Drejtësia shqiptare ra përfundimisht kur trupa gjyqësore e Kolegjit Zgjedhor vrau vullnetin e tiranasve. E vrau padyshim me urdhër nga lart, me bindje të plotë se drejtësia është mashë e pushtetit, me servilizëm në flijim të
çdo dinjiteti qytetar, me paramendim dhe me qëllimin më të ulët që një trupë gjykuese mund të ketë; të vrasë lirinë; ta vrasë për pushtet. Nga kjo drejtësi e përdhunuar prej pushtetit, nga kjo drejtësi e dhënë me gjithë qelizat e skutat e trupit disa klaneve, të presësh një vendim që del jashtë kësaj kornize, s’kishte asnjë kuptim.
Gjithsesi gjyqi për vrasjet e 21 Janarit tregoi më qartë se asnjëherë që teatri i gjykimit u luajt në gjykatë, por verdiktin e dha pushteti. Ky gjyq e detyroi pushtetin të marrë haptas verdikt e të tregojë fajësinë e tij. Mes mundësisë së gjykatës për të dhënë fajësi, pafajësi dhe kërkuar ricilësim provash, pretenca e prokurorisë që nënvizonte me insistim vrasjen me dashje kishte folur qartë tashmë. Çdo lloj vendimi i gjykatës fajësi ose pafajësi, përveç atij të ricilësimit të provave që do i jepte pak kohë mëdyshjeve, ishte vulosja e fajësisë pushtetare në vrasje, por cilën lloj fajësie do të zgjidhte pushteti?
Verdikti befasues për çdo mendje normale dhe i pamundur në çdo shtet sadopak normal, përbën lëvizjen më të dëshpëruar të një grupi pushtetarësh të frikësuar. Të friksuar nga vota siç ishte Lulzimi i mashtrimit në bashkinë e Tiranës dhe të friksuar nga drejtësia, sepse krimet mbi shpinë i kanë të çdo lloji. Verdikti ishte ai i një pushteti i cili po të linte të vihej drejtësia në vend do të qe fajtor për vrasjet, po mos të linte të vihej drejtësia në vend përseri do të qe
fajtor. Në rastin e dytë më haptazi, më qartazi, disa herë fajtorë: dy herë vrasës, disa herë ndërhyrës kriminal në proçese gjyqsore. Mes dy shtigjeve gjithsesi të turpshme, pushteti zgjodhi të dytin, sepse ky është më shumë sipas tij. Jo veç nga shkalla e rëndë e kriminalitetit që përmban, por sepse përfshin dhe mesazhe që pushteti ka nevojë imediate ti përcjellë.
Verdikti i pushtetit i shoqëruar nga gjuha e tij hakërryese ndaj opozitës, e artikuluar si përherë veçanërisht nga dizintegruesja dhe çparlamentarizuesja, ishte tregimi i dhëmbëve. Mesazh në gjuhën karakteristike që tash 20 vjet çfryn gjithëfarë fyerjesh në ambjentetet shqiptare, fut mllefin dhe në familje, ushqen urretje, justifikon dhunën e prodhon kriminelë. Me këtë gjuhë e verdiktin e tyre deshën të na thonë se siç i vodhëm votat haptazi në Tiranë, ashtu vrasim
çdokënd s’pajtohet me ne, ashtu dhe e mbrojmë çdo vrasës, dhe kemi fuqinë që padrejtësine më madhore t’a mbrojmë si triumfi i drejtësisë, meqë s’kemi limite njerëzore, as qytetare, jemi krimi vetë, gjyqtari i krimit vetë, mbrojtja e krimit
vetë e lulzimi i krimit po vetë. Verdikti ishte një mesazh për të cilin pushteti s’kishte kohë më të priste, me ricilësim provash a diçka të ngjashme, sepse ai në të njëjtën kohë ishte mesazhi inkurajues për vrasësit në shërbim të tij. Në
tërësinë e tij verdikti i pushtetit përcillte tek qytetarët e thjeshtë dëshpërim se mori fund çdo gjë dhe humbje besimi se mund të ketë mundësi ndryshimi, qoftë dhe me votë përballë këtij pushteti kaq kriminal.
Në fakt s’mund të ishte ndryshe, se vrasja e shpresës sonë, frikësimi jonë është strategjija e vetme zgjedhore që i ka ngelur pushtetit të stërkonsumuar nga bëmat e veta të turpit. Veçse ky pushtet harron se këtë vend e kanë mbrojtur bijë e bija që e kanë pasur çlirimin shumë me larg se 23 Qershori. Ky pushtet ka humbur lidhjen me njerëzit, ndërsa mendon se gjuha e kriminale a verdiktet e veta, do të mundin në kurajon e zemrës sonë lotin e sinqertë të një fëmije e dhimbjen e shumë familjeve. Këtij pushteti ndërsa i dridhen leqet nga vota e lirë i është turbulluar truri në atë pikë, sa të mendojë se fytyrat e këllyera në pisllëkun më të madh politik që ka njohur historia ballkanike tash një shekull, do t’i heqin shqiptareve dëshirën që të kanë për një të nesërme tjetër, të drejtë e të qetë në këtë vend. Një pushtet s’mund të jetë më i dëshpëruar se kaq, një pushtet s’mund të jetë me tragjikisht qesharak se kaq, një pushtet s’mund të jetë më ndërkombtarisht i turpëruar se kaq, një pushtet s’mund të jetë më ultësisht humbës se kaq.
Një pushtet kurrë s’i kishte humbur kaq fort e kaq herët zgjedhjet, kurrë nuk ishte zenë kaq gafil e lakuriq në rrengjet e veta më shumë se sot. Kryeministri i cili njihet në popull dhe si ai që vret për pushtet, kujton se vrau shpresën për shtatë pale qefe, e na kërcënoi si mos me zi e po na provokon siç e ka zanat. Po harron të vërtetat e thjeshta, një prej tyre, e vjetër sa njerëzimi, që thotë se drejtësia vonon, por nuk harron! Ne po ecim me drejtësinë që vonon, se vetëm kështu mesa duket do vihet drejtësi njëherë e mire në këtë vend. Le t’a vonojë, të na kërcënojë, hakërrehet, provokojë, ulliroset, arroset, çartiset, baltoset, krekosohet, llokoçitet në borë, det a parlament pushteti se një gjë është
e qartë dhe e paevitueshme: dimri i tij po mbaron, pranvera shqiptare sa po fillon! Shqiptarët kanë tashmë bashkëpunimin, qetësinë, dijen, profesionalizmin, eksperiencën e forcën shpirtërore që do t’a bëjë atë “verë që kudo kthehet një herë.” Dëshpërimi i pushtetit është me vend! Por siç thotë dhe një fjalë e vjetër turke, frika nuk eviton fundin! Ndaj, ndryshe nga pushteti për shqiptarët, shqiptarët kanë një lajm të mirë për pushtetin; 23 Qershori është afër, shpejt do t’a çlirojnë nga makthi, frika, dëshpërimi…
Vertet,lajmi me i mire ne dimrin e zi te qeverisjes berishiane eshte se 23 Qeshori ndjehet shum afer. Pranvera shqiptare nuk do vonoje te riverr ne vend drejtesine.