Vetëm dashurisht mund të fitohet mbi urrejtjen

redaktor

Ka disa vite, që letërsia shqipe përjeton rrëzimin e censurws zyrtare, të atij zyrtarizmi, që ngulmonte për ta gjithmonë mbajtur letërsinë pre të qëllimeve të saj politike.

Letërsia është bukuria shpirtërore, me konture sinqeriteti. E politika ç’është? Më shumë se veprimtari (ndër)shtetërore, ajo është kamuflim hendeqesh të skuthëta, është pjesa më e ngurtë e bashkëjetesës njerëzore brenda e jashtë vendit.

Është për t’u gëzuar, që autorët shqiptarë janë çliruar nga censura zyrtare, e cila e kornizonte mendimin krijues, por me sa duket disa janë çliruar edhe nga vetëcensura, nga ajo, që nënkupton vetëkontrollin, vetëkërkesën, nga ajo, që është e mbetet gur themeli në arritshmërinë letrare, që është si të thuash një lloj daljeje mbi veten.

Të dalësh mbi veten do të thotë të sakrifikosh gjer në kufijtë e vetëmohimit. Sot fjalën vetëmohim dua ta shkruaj Vet Mohim, pra të ndarë si fjalë, më saktë të personikfikuar, sikurse na e ka dhënë në librin e vet shkrimtari Adem Demaçi.

Ngjarjet e veprës “Libër për Vet Mohimin” i përkasin një kohe të vëshirë, që kalon kombi në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ti, që kaq me lektisje po të kërkoj

dhe nuk të gjej dot.

Eja!

Këto fjalë të faqehapjes së librit gdhenden të arta në banderolën shpirtërore të lexuesit.

“Libër për Vet Mohimin” i autorit Adem Demaçi është skicuar në kapituj të emërtuar. Emërtimi i parë: “Vet Mohimi”, i cili duket se ka marrë përsipër, të kryejë rolin e prologut, është e shkruar me një gjuhë mjaft të rrjedhshme letrare, me një gjuhë poetike mund të thuhet, ku filozofia ka vendin e saj të dukshëm. Wer A sagt, muss auch B sagen – kush thotë A, duhet të thotë edhe B. Dhe Demaçi di ta ruajë zhdërvjelltësinë narrative në të gjitha faqet e librit, të cilat lexohen etshëm e ndërkohë edhe mendueshëm. Edhe pse e mbaron librin së lexuari, s’të hiqet nga mendja ajo pjesë fillimore e tij, ku autori aludon për thirrjet e qyqes, të cilat disave u tingëllojnë si ku-ku-ku! E ç’janë për autorin këto thirrje?

Pak ujë! Pak ujë! Pak ujë!

Kështu na e përcjell ai këtë piskamë të saj në pikë të verës, në pikë të vapës. Kjo pjesë e veprës të jep të drejtën, të heqësh një paralele midis qyqes, që i lëshon vezët në fole të huaja, dhe ne, ikanakëve nga atdheu, që kërkojmë ujë burimeve shkrumborë të zhgënjimit. Ne vërtet jemi këtu, por shpirti na ka braktisur që në çastikjen nga atdheu, shpirti ka mbetur në vendlindje. Pra këtu jemi trupa pa shpirt, atje jemi shpirtra pa trup. E që të jemi vërtet të plotë, që të jemi vërtet njerëz, na duhet medoemos ndihma e Vet Mohimit. Dhe ai duhet thirrur sa më parë, sa pa ndodhur ende që shpirti të na mohojë përngaherë trupërisht e të ushqejë preferencen e folezimit në trup të ndonjë gjeli a derri, sikurse thekson edhe autori i librit në fjalë.

Po ku ndodhet Vet Mohimi? Shkrimtari na dëfton për daljen e tij nga burgu i burgut të burgut. E ku mund ta gjejmë atë më pas? Duke huazuar për këtë rast stilin rrëfimtar të Demaçit, mund të thuhet se atë e gjejmë tek dhimbja e dhimbjes së dhimbjes, tek tmerri i tmerrit të tmerrit. Kjo besohet lehtas, kur lexohet „Në kupe – vetë i tretë“, që është një pjesëperlë e këtij libri, ku sentencat filozofike janë aq shumë të pranishme e në harmoni funksionale të idesë qendrore.

Tek përballja e personazhit shqiptar Kolë Makanda dhe serbit bardhosh, autori ka tipizuar dashurinë kundruall urrejtjes. Dihet se në këtë botë së pari qe dashuria. Urrejtja lindi më pas. Pranohet se dashuria është më e moçme se urrejtja. Por autori s’don të thotë veç këtë. Lajtmotivi i kësaj pjese, i cili përçohet edhe tërësisht veprës, është: vetëm dashurisht fitohet mbi urrejtjen. Kjo është një e vërtetë mjaft e madhe, që apelon ndërgjegjen e çdokujt, të kthehet tek vetja, të kthehet tek të qënit njeri.

Tek Lala apo „Regjisori i dështuar” shkrimtari Adem Demaçi mishëron viganshëm figurën e artistit të privuar, të atij artisti, i cili për hir të artit progresiv, të artit të pashtirësi „profesionale“, nuk i bëhet urë as ligjit të parasë dhe as parasë së ligjit.

Si i papërkrahur nga pushtetmbajtësit ai duket i dështuar në sytë e disave. Por nuk është kështu. I dështuar është sistemi, klishetë e të cilit artisti s’i përfill, i dështuar është regjimi, që s’e fut dot nën tutelë krijuesin e vërtetë. Lala nuk është krejt i vetëm, ai ka mbështetasit e tij artdashës, paçka se këta janë tepër të rrallë.

„… te ne ende gjërat janë shumë të përcaktuara nga fati.“ – janë fjalët e regjisorit këto, që në dukje duken si të thëna lehtë, por që në thelb mbartin një të vërtetë të paskajme, ngarkuar me një tragjizëm monstruoz.

Koha e ka sjellë, që shkrimtari mund të mos merret me politikë, por s’mund të rrijë dot pa e analizuar atë. Tek „Regjisori i dështuar“ nënkuptohet se politika shqiptare, mjerisht, është dështake. Por autori s’don të na lërë kurrsesi në duar pesimizmi. Diku në faqet e nëntitullit „Piramida“ na kujton se gabimi është vëllai i pandashëm i mësimit. Kjo sentencë nuk është thjesht ngushëlluese, por bën edhe apel progresiteti.

S’ka si të lësh pa përmendur atë, çka thotë Liriku i vogël, ky personazh tepër i mençur në veprën e Demaçit, ashtu sikurse janë fëmijët shqiptarë. E ai thotë:

„Unë e dua veten time, prandaj i dua dhe të tjerët, prandaj edhe të tjerët më duan mua… Unë respektoj veten time, prandaj i respektoj edhe të tjerët, prandaj edhe të tjerët më respektojnë mua… Unë kam besim në veten time, prandaj u besoj edhe të tjerëve, prandaj edhe të tjerët më besojnë mua…“

Ky transmetim të bën jo vetëm të meditosh, por edhe ta pranosh si moto të zgjidhjes së problemit tonë kombëtar. Pra le të fillojmë, sa nuk është vdekshmërisht vonë: ta respektojmë veten, ta duam dhe t’i besojmë asaj. Le të kthehemi tek vetja e braktisur! Mjaft mbetëm kufoma të respektit, dashurisë dhe besimit të verbër!

E ç’mund të thuhet për veprën në fjalë të Demaçit? Natyrisht mund të thuhen fjalë të mira për të, pjesërisht edhe shumë të mira, por konkluzioni është: ky libër s’ka mundur dot, t’i bëhet rezidencë përsosmërisë. Këtë të drejtë të shprehuri ta jep „Moteli në fund të pusit“. Le ta shohim më nga afër.

