Vështirësohet me shumë gara për universitetin

redaktor

Pranvera Kola

Gara për aplikimet e raundit të dytë të pranimeve në universitete duket se do të jetë edhe më e ashpër. Kjo pasi listës së aplikuesve do t’i shtohen edhe mijëra kandidatë, të cilët kaluan në provimet e sezonit të vjeshtës. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka shpallur rezultatet e marra në raundin e vjeshtës nga mijëra maturantë që dështuan në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje në sezonin e qershorit. Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për maturën e 2016-ës, matematika si provim i detyruar, rezulton të jetë lënda me numrin më të lartë të maturantëve të penalizuar si mbetës në sezonin e parë të testimeve, teksa i lartë është edhe numri i mbetësve në dy provimet me zgjedhje. Sipas udhëzimit të MAS, të gjithë këta kandidatë që arritën të vlerësohen me rezultatet kaluese në sezonin e vjeshtës dhe që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6, kanë të drejtë të aplikojnë me formularin e ri të preferencave që do të plotësohet në garën e raundit të dytë, aplikimet e të cilit nisin gjatë fundjavës. Në provimin e parë të detyruar për lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, në sezonin e vjeshtës morën pjesë në testim 2128 maturantë, në lëndën e matematikës ishin 6163 kandidatë, si dhe në testin e detyruar të gjuhës së huaj u testuan 1806 maturantë. Ndërsa provimeve të lëndëve me zgjedhje iu nënshtruan 4544 maturantë në të gjithë vendin. Rezultatet e plota të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje të dhëna gjatë sezonit të vjeshtës tashmë gjenden të detajuara në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ëëë.akp.gov.al.

Mbyllen sot regjistrimet e fituesve të fazës së parë

Regjistrimi i fituesve të raundit të parë po shkon drejt fundit. Dita e sotme shënon dhe afatin e fundit për të konfirmuar statusin e studentit në degën e preferuar, nga të gjithë kandidatët që ishin pjesë e listës së fituesve të fazës së parë. Përgjatë dy ditëve në vijim, drejtuesit e universiteteve do të zbardhin edhe numrin total të kuotave të lira, për të cilat do të garohet në raundin e dytë. Ndërkohë që autoritetet e arsimit janë në prag të shpalljes së formulës së re, se si do të veprohet për listimin e preferencave në formularin e ri të aplikimit, për t’i gjetur një zgjidhje ngërçit të raundit të parë. Formulë kjo e diktuar nga kaosi i fazës së parë, ku mijëra maturantë, edhe pse me rezultate të larta në provime dhe mesatare të shkollës së mesme, mbetën jashtë dyerve të universitetit. Kjo për shkak të mungesës së informacioneve që në përzgjedhjen e lëndëve që kanë dhënë si provime me zgjedhje, lëndë të cilat nuk përputheshin me ato të përcaktuara si prioritet nga programet përkatëse të fakulteteve. Kjo ka bërë që shumë maturantë të futen në garë për të fituar degë  të caktuara, për të cilat lëndët që kanë dhënë si  provime me zgjedhje janë vlerësuar me zero pikë. Megjithatë, gjatë raundit të dytë pritet që ky ngërç të marrë një tjetër zgjidhje. Aplikimet e raundit të dytë pritet të nisin zyrtarisht me plotësimin e një formulari të ri preferencash rreth datës 23 shtator, dhe deri në këtë datë MAS do të zbardhë skemën e re se si do të veprohet. Gjatë këtij raundi pritet të mos ketë më penalitete me zero pikë për lëndët me zgjedhje, të cilat kërkohen nga fakultetet për programet studimore, lëndë të cilat maturantët nuk i kanë zhvilluar në kurrikulën mësimore, apo në provimet me zgjedhje të dhëna përgjatë muajit qershor. Burime pranë dikasterit të arsimit bëjnë me dije se u është kërkuar institucioneve të arsimit të lartë publik, që në raundin e dytë, këto lëndë të njehsohen me lëndë të ngjashme që maturanti ka kryer përgjatë viteve të shkollës së mesme. Kjo me qëllim që në përzgjedhjen e re të degëve, këto lëndë të mos vlerësohen me zero pikë, pasi kjo ndikon në rezultatit final të pikëve me të cilat kandidati konkurron për të fituar studimet në degën përkatëse. Vlerësimi i këtyre lëndëve me pikë do të bëhet sipas një skeme të caktuar nga çdo profil universitar.Kjo është hera e parë që pas shumë vitesh nga zbatimi i maturës shtetërore, rregullat e pranimeve ndryshohen në mes të procesit.

Kushte edhe për kuotat e pranimeve në privat

Mesatarja e shkollës së mesme mbi notën 6, është kriter i detyrueshëm pranimi edhe për kandidatët që do të aplikojnë për të vijuar studimet në një nga fakultetet private të vendit. Por, krahas kësaj note mesatare, edhe kjo kategori maturantësh duhet që të plotësojë një sërë kushtesh të tjera, siç është aplikimi me anë të formularit të preferencave, në të cilin duhet të listojë degët e universiteteve private ku duhet të jetë fitues. Nëse nuk e kryen këtë procedurë nuk mund të shkojë për të bërë regjistrimin përkatës në strukturat private të arsimit të lartë. Pavarësisht faktit se këto të fundit janë me pagesë. Sipas autoriteteve të MAS, këtë vit edhe i kandidati që do të ndjekë studimet e larta në privat, duhet patjetër të ketë aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe të ketë përfshirë në 10 preferencat e tij edhe programet e studimit të shkollave private. “Pas përfundimit të procesit, askush që nuk ka aplikuar në sistemin matura shtetërore nuk mund të regjistrohet në ndonjë institucion privat apo publik qoftë ai”, saktësohet nga zyrtarët e MAS. Çka do të thotë se asnjë nga universitetet private nuk do të mund të bëjë regjistrime për pranime të reja jashtë këtyre kritereve të përcaktuara. E nëse kjo ndodh, kandidati nuk mund të pajiset me diplomë, pasi nuk merr numrin e matrikullimit që e identifikon atë si student. Ky numër identifikimit tashmë është bërë pjesë e sistemit të aplikimeve online që kalojnë nëpërmjet AKP-së, dhe bëhet i mundur vetëm në rast se studenti ka aplikuar dhe është regjistruar në një institucion publik, ose privat sipas kritereve të përcaktuara. Në universitetet private pritet të shkojnë mbi 9 mijë kandidatë, por vetëm nëse ata do të rezultojnë fitues në programin përkatës të studimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *