Sefer Pasha
Kabashi i Pukës me dekor malin e Krabit, të Tërbunit dhe të Munellës këto ditë marsi, udhëtarit i ngjan me një kala. Nuk kisha ardhur ndonjëherë në Kabash. Qysh aty ku ndan Qelësa me Kabash u takova me shumë malësorë. Dhe ashtu me takt i kam investuar. Një legjendë e jetuar më mbeti në mendje. Një kabashash kishte mërguar në Uashington. E kishte marrë malli për vatanin dhe erdhi për pak kohë në Kabash. U çmall dhe kur u kthye mori me vete shumë dhurata, sidomos qëndisma dhe gdhendje në dru. Por kabashasi ashtu kot më kot në xhepin e xhubletës mbështolli në një qese të lëkurtë dhe një grusht me lënde lisi. I mblodhi në lisat e malit të Krabit. Kur u kthye në Uashington, në tokën që e kishte blerë në periferi, i mbolli lëndet e lisit të sjella prej Kabashit. Lëndet e lisit hodhën rrënjë dhe mot pas moti filizat u rritën. Nisi të bëhej një pyll i vogël. Kur Kabashasi u plak e thërret të birin dhe ja lë amanet që kur të vdiste ta varrosnin në mes të lisave. Nën hijen e lisave të Kabashit të prehej. Dhe i biri kështu veproi. Më vonë dhe vet i biri bëri të njëjtën gjë. U varros pranë të atit, tek lisat e Kabashit. Dhe kështu vazhdon ky amanet.
Me metaforën e lisave të Kabashit në Uashington shkela në disa vise. Edhe pse kabashasit kanë mërguar drejt perëndimit andej nga paraardhësi mbolli lisat në Uashington, jeta në Kabash vazhdon. Emigrantët ndërtojnë vila. Ata që s’kanë mundur të largohen punojnë si qëmoti. Lufta në Ukrainë i ka tronditur si kudo. Sot bota është sa një fshat. Bombat që zbrazen mbi Kiev më duken sikur gjëmojnë në Bjeshkët e Tërbunit. Era që vjen prej andej kumbon. Mbaj vesh. Me kë më ngjajnë këta tinguj. Nuk është vërshëllima e erës së Tërbunit. Janë tingujt e vilolinës që transmetuan televizinet e botës nga bodrumi i Ukrainës. Edhe kabashasit u ngjethën nga ajo vajza e vogël që këndonte në bodrumin e Ukrainës, ku delte tym. Kabashi në jetë të jetëve ja ka thyer hundët armikut. Fantazmat e Serbisë nuk mungojnë as sot në këto male. Prej Kabashit Fjeti nuk duket. Por kënga jehon/Qesi djemsh që i ka Fjeti/ /S’i ka krali e s’i ka mbreti/ /S’i man toka e s’i man deti//Tan manxerre, manxerre mbreti//Kan nis luftën me Serbi/ /Dy mijë vet kan dal komit/.
Nagdo që shkoj më ndjekin këngët e pukjanëve dhe vargjet e Prendush Gegës, për të cilin ka folur dhe Ernest Koliqi, i cili në vitin 1942 ka thënë “Dhe tashti të vijmë tek tipi i tretë i këngëtarit, te poeti që krijoi kangëtoren e vet, që nuk këndon tjetër veçse këngët e krijmtarisë së tij. Në Kabash të Pukës jetonte deri para pak vjetësh poeti i malësisë, Prendush Gega, i përmendun që prej fushave të Kosovës deri në brigjet e Adriatikut”.
Kabashi është një perlë e turizmit malor. Para disa kohësh një turist nga Polonia qe mysafir në fshatin Meçe. U ngrit në mëngjes dhe po pinte kafen në ballkonin e vilës dy katëshe. U habit kur pa diellin në faqen e malit. Një mjegull ngjyrë hiri shërbente si perde në sfond. Turistit polak dielli ju duk si një kalorës që ecte për në betejë. Nuk kishte parë gjë më të bukur. Në ultësirat e Polonisë nuk ka pamje të tilla. Këtë mbresë kur u kthye ai e botoi në një nga gazetat kryesore të Varshavës.
E kam të pamundur ta bëj për vete Kabashin. Dikur motit ka qenë qytet i lashtë me shtrirje anës lumit të Gominës, me një gjatësi prej shtatë kilometrash. Për këtë flasin gjetjet arkeologjike. Kabashasit e ruajnë Kronin e Lekë Dukagjinit dhe vendin ku kanë qenë sarajet e tij. Është gjetur dhe një varkë që thuhet se e përdorte Leka. Ruhet gjithashtu dhe “Guri i Filxhanit”. Për to shfaqin interes turistët. Para pandemisë një turist çek në zallin e lumit të Gominës mori një bucelë që e kishte nxjerë lumi.
Kabshasit me të cilët bisedoj, më thonë se të parët e tyre ishin nga Kolonja. Gojëdhëna thotë se ata erdhën nga Kolonja dhe u vendosën rreth Kodrës së Kuvendit, që është dhe qendra e Kabashit. Dikur Kabashi quhej Pukë, e më vonë Shpal. Ndërsa me të ardhurit prej Kolonjës të Gjin Kabashit i gjithë Shpali u quajt Kabash. Këtë ma ka thënë dhe poeti nga Erseka, Dhori Qirjazi, kur e kam takuar në malin e Gramozit, në një takim të letrarëve të rinj. Kabash ka dhe në Ersekë. Poeti më thosh “se lëng stërlëngu” nga të parët e tij qenë përzënë nga andartët grekë dhe qenë vendosur në Kabash të Pukës. E kujtoj me dhimbje atë që më ka thënë poeti Dhori Qirjazi. Një motiv e mbaj si hajmali. Poeti kishte dëgjuar për Kabshin e Pukës ku kishin shkuar disa fise edhe nga të parët e tij. Dhe një ditë poeti i ri ishte ngjitur në majën e malit të Gramozit. Çukapeksi është maja më e lartë. 2523 metra. Dhe prej andej si romantik që ishte kishte zgjatur kokën për të parë malësinë e Kabashit. Vite më vonë kur kishte bërë emër, kishte shkuar në Pukë dhe në Kabash. Kabashasit e Kolonjës sollën prej andej dhe zakonet e visit të Gramozit ku kishin lindur. Tregojnë se kur kolonjarët e ardhur në stane zinin format e djathit me “sekretin” e farës së djathit, i bënin format e djathit të forta si guri. Kur e rrokullisnin formën e djathit në rudina, ajo sikur të ishte ortek, fluturonte në rrëpira e nuk shkërmoqej. Kolonjarët kur erdhën në Kabash me drurin e panjës dhe të lisit, ndërtonin sofra estetike për odat e burrave në kulla. Edhe sot në Kabash flitet për “Sofrat Kolonjare”.
Ulem në kafenenë në qendër të Kabashit. Malësorët që nuk më njohin më përshëndesin sikur të isha vendas me alegorinë e lashtë. Kamarieri më afron tavolinën më të preferuar. Kabashasit e kafenesë nisën të më tregojnë se Migjeni e ka dashur dhe është takuar me poetin Prendush Gega. Ai ka thënë se Prendush Gega “asht i humorit, ka një ironi të përsosun që të ven në lojë pa e kuptue”.
Edhe pse ka ardhur pranvera përsëri bën ftohtë. Në bjeshkë dhe në male ka borë. Në degën e një lisi këndon zogu i borës. Mua më duket sikur ai vajton. Është kënga e largimit të borës. Kënga e tij jehon kur në Kabash bien flokët e para të borës. Këtë vit thonë ata bilbilat do ta nisin këngën më vonë në Kabash. Bilbili instiktivisht e ndjen erën e luftës. Le të jetë larg Ukraina. Mbase kur të nis këngën bilbili do të ketë mbaruar e marra luftë.
Duke kaluar mes për mes fshatit Meçe, në një avlli dikush këndon me çifteli. Kështu ka qenë qyshkur zakoni i moçëm. “Shtëpi e lahutë”. Kënga ka gjëmuar mbi kubenë qiellore të Kabashit. Kabashsit në festa, gosti, në dasma, në mal e luginë këndojnë “kajken përpjetë”. Nuk kanë munguar as vajet e grave dhe gjamat e burrave. Edhe sot kabashasit i bien fyellit, zamares, lahutës dhe çiftelisë. Ndaloi dhe i dëgjoj vargjet e këngës/Vin pes krajlat nëpër det/ /Vin pes krajlat që çoi Evropa/ /Dajn Shqipnin copa – copa/. Kënga është shkruar nga poeti i Kabshit Prendush Gega. Ai është nga fshati Bicaj, dikur lagje e Kabashit. Kënga më vë në mendime. Kur poeti e ka krijuar këtë këngë ka qenë tjetër kohë. Edhe Europa nuk është ajo e para. Për t’u futur në Europë luftojnë dhe kabashasit. “Koha rrjedh nga ardhmëria” thotë Borgesi. Qysh në hasjen e parë, me një shikim, këtu njihesh me kabashasin si simbol i njeriut, i besimit dhe i arsyes. Kabashi është vend kreshnikësh, zanash, vitash dhe dragojsh. Edhe sot kudo që rron kabashasi i mban si stoli veshjet e qëmotëshme. Burrat veshjet me tirq, gunë e tallagan, kurse gratë mbajnë pështjellak, xhubletën e për në kokë mbulesa të leshta kupolë e rubë me thekë.
