Gara për transferimin e studimeve në një nga fakultetet publike të kryeqytetit gjatë vitit të ri akademik 2014-2015 pritet të jetë e ashpër, pasi vetëm 300 është numri i kuotave të përcaktuara nga autoritetet e arsimit për këtë cikël pranimesh. Universiteti i Tiranës si një ndër institucionet me fluksin më të lartë të kërkesave për transferimin e studimeve në të gjashtë fakultetet e tij, ka çelur gjatë ditës së djeshme procedurat konkrete të aplikimit për të gjithë studentët e universiteteve publike në rrethe, atyre që kanë ndjekur studimet e vitit të parë ose të dytë jashtë vendit, si dhe kandidatëve që ndjekin studimet në një nga universitetet private që nuk bëjnë pjesë në listën e institucioneve të arsimit të lartë që u ndëshkuan nga Ministria e Arsimit, për mosplotësim të kritereve ligjore të licencimit. Fluksi i kërkesave për të transferuar studimet në programet e UT-së thuhet se është shumë herë më i lartë se sa numri i kuotave të miratuara, çka do të thotë se do të zbatohen kritere të caktuara në përzgjedhjen e fituesve. Sipas urdhrit të UT-së, dy javë është afati i vënë në dispozicion të kandidatëve që duan të transferojnë studimet në një nga programet studimore të fakulteteve që janë pjesë e UT-së. Transferimi i studimeve do të lejohet vetëm ndërmjet programeve të njëjtit cikël studimesh, pasi vetëm në këtë formë do të mund të bëhet vlerësimi i duhur i programeve të lëndës, si dhe krediteve të fituara nga studenti që kërkon të transferojë vitin studimor.
Procedura e aplikimit
Transferimi lejohet vetëm për programet e të njëjtit cikël. Nga kuotat e aprovuara kanë të drejtë të përfitojnë vetëm studentët e ciklit 3 vjeçar “bachelor” me kohë të plotë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë kuota për transferim studimesh në programet e nivelit të dytë “master”, apo për studimet part-time. Aplikimi për transferim studimesh në Universitetin e Tiranës bëhet individualisht, pranë zyrës së protokollit në Rektorat (nuk është e nevojshme që të merret leje nga institucionet, ku studiojnë apo të përcillen zyrtarisht nga këto institucione). Pranimi i dokumentacionit të aplikimit për transferim studimesh ka nisur gjatë ditës së djeshme dhe do të mbyllet në datën 25 shtator 2014. Bashkangjitur shkrimit gjendet e detajuar edhe dosja e dokumenteve që UT kërkon nga të gjithë kandidatët që duan të transferojnë studimet në vitin e dytë, apo të tretë të ciklit 3 vjeçar. Pas mbylljes së aplikimeve komisionet e ekspertëve të lëndës që ngrihen për çdo fakultet, verifikojnë përbërjen e dosjes së dorëzuar nga aplikuesit, e ku në varësi të vlefshmërisë së dokumenteve të dorëzuara përzgjidhen edhe kandidatët që shpallen fitues për të transferuar studimet.
Kushtet
Sipas kushteve të vendosura, transferimi lejohet vetëm për ciklin e parë të studimeve 3 vjeçare “Bachelor”, të sistemit të ditës. Të drejtën për të transferuar studimet në një të njëjtin cikël studimi e kanë kandidatët që ndjekin programe të ngjashme studimore në një nga fakultetet e universiteteve publike në rrethe, atyre private që nuk bëjnë pjesë në listës e universiteteve të ndëshkuara nga MAS, si dhe kandidatët që kthehen nga studime të ngjashme të filluara në universitetet e huaja. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet mbi bazën e kritereve të caktuara, ku një ndër më të rëndësishmet është jo vetëm ngjashmëria e ciklit të studimit, por edhe numri i krediteve të fituara për çdo lëndë mësimore të zhvilluar. Kur fluksi i kërkesave është shumë herë më i lartë se sa numri i kuotave të miratuara, mesatarja do jetë një ndër kriteret bazë që do të shërbejë në selektimin e kandidatëve fitues. Ndërsa në aplikimet për transferim studimesh nga Universiteti i Tiranës, për në universitete të tjera, aplikantët mund të komunikojnë direkt me universitetet përkatëse, pa qenë e nevojshme leja nga strukturat e UT-së.
Dosja që kërkohet për transferimin e studimeve në Universitetin e Tiranës
- Formulari i aplikimit për transferim studimesh, i plotësuar nga aplikanti.
- Listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (në formë zyrtare me firmë dhe me vulë), si dhe programet përkatëse të këtyre lëndëve.
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
- Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri.
- Të gjithë dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.
- Fotokopje e kartës së identitetit.
- Mandat arkëtimi (informacionin për bankën dhe tarifën e aplikimit do ta gjeni pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së, në kohën e plotësimit të formularit për aplikim).
Transferimet
Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.
Ndjekja e një fakulteti të dytë
Kandidatët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi. Për vitin e ri akademik 2013-2014, janë miratuar 200 kuota për kandidatët që mund të vijojnë studimet në një fakultet të dytë. Tarifa e studimit për këtë cikël përballohet tërësisht nga kandidati dhe rezulton të jetë më e lartë se sa kostoja e studimeve të miratuara për ndjekjen e një fakulteti të parë.
Kuotat e pranimeve të miratuara për vitin e ri akademik 2014-2015
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimeve të ciklit të parë, për programet e studimeve jo-universitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në total janë 19166 kuota.
Kuota për program të dytë studimi 200
Kuota për transferim studimesh 300
Kuota për shtetasit e huaj 60.
