F1/ Skuadra i dha urdhër gjermanit të ruante vendin e dytë, për të mos rrezikuar, por ai parakaloi shokun e skuadrës, duke fituar GP të Malajzisë
Sebastian Vetel doli fitues në betejën mes dy makinave Red Bull, duke regjistruar triumfin e tij të 27-të në karrierën e Formula 1. Gjermani arriti i pari vijën e finishit mes polemikave që duken të pazakonta kur bëhet fjalë për dy pilotë që ndodhen në krye të garës. Pavarësisht udhëzimit të bosit të skuadrës, Kristian Horner, tri herë kampioni nuk u bind për të mbajtur vendin e dytë deri në xhiron e fundit, por u fut në manovra të rrezikshme parakalimi për t’i marrë vendin e parë shokut të skuadrës, Mark Ueber, madje duke rrezikuar edhe një kontakt mes tyre që mund të ishte fatal.
Zemërimi u pa qartë në fytyrën e Ueberit në përfundim të garës në Sepang, ndërsa Vetel kërkoi menjëherë falje për veprimin e tij, që u cilësua “fëmijëror” nga Horner. Betejë brenda skuadrës pati edhe për vendin e tretë e të katërt, me Luis Hamiltonit që u ngjit në podium duke lënë pas pilotin tjetër të Mercedesit, Niko Rosberg. Vendi i pestë për brazilianin e Ferrarit, Felipe Masa, i cili u nis nga vendi i dytë, por humbi disa pozicione gjatë garës, ndërsa u zgjua në fund për të fituar disa vende.
Piloti tjetër i Ferrarit, Fernando Alonso, ishte i pafat në Malajzi. Spanjolli u nis i treti por një kontakt që në start me Vetelin i dëmtoi pjesën e përparme të makinës dhe moshyrja në bokse e la pas.
Pas garës, Ueber kërkoi të fshihte disi pakënaqësinë, edhe pse në fjalët e tij duket qartë mosaprovimi për gjestin e shokut të skuadrës. “Gjithçka shkoi në rregull, sepse strategjia ishte ajo e duhura. Unë zhvillova një garë pozitive dhe skuadra më tha se nëse dëshiroja të prisja vijën e finishit, duhej të menaxhoja gomat. Më pas erdhi Vetel duke shkelur gazin në maksimum. Ai mori një vendim dhe do të mbrohet si zakonisht”, tha australiani.
Vetel ka kërkuar falje për veprimin, duke e pranuar se kishte gabuar. “Ndoshta isha vërtet shumë agresiv. Ndodhën shumë gjëra në pistë, por nëse duhet të sqarohemi, këtë do ta bëjmë brenda bokseve tona”, tha gjermani.

Filloi edhe Ky si shumakeri .. karierist hileqar
E keqja eshte se ne trurin e tij te vogel,nuk funksionon asgje tjeter veç gares.Veç kesaj eshte dhe shume megalloman.”hunde e madhe,bela e te zot”thote nje fjale….!!!!