan me autoritet greke për të deformuar shifrat… Kur të pranojnë gabimin fatal të grisjes së demokracisë me të dyja duart në referendumin për pavarësi të Malit të Zi, kur vullnetin e lirë të një populli e maten me 55 PLUS 1% … do të mund të ndodhë. Vetëm atëherë kur të marrin përgjegjësinë për neglizhencën që shkaktoi masakrën e Bosnjës… Pse jo, do të ndodhë që Zoti ta përzejë sërisht djallin nga kantina e tyre e do të prodhojnë sërisht verën e dikurshme…
Por nëse Bashkimi Evropian redukton anëtarsinë superiore në 12 Shtete ç’mund të ndodhë…?! Qeveria aktuale e SHBA-ve do të përballet me sulme të papritura dhe të pa ndalshme… Dhe kjo veçse nga ushtria e kollarisur e zyrtarëve të papunë të Brukselit të ardhshëm….. Pasi për këtë ushtri të çoroditur, nuk do të ketë më projekte në miliona euro për të firmosur, udhëtime të pafund, hotele luksoze, gazetarë të interesuar për t’u marrë ndonjë fjalë …E shumë e shumë privilegje nuk do ti gëzojnë më si dikur… Nuk do të kenë më të dashura, madje edhe të dashurit, në vendet ku lindën, nuk do ti pranojnë më në vreshta duke i quajtur grabitës të ëndrrave të tyre…
Këta zyrtarë të papunë, teksa do të enden nëpër botë si endacakë me shishet e verërave pa alkool dhe pa etiketa nën sqetull, do të fajësojnë Presidentin Obama për këtë katandisje… E kështu do të udhëtojnë pa pushim… Mund t’u ofrohen për punësim klikave që mbështesin terrorizmin ose ndoshta do t’u bashkëngjiten fushatëbërësve republikanë në zgjedhjet e ardhshme të SHBA-ve, për të mundur Obamën… Me insistim dhe shpresë për të kthyer edhe njëherë kohën e Bushit….atë kohë që vetëm nën efektin e verës me sa më shumë alkool mund të harrohet…

Per ata qe pine veren! Po per ata qe pine rakine, sljiven?! Keta jane ca mytebere te paafte!
bravoooooo!