Siç kuptohet nga kjo pjesë, njeriu shkon në një lokal për të ngrënë a pirë diçka, për t’u takuar e biseduar me dikë, apo edhe thjesht, për t’u gjendur mes njerëzve, pra për t’u ndjerë sa më pak i vetëm. Lokalasit mund të mos njihen mes tyre, ndërsa autori, (është fjala për çdo krijues të një vepre), ka privilegjin t’ua dijë emrat të gjithëve, t’i njohë ata së jashtmi e së brendshmi. Ky është venomi i krijuesit. Kur dihet kjo, atëhere ç’vlerë kanë shprehjet: „…tha dikush nga rreshti i parë, … nga mesi i sallës (?). Vazhda e këtij stili do të ishte: … nga fundi, … nga e majta, … nga e djathta. Kemi të bëjmë me mjeshtëri portretizimi? Aspak! T’i lësh personazhet në terr pa as më të voglin qëllim, do të thotë të mos bëhet fjalë për ekzistencë mjeti ndërtimor të figurës.

Edhe libri i Demaçit vuan nga sëmundja parafabrikate. Le të komentojmë.

Kolë Makanda flet mbi domosdoshmërinë e ambjentmbrojtjes. Por kemi një ndërhyrje:

– Mjaft më na shitët mend me këto filozofime, moralizime dhe llogari të kota! Na tregoni së të dalim nga kjo situatë, sepse kjo po kërkohet sot!

Me daljen nga situata, duhet kuptuar dalja nga paliria e Kosovës, asaj Shqipërie të pushtuar. Meqë ndërhyrësi kërkon një sugjerim nga Kolë Makanda, do të thotë se Kola nuk është krejt i panjohur për të, kuptohet pra, se ndërhyrësi nuk ndodhet për herë të parë në këtë lokal. Po përse lihet i paemër nga shkrimtari? Mospërfillje apo moskujdes? Për ta negativizuar sa më tepër si figurë, Demaçi e pagëzon me epitetin kokëmadhi. Ky epitet nuk është thjesht një tregues disproporcioni fizik. Në përdorimin e përditshëm ai është përçues i përbuzjes, i fyerjes.

Nuk është zotësi, nëse autori keqtrajton një apo disa nga gjallesat e tij figurore, pasi dihet se detyra e krijuesit është, t’i dojë pa dallim të gjitha krijesat e librit të tij. Vetëm personazhet e kanë të drejtën e vendosjes së bashkëjetesës apo distancimit në kohë dhe hapësirë.

Përveç kësaj nuk është dhe aq shumë e besueshme, se një shpirtlig apo mendjelehtë ka medoemos edhe gjymtime fizike. Jo kurdoherë pamja e jashtme është pasqyrim i brendshmërisë së njeriut. Për këtë le të kujtojmë një nga figurat madhore të Hygoit te „Katedralja e Parisit“, dhe pikërisht Kuazimodon, i cili edhe pse është i shëmtuar gjer në pështirosje, ka një shpirt tejësisht të pafajshëm. Por le të afrohemi akoma në kohë: diktatori Enver Hoxha ishte vërtet i pashëm, por për fatin e keq të një populli të tërë, i gatuar me një shpirt të shëmtuar gjer në urrejtje.

Diku në libër, një vepronjës anonim (rishtas mbretëron paidentifikimi) shkruan në një copë letër:

– Më intereson të di si është e mundur që ne (Dardhanët, shënoi F. L) aq fort i duam Myzeqarët, kurse ata ndaj nesh janë shumë të painteresuar?

Me gjithë vullnetin e mirë të Demaçit, për të trajtuar probleme jetike, në frazën e mësipërme, mjerisht, ai është i dështuar. Nuk mjafton të thuash fjalë dashurie, për t’u besuar vërtet për këtë ndjenjë. Gjithsesi më tepër se fjala është veprimi ai, që vulos vlerësimin. Që lind besimin dhe ushqen bindjen.

Me gjithë vullnetin e mirë të shkrimtarit, për të trajtuar probleme jetike, ekstrakti i cituar, ndryshe nga ç‘mund të pretendohet, mbetet një urë e rrënuar dashurie midis Dardhanëve dhe Myzeqarëve, dhe kjo nga pakujdesia e autorit, më saktë: nga trajtimi pa argumentim i çështjes. Në këtë pjesë nuk shohim të veprojë asnjë Myzeqar, ngaqë vetë autori ka dashur kështu, e megjithatë Myzeqarët fajësohen për painteresim ndaj Dardhanëve. Fajësimi i padrejtësishëm ka firmën e fyerjes. Ku e gjen autori guximin, për të ushqyer fyerjen jomeritonjëse? Dhe me ç’të drejtë? Shihet se përpjekjet autoriale nuk janë të mjafta, për ta mbajtur të virgjër librin nga mangësitë. Për më tepër mund të thuhet: „Moteli në fund të pusit“ është mjerisht nderi i humbur i këtij libri.

Teksa lexon një krijim, ndodh që pas faqeve të tëra të kujtosh fare pak, sikurse ndodh, që një ngjarje flesh të hapë në kujtesë dyert e paharrimit. Një mrekulli të tillë e kemi edhe te „Kroni i mbretit e Kroni i shkretit“.

Dikush ka hipur në një qershi, që s’është e tija. Befas vjen pronari me tërfurk në dorë:

– A po t’i ka anda, bre biri i kurvës? Zbrit shpejt se tash po të rrasi unë ty qershi!

Qershingrënësi, që në fakt është shqiptar, ia kthen serbisht:

– Çke, bre Shqiptar, pse po gërvallesh?!

Teksa dëgjoi të flitej serbisht, pronari përfundon:

– Mirë, mirë, zotëri. Ha, ha! Mendova mos është ndonjë hajn.

Kjo skenë mund të jetë e vockël në dukje, por është grandioze në domethënie: nënshtrimi është pjellë e mosmirëkuptimit.

Me një gjuhë alegorike autori na jep të kuptojmë, se dardhanët i përçmojnë vërtet rrobat e zhelta të robërisë. Megjithatë nuk bëjnë asgjë, për t’i tejflakur prej vetes. Asgjë? Shprehje e gabuar. Ata presin, madje durimisht, që vetë pushtuesit t’ua veshin kostumin ëndërror të lirisë. Presin dhe shpresojnë. Shpresojnë dhe presin. Presin e shpresojnë edhe nga miku i robëruesit, edhe nga miku i mikut të tij. Pra janë të paepur: presin të ndodhë ajo, që s’mund të ndodhë kurrë (!!!).

Tashmëria shqiptare është: një Gjysmëshqipëri e robëruar, një Gjysmëshqipëri nën diktaturë. Dy gjysma, që s’po munden dot të bëhen një e lirë e dikurshme. Dy gjysma, prej të cilave shqiptarët ikin diasporës, për t’u bërë të plotë, duke harruar kësisoj, se nuk ka plotëri larg vetes.

“Në dritën e kulluar” kemi pasazhin:

„… Ne jemi as këtu, as atje, as andej, as këndej, as pak, as shumë, as të këtillë, as të atillë, ne jemi as mirë, as keq. Ne vetëm jemi, të jemi, për të qënë…”

Kjo është thënia e një të vdekuri, por ngaqë tashmërisht na përshtatet kaq shumë ne të gjallëve, kuptohet se sotmëria shqiptare është më e thekshme nga ç’mendohet.

E çfarë duhet bërë?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje frymon tejembanë librit: të mendojmë, na duhet. Të krijojmë, na duhet. Unë mendoj, pra jam. Unë krijoj, pra jam. T’i gëzohemi vetes dhe njerëzve përreth. T’i gëzohemi atdheut.

Share This Article
5 Comments
  • E lexova deri ne fund kete shkrim:-‘Lengu i lengut te lengut'(?!) Ketej nga anet tona i themi ‘sterlengu’! Me beri pershtypje shprehja Juaj:-“Diktatori Enver Hoxha ishte vertet i pashem, por per fatin e keq te nje populli te tere (?!) i gatuar me nje shpirt te shemtuar gjer ne urrejtje”. Sipas Jush z.Laholli! Se kush ishte Enver Hoxha e njohu me mire pjesa me e madhe e popullit Shqiptar, pse jo edhe nje pjese e popullit Kosovar! Pamja e Jashteme pasqyron Shpirtin! Per kete merrni per Model VAMPIRIN Sali Ram Berisha, qe me sa duket e keni per Zemer!

