Vërshëllima për Ronaldon, Ançeloti kundër tifozëve

anazapta

Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, ka dalë kundër tifozëve që kanë vërshëllyer Kristiano Ronaldon. Skuadra e tij fitoi 5-0 kundër Rajo Valekanos të shtunën në mbrëmje, por tifozët vërshëllyen portugezin në një moment kur ky preferoi të gjuante vetë e të mos pasonte te shokët që ishin në një pozicion më të mirë. Rezultati ishte 4-0 në atë kohë, ndaj veprimi i tifozëve tregon se nuk e kanë pasur inatin vetëm për atë moment. “Fishkëllimat në drejtim të Kristiano Ronaldos janë të pakuptueshme”, deklaroi Ançeloti në konferencën për shtyp. “I kuptoj ato kur skuadra nuk ecën mirë dhe kam thënë se i kemi merituar në të tilla raste, por sinqerisht nuk e kuptoj këtë qëndrim ndaj Ronaldos”. Tifozët i rezervuan të njëjtin trajtim edhe portierit Diego Lopez, për shkak të gabimeve të bëra në ndeshjet e mëparshme. “Shpresoj që kjo të mos ndikojë në gjendjen e portierit”, shtoi Ançeloti”. Trajneri hoqi çdo frikë se Ronaldo ka probleme dëmtimi, duke thënë se portugezi kishte vetëm një çarje të vogël në gju dhe asgjë serioze. Duke u kthyer te fitorja, italiani tha se skuadra e ka marrë veten psikologjikisht pas humbjeve me Barcelonën dhe Seviljen, të cilat e zbritën nga vendi i parë. “Mendojmë të fitojmë çdo ndeshje që na ka mbetur dhe të triumfojmë në Champions League”, tha trajneri, i cili tani duhet të mendojë për përballjen me Borusia Dortmund të mërkurën në “Bernabeu”, për çerekfinalet e Champions League.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *