Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Zoti Thano! Letra e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që keni botuar sot tek gazeta Dita, është vetëm për të qeshur. Kjo letër nuk ka të bëjë fare me ato që Andrea Stefani ka shkruar. Kurrë nuk kam lexuar nga zoti Andrea se ai e hedh poshtë luftën, e mohon etj., etj. Tashmë të gjithë e dinë se Komunizmi nuk pranon asnjë lloj oponence dhe mendimi ndryshe. Nuk e lejoi këtë për 50 vjet në Shqipëri dhe akoma edhe sot kush ka një mendim ndryshe shpallet armik, tradhtar etj. Veteranët e nderuar bëjnë një krahasim të kohës së komunizmit me kohën e sotme dhe konkludojnë se ajo e komunizmit ishte më e mirë. OK. E drejta e tyre dhe për këtë ata nuk mund të shpallen tradhtarë. Përmendin edhe Sali Berishën, të cilin e urrejnë jo pa shkak. Por nuk mund ta kuptojnë kurrë se pikërisht ky Sali Berisha asnjëherë nuk qe dhe nuk është demokrat, por puro komunist. Ai gjatë jetës së tij politike përdori pikë për pikë të njëjtat metoda dhe taktika që përdori edhe Enver Hoxha. Foli në emër të popullit, bëri premtime fantastike dhe me veprime konkretisht e varfëroi popullin, vrau shumë njerëz dhe vendosi regjimin e tij të shpifur. Nuk bëri gjë tjetër edhe Enver Hoxha. Është e qartë se Enver Hoxha nuk është kryeheroi i Shqipërisë, edhe pse u ndodh në krye të Luftës NÇL. Po ashtu është fare e qartë se edhe Sali Berisha nuk është fare heroi i Shqipërisë dhe aq më pak i demokracisë shqiptare, aq sa ka arritur të jetë demokraci në këto vite. Prandaj gjithkujt që ulurin kundër Andrea Stefanit duke bërtitur se e gjetëm tradhtarin, unë i them të heshtë më mirë, sepse koha e komunizmit ka vdekur njëherë e mirë dhe në mënyrë të pakthyeshme. Vetëm se kufoma e tij ende nuk është dekompozuar mirë. Në fund mendoj dhe besoj fort se ato çfarë shkruhen tek letra e veteranëve, që janë thjesht e vetëm propagandë që ka më shumë se 70 vjet që bëhet pa pushuar, nuk janë edhe mendimi dhe qëndrimi i gazetës Dita. Respekt!
Latif Mana
