Disa kohë pas vrasjeve të 21 janarit mësuam me trishtim edhe vetëvrasjen e djalit 22-vjeçar të Faik Myrtajt. Lexova pak komente asokohe, shumë pak për një rast tejet tragjik. Fajtorët i shohim sot tepër të lumtur nëpër ekrane. Një ngjarje e tillë është shumë tronditëse për mendimin e një shoqërie demokratike. Kjo provon se vdekja dhe vrasja po bëhet një gjë e zakonshme për këtë “qeveri”.
Në një këndvështrim profesional vetvrasja në vetvete është një akt sublim kurajoz kur bëhet me koshiencë. Po përjashtoj rastin e të sëmurit skizofrenik. Bëhet edhe nga një pleqëri që refuzon të torturohet e të torturojë të afërmit dhe sigurisht edhe nga presioni i madh i një sëmundjeje të pashërueshme. Literatura të orienton që jashtë kushteve të sipër përmendura vetvrasja në përqindje të madhe rastesh përmban në vetvete një akt hakmarrjeje. Në tekstet e kriminologjisë theksohet që të mos injorohet kjo mundësi nga hetuesit e ngarkuar për hetim. Eshtë pikërisht kjo që në literaturën kriminalistike në të shumtën e rasteve quhet “Hakmarrja e të Pafuqishmit”.
Në rastin tonë ky djalë 22 vjeçar i Myrtos, nuk duhet të ketë qenë fare djalë agresiv. Duhet të ketë qenë një djalë i zgjuar dhe me një sensibilitet të thellë sipëror. Ai nuk ishte i lindur me ADN-në e kanunit të Lekë Dukagjinit që të gjente një armë dore e të nisej në Tiranë për të marrë hakun e babait të vrarë. Presionin psikologjik për hakmarrje e ka pasur sigurisht tmerrësisht të fortë. Ka qenë aq i ndershëm sa të mos bënte një marri e të vriste një dikënd nga fisi Berisha (nji të kollajshëm), si e bëri një verior që vrau dy vëllezër para 3 javësh dhe shkoi u dorëzua vet në polici. E ka ditur mirë dhe sigurisht ka vuajtur për atë se çfarë mendojnë dhe presin njerëzia nga ai. Sigurisht nga drejtësia e Berishës e vrasësit dora vetë, nuk kishte ç’të priste, kështu ky djalë i mirë trim vendosi ta vrasë apo ndëshkoi Berishën, Bashën e familjet e tyre indirekt duke vrarë veten. Ky arsyetim nuk është i një njeriu letrar e romantik.
Por i një eksperience personale të mjaftueshme për të interpretuar rastin në fjalë. Me keqardhje dhe dhimbje më vjen keq ta them që djali viktimë me gjasa është gabuar. Basha dhe Berisha janë i një brumi tjetër, shumë më tepër refraktarë, një brumë i veçantë vrastar. Ndoshta është me vend që ta ilustroj këtë me një rast të ndodhur në vitin 1982. Mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, djali i madh i tij, Vladimiri së bashku me gruan e tij, Bardha, dhe dy vajzat u transferuan me punë në Gramsh. Sigurisht jetonin të izoluar sipas orientimeve dhe nga presioni i fanatikëve. Sipas pohimeve të operativit, familja jetonte me ankth të madh megjithëse komshinjtë ruanin një farë respekti që s’mungonin t’ia shprehnin sipas rasteve. Ndryshe me fëmijët.
Fëmijët në mungesë të logjikës së pjekur bëhen shpesh shumë agresivë. Kështu ndodhte që vajzat vinin dhe të përgjakura në shtëpi nga rruga kur provonin të dilnin e të luanin me fëmijët e tjerë. Vladimiri si zgjidhje gjeti të niste të shoqen dhe dy vajzat në Tiranë te i ati Tano Shyti dhe vet qëndroi në Gramsh. Mbas disa kohësh u gjet i vdekur. Kishte gjetur si mënyrë vetëvrasjeje të lidhej me korrentin e shtëpisë mbasi kishte zëvendësuar telat e hollë të siguresave të shtëpisë me tela bakri 1mm të trashë dyfish. Vladimiri ishte inxhinier elektrik. Ai u gjet me dy duart e karbonizuara deri te bërrylat gjë që tregon se siguresat kishin funksionuar mirë. Vladimiri ishte djalë i zgjuar, i qetë, tipik midis tipit sanguin e atij flegmatik. Akti ishte i menduar plotësisht prej tij. Ai ishte shumë shok me fëmijët e Enverit, ai ishte si i shtëpisë te Hoxhatët. Dhe pikërisht atë e donte shumë Ai. Kjo dihej nga të gjithë. Vladimiri e ka vrarë veten pikërisht për të vrarë Enverin, hakmarrja tipike e të pafuqishmit. Ndryshe nga Saliu dhe Luli. Enveri, bile edhe Nexhmija e hekurt nuk e kaluan kollaj provën para të cilës i vuri vetëvrasja e Vladimirit. Në ato kohë tejet të trishtuara Nexhmija shpeshtoi vizitat nëpër familjet e Byrosë dhe përsëriste si në makth po të njëjtën shprehje: “Po ai Ladi ç’pati? Enveri s’kishte ndonjë gjë me atë.”… Tregues i thellë i një gjendje turbullie të madhe që s’e fshihte dot.
Enveri që nga vetëvrasja e Vladimirit bënte përditë shëtitjen tradicionale, por filloi të ndalej me minuta të tëra para shtëpisë së Mehmetit. Aq sa nga drejtuesi i sigurimit të udhëheqjes iu dha udhëzim rojeve që të bënin sikur nuk e shikonin kur qëndronte ashtu, i palëvizur, gati- gati sikur bënte homazhe përpara shtëpisë bosh të Mehmetit gjithnjë rreth orës pesë mbasdite. Vetëvrasja e Vladimirit agravoi në mënyrë fulminante diabetin, por sidomos ngarkesën psikologjike të tij dhe precipitoi fillimin e fundit të Enver Hoxhës e ai nuk e mori më veten asnjëherë. Ky ishte mendimi ynë konfidencial bazuar në të gjitha arsyetimet e rrethanave mjekësore e politike. Shkurt Vladimiri e pagoi me jetën e tij të re aktin e hakmarrjes por ama Enverin e plagosi shumë rëndë e, e dërgoi në vdekje para kohe. Dua të them se Enveri ishte një vrasës i madh por me sa duket ka gjithnjë më të këqinj siç na mësoi aktualiteti në 21 janar.
Pergezime per shkrimin Profesor. Nuk mendoj se ka pishmane nga keta te sotmit, per ate qe kane kryer. Kete fakt e verejme nga ngazellimi qe ata shprehin sa here kane kontakt me median. Nuk e di si veprojne kur jane me familjet e tyre,por gjithsesi nuk e besoj qe ti vrase ndergjegja. Shume i bukur shkrimi e sidomos fundi i tij. Respekte.