Verdhëza, diarreja e infeksionet ndalen me larjen e duarve

redaktor

Infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, verdhëza, si dhe diarreja do të ishin më të pakta nëse kujdesi për higjienën e duarve do të ishte maksimal, duke nënkuptuar larjen e shpeshtë të duarve. Masë kjo që duhet të merret veçanërisht tek fëmijët e moshave të vogla. Specialistët e shëndetit publik, referuar edhe të dhënave të detajuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se këto sëmundje janë ndër shkaktarët kryesor në nivelin e lartë të vdekshmërisë tek fëmijët nën moshën 5 vjeç. Në prag të Ditës Botërore të Larjes së Duarve (15 tetor), specialistet e promocionit shëndetësor në ISHP, Jeta Lakrori dhe Daniela Nika bëjnë të ditur se : “Vetëm nëpërmjet larjes së duarve me ujë të bollshëm e sapun mund të pengohet grumbullimi i baktereve të ndryshme dhe papastërtive që gjenden kudo dhe që mund të mbarten lehtësisht nga një person te tjetri, duke shkaktuar mjaft sëmundje si: infeksionet akute të frymëmarrjes, diarretë, hepatitin (verdhëza), etj”. Sipas tyre larja e duarve me sapun mund të parandalojë shfaqjen e diarresë në 1 nga 3 fëmijë të vegjël, dhe infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes si pneumonia, në 1 nga 6 fëmijë të vegjël. Diarreja dhe pneumonia së bashku shkaktojnë çdo vit të paktën 3.5 milion vdekje mes fëmijëve. “Infeksionet akute respiratorë, sidomos pneumonia, janë shkaku kryesor i vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç dhe çdo vit prej saj preken rreth 1.8 milion fëmijë. Bazuar në kërkimet shkencore, vetëm larja e duarve me sapun mund të reduktojë rreth 25 për qind të rasteve të reja me infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes. Ndërsa çrregullimet diareike janë shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 5 vjeç dhe OBSH deklaron se çdo vit nga diarreja vdesin rreth 1.87 milion fëmijë nën 5 vjeç. Po ashtu, UNICEF vlerëson se çdo 30 sekonda vdes një fëmijë nga diarreja. Nga ana tjetër, diarreja është shkak për miliona ditë mungesa në shkolla, e për pasojë sjell edukimin jo-optimal të tyre. Larja e duarve, sidomos para ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 42 për qind mungesat në shkollë nga sëmundjet diarreike tek fëmijët nën 5 vjeç“, bëjnë të ditur dy specialistet e shëndetit publik. Gjithsesi, nga vëzhgimet e ndryshme që janë kryer në mbarë botën, larja e duarve me sapun, sidomos në pikat kritike, është në shifra të ulëta, rreth 34 për qind. “Dita Botërore e Larjes së Duarve”, konsiderohet si forma më e mirë për ndarjen e mesazheve sensibilizuese mbi larjen e duarve, si mënyra më e thjeshtë, më e mirë, më efektive dhe ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje të parakohshme si rezultat i duarve të palara. Larja e duarve në mënyre korrekte konsiderohet si një “vaksinë” e sigurt për parandalimin e shume infeksioneve, veçanërisht në ditët e ftohta të dimrit ku viruset dhe bakteret që qarkullojnë në ajër janë të shumta.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *