Veteranët e LANÇ s’u krijuan e nuk shkrihen me VKM

redaktor

 

Organizata e Veteranëve të LANÇ, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqata e Invalidëve të LANÇ dhe Shoqata e Ushtarakëve në Lirim të Vlorës me habi e indinjatë u njohën me idenë e hedhur nga këshilltari i Kryeministrit për shkrirjen e Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Organizata e Veteranëve të LANÇ është një bashkim vullnetar i veteranëve të luftës për liri e pavarësi kombëtare. Ajo është organizatë politiko-shoqërore joqeveritare që vepron në bazë të statutit të veçantë të saj për mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave të epopesë së lavdishme të LANÇ, si dhe për edukimin atdhetar të brezit të ri. Kjo organizatë nuk është krijuar me vendim qeverie, por me vendim të Konferencës së parë kombëtare të thirrur nga një komision nismëtar më 20 korrik 1957.

Vlora, si një nga shtyllat kryesore të luftës çlirimtare, i dha Ushtrisë nacionalçlirimtare rreth 7000 partizanë, nga të cilët mbi 1250 bija e bij vlonjatë dhanë edhe jetën për çlirimin e vendit. Ky numër i madh luftëtarësh që luftuan e sakrifikuan çdo gjë për arritjen e çlirimit të vendit më 29 nëntor 1944 e më tej kundër bishës nazifashiste, në periudhën e pasçlirimit, me daljen në pension, të rreshtuar në Organizatën e tyre të Veteranëve të LANÇ, punuan e punojnë me përkushtim e devotshmëri për kryerjen e misionit të tyre atdhetar. Me punën dhe veprimtarinë e saj në dobi të propagandimit të traditave atdhetare të popullit tonë, Organizata e Veteranëve të LANÇ fitoi simpatinë e mbarë popullit, duke u bërë një organizatë e dashur dhe e nderuar, si një organizatë me merita të veçanta në shoqërinë shqiptare. Prandaj nuk mund të shkrihet e as të futet në një thes me subjekte të tjera, nga që sipas zotit këshilltar, “veteranë nuk janë vetëm ata të luftës, sipas konceptit shqiptar”. Ç’është ky koncept shqiptar që na paska zbuluar zotëria, kur fjalorët e gjuhës shqipe dhe ai enciklopedik shqiptar tregojnë shumë qartë se kush quhet veteran?! Dhe nuk mund të vësh shenja barazimi midis veteranit të luftës e veteranit të sportit apo të një fushe tjetër, sepse veterani i luftës është i veçantë, ndryshon si nata me ditën me veteranin e çdo fushe tjetër. Veterani i luftës qëndron shumë më lartë për shërbimin që i ka bërë atdheut. Dhe mbi të gjitha, Organizata e veteranëve nuk është krijuar me vendim qeveritar, që të mund të shkrihet po me vendim qeveritar. Qeveria nuk ka punë fare me organizatat shoqërore. As t’i krijojë e as t’i shkrijë.

 

Kështu që, e quajmë një manovër dinake idenë e hedhur që synon zhbërjen e Organizatës së Veteranëve të LANÇ që synon zbehjen e vlerave të asaj lufte, duke shkrirë organizatën që lufton vendosmërisht me kundërvënësit e sotëm të çdo krahu qofshin, që kërkojnë t’u bëjnë qejfin pinjollëve të bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë dhe tradhtarëve të tjerë të popullit shqiptar. Prandaj ne mbështesim Deklaratën e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ dhe u bëjmë thirrje autorëve të asaj ideje famëkeqe, kushdo qofshin, hiqni dorë nga marrëzira të tilla. Përndryshe, gjithë veteranët e pasardhësit e tyre, e gjithë anëtarësia e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, e Shoqatës së Invalidëve dhe e Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim do ngihen në këmbë në protesta publike.

 

Kryesia e Komitetit të Veteranëve të LANÇ,

Kryesia e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve.

Kryesia e Shoqatës së Invalidëve të LANÇ,

Kryesia e Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *