Zgjedhjet e kaluara karakterizoheshin me koalicione të panatyrshme parazgjedhore (edhe pse pothuajse asnjë parti politike nuk është e profilizuar, përpos qartësisë së vendimit që të qëndrojë në pushtet me cdo kusht). Fundja në Kosovë asgjë nuk ndodhë përpos dueteve të këngëtarëve të estrades, që tani më enkas kanë bër gati këngët “hite” për performime në kampanjat e partive politike. Mirëpo, kryemarria që i karakterizon këto zgjedhje quhet: aderim.
Cdo ditë (tekstualisht cdo ditë), njerëz, kryesisht nga shoqëria civile, aderojnë në parti politike. Të tjerët, aderojnë nga njëra parti në tjetrën. Lajmet fillojnë dhe mbarojnë me personazhe të ndryshme të konvertuar tani më në aderues. Të vjen për të qeshur (se e qara s’të ndahet) me personazhet e quajtura: Aderues. Aderuesit shfaqen para mediave, dhe paturpërisht dëftojne ca të pavërteta për arsyen e aderimit, që në gjuhën e bukur shqipe quhen – gënjeshtra. Se të tërë aderuesit, kanë një qëllim të vetëm, që të vijnë në pushtet, që lehtësisht të pasurohen dhe të trajtohen.
I gjithë ky stad marrie politike, më ngjanë në disa reklama primitive te kompanive telefonike, që përshkruajnë mentalitetin tone: më bëj ofertë më të mirë. (Kam dëgjuar një dëftim të bukur se kur Konica i bëri një shqiptari ofertë të shkjonte në ferr, shqiptari e pyeti: sa paguan).
Njëra reklamë televizive e njërës telefoni ka për moto: “Të gjithë dolën, dil edhe ti”. Personazhe të ndryshme dalin (kalojnë) nga kompanitë tjera telefonike tek kjo kompani. Dhe emërtohen personazhet nga fqinjët të cilët kanë dalur”…doli ky, doli ai…të gjithë dolën, dil edhe ti”.
Reklama televizive e telefonisë tjetër ka këtë përgjigje për kompaninë telefonike paraprake: “Kah po dilni bre” Personazhet që kanë mëdyshje dhe ata të cilët duan të dalin nga kjo kompani telefonike tek tjetra, kompania ekzistuese ju bën ofertë më të mirë…
Ashtu sikur tek këto reklama televizive të kompanive televizive, liderët politik, vetëm në kohë zgjedhjesh na e ofrojnë të pamundurën. Ofrojnë poste, lehtësira për pasurim të shpejtë…
Ofertat janë marramendëse. Janë të pabesueshme. Janë aq të gënjeshtërta sa më kam turp t’ua dëftoj. Ashtu sic liderët gënjejnë aderuesit, ashtu aderuesit na gënjejnë ne. Gënjeshtra s’ka të sosur dhe është shndërruar në kryepersonazh. Dhe kur besoja se fitues do dilte ai që do të na dëftonte se si do të mund të rrojmë pa ushqim, pa para, pa asnjë perspective në dukje, fitojnë gënjeshtarët. Të tërë i besojnë gënjeshtrës edhe pse e dinë që e vërteta është gënjeshtër. Sepse duan dhe kanë nevojë të besojnë. Që të ikin nga realiteti.
Teksa po tentoja t’i bëja zap hallet ekzistenciale, ofertat joshëse të partive politike trokasin edhe në adresë timen. Kaq vite pas, më ra zilja e telefonit, për të cilën kasha besuar se më qe prishur. Vetem tani u bëra i gjallë.
Oferta ishte joshëse. Sidomos për një të uritur. Por unë kam vendosur të mos tundohem. Kam vendosur të mos gënjehem. As të mos ik nga realiteti. Kam vendosur të mos e shes lirinë time. Të qendroj i varfër dhe me dinjitet. Ndërsa një zë dëgjojë të më thotë: vetëm ne mbetem pa dalë…