  • Zotni kenke ba kosovar nga titulli i artikullit :
    Gramatikisht do ndertohej keshtu “VETEM NEPERMJET DASHURISE MUND TE FITOHET MBI URREJTJEN””

    KTHIMI I EMRIT OSE SUBSTANCES NE MBIEMER OSE CILESOR TINGELLON JO I RREGULLT NE GRAMATIKEN SHQIPE DHE I SHEMTUAR KUR E DEGJON DHE MBI TE GJITHA NUK ESHTE E GJUHES STANDARTE SHQIPTARE, POR ESHTE KRAHINORE

  • E lexova artikullin dhe me dukej sikur lexoja ca dosje te UDBs. Ky i “dituri” duhet të dijë se kur ekzistonin Dardhanët nuk ekzistonin Myzeqarët. Por kombi yne për periudha të gjata është drjtuar nga një grusht mercenarësh të shitur për një copë bukë dhe ca poture të bukura. Krahasimet e Lahollit janë të mirpritura nga klanet serbe, por kjo është puna e tij. Te ne nuk duhet te mjellë përçarjen se mund ti kerkohet edhe ndonje pseudonim. Llafollogji pa buk ë mund të bëjë kushdo.

  • Shkrimi kritik mbi titullin “Libër për Vetmohimin” i Laholli është i shkruar në mënyrë profesionale, duke shpërfillur çdo lloj standartizimi, sikur e kanë cekur edhe lexuesit e tjerë. Personalisht më duket i shkruar me shumë kulturë e sinqeritet krijues, e sidomos me një nderim të madh ndaj veprës dhe autorit të saj, pavarësisht ndonjë kritike të atje-këtushme, kritikë, që është me vend, jo vetëm për mua, por edhe për çdo lexues, që librin e Demaçit e ka lexuar me vëmendje të madhe, sikurse autori i shkrimit të mësipërm. Ky shkrim letrar është nderimi më i sinqertë për këtë vepër të autorit të përvuajtur Adem Demaçi. Me aq sa kam lexuar, edhe vetë Laholli i ka kaluar një 30-të vite nëpër kampe internimi, ndaj nuk është mirë të ngatërrohet me UDB e ku di unë tjetër. Ferdinand Laholli e ka dëshmuar edhe me këtë vështrim kritik, se është një autor i sinqertë dhe i matur në çdo fjalë letrare. Një shkrim i këtij niveli, të shtyn ta marrësh përsëri librin në dorë, edhe pse e ke lexuar dikur. Pikërisht shkrime të tilla na duhen ne lexuesve.

  • KOMENT PËR KOMENTUESIT

    Dike Mullai, i cili fut turinjtë në çdo faqe interneti duke ngritur Enverin dhe sharë e përsharë Salën, kujton se qenka i zoti edhe për gjykime letrare. Por ç’bën këtu? Merret prapë me Enverin dhe Salën. Këshilla ime: mos iu afro më faqeve letrare, se i njollos me injorancë përgojuesi.

    ARUSHA gjithsesi më intelekual se Mullai, merr përsipër fjalëformimet, që nuk janë as në dorën e tij dhe as të fjalorëve, por vetëm e drejta e autores apo autorit. E drejta e shkrimtares apo shkrimtarit është edhe gjuha në të cilën preferojnë t’i shkruajnë veprat: gegë apo toskë. Si gjithë kombet, edhe kombi shqiptar ka nevojë së pari për një gjuhë letrare dhe jo për standartizim gjuhe. Kështu nuk ka ecuri, i nderuar.

    Ilia sjell një çoroditje në komentin e tij, ku jo vetëm shihet që s’e ka kuptuar shkrimin mjaft patriotik të Lahollit, por me sa duket as librin e Demaçit s’e paska lexuar. Njerëz që ngatërrojnë faktet apo i keqinterpretojnë ato, nuk i duhen as kombit e as fisit. U bëfsh i mençur e qofsh me jetë.

    Shqiptari, i cili me kulturën e të shkruarit mund të jetë edhe vetë krijues, shprehet hapur, maturisht, prerë, konkret. Nuk ka paragjykime. I tëri tru! Shëndet e suksese!

    Sa i përket kritikës letrare të Ferdinand Lahollit për Vet Mohimin, ajo është një perlë, ku vepra pasqyrohet perlshëm në të gjitha dimensionet e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *