Ndryshimet e reflektuara në listën e barnave të rimbursimit për 2014-n, janë shoqëruar me pakënaqësi të shumta në radhët e pacientëve përfitues. Kjo për shkak të ndryshimit të masës së rimbursimit, dhe mungesës së duhur të informacionit lidhur me masën e rimbursimit që shkon për medikamentet që janë alternativë e parë e listës, dhe ato që emërtohen si alternativa tregtare. Konkretisht, të sëmurët që vuajnë nga zemra, apo dhe ata me komplikacione të rënda, si ato tumorale, gjatë këtyre ditëve janë konfliktuar me farmacistët, për shkak se ndryshe nga sa ka ndodhur në muajt e shkuar, u është dashur që për të njëjtin ilaç të paguajnë me shumë. Burimet zyrtare pranë Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor sqarojnë se lista është zgjeruar me shumë alternativa të reja, dhe për rrjedhojë ka ndryshuar edhe masa e rimburisimit. Vetëm për barnat që janë alternativë e parë, pacienti do të mund të përfitojë rimbursim 100 për qind, ndërsa për barnat e tjera që listohen si alternative tregtare në listë pacienti duhet të paguajë, duke përfituar vetëm rimbursim të pjesshëm. Sipas këtyre burimeve, mjekët e familjes dhe ata specialistë në poliklinika e spitale janë udhëzuar që t’i përmbahen rreptësisht listës së barnave të miratuar për këtë vit. Secili prej tyre ka në tavolinën e punës listën e barnave të rimbursueshme për 2014, ku çdo medikament që përcaktohet si alternativë e parë për çdo sëmundje ofrohet falas për pacientin përfitues. “Të gjitha këto barna janë të barazvlefshme. Pacienti, duke u zgjeruar alternativa tregtare, ka më shumë mundësi zgjedhjeje. Por, në listë është ruajtur e njëjta masë mbulimi si më parë. Nëse ai zgjedh alternativën e parë, ai rimbursohet 100 për qind, ndërsa nëse zgjedh alternativa të tjera duhet të paguajë pak më shumë”, bën të ditur drejtoresha e rimbursimit në Fondin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Tanja Memi. Më tej, ajo sqaron se tashmë vetë pacienti mund të mësojë se deri në çmasë rimbursohet medikamenti që duhet të marrë. Në këto kushte , përveç mjekut edhe vetë pacientët mund të futen në internet nëpërmjet kompjuterit ose celularit në ëëë.isksh.com.al, e më pas të klikojnë në “e-Barna 2014”, ku mund të shikojnë listën e barnave të rimbursueshme, nëpërmjet të cilës jepen të detajuara të dhënat për alternativën e parë të barnave që rimbursohen në masën 100 për qind, dhe në rast se zgjedh të marrë një alternativë tjetër verifikon çmimin real që duhet të paguajë, pjesën e rimbursimit që mbulon FSKSH dhe pjesën që paguan vetë pacienti. Sipas drejtoreshës, kontrollet për listën do të jenë të vazhdueshme, teksa shton se mjekut i ndalohet në mënyrë absolute të përshkruajë në recetë emrin tregtar të ilaçit, apo të orientojë pacientin të marrë prodhimin e një kompanie të caktuar. Gjysma e barnave që përmban lista cilësohen si alternativa të para, ndërsa pjesa tjetër janë alternativa tregtare, që mbulojnë një grup të gjerë sëmundjesh. Kur zgjidhet një bar që është alternativë tregtare, pacienti duhet të bashkëpaguaj në çmimi, çka do të thotë se masa e rimbursimit nuk do të jetë e plotë, por e përshkallëzuar në bazë të kategorisë ku përfshihet.
Ja si verifikohet masa e rimbursimit të çdo medikamenti
Tashmë një pacient e ka më të lehtë për të verifikuar vetë çmimet e barnave dhe masën e rimbursimit për çdo medikament të listës së përcaktuar për 2014. Lista e plotë e barnave të rimbursueshme gjendet online në ëëë.isksh.com.al, si dhe është e aksesueshme edhe nga celulari, mjafton të klikohet bari dhe verifikohet direkt prezenca e ilaçit në listë, çmimi i tij dhe të gjitha të dhënat sa i takon masës së rimbursimit të ilaçit.
