Vetingu, kjo gozhdë e Nastradinit në trupin e Drejtësisë

Dita

Vetingu, më shumë si zgjidhje, doli në skenë, si një mënyrë zvarritjeje të reformës së Drejtësisë. Kësisoj duket se ka mbetur si gozhda e fundit e Nastradinit. Opozita nuk e pranon Vetingun me justifikimin se prek sovranitetin. Ndërsa shqiptarët e thjeshtë që me ato pak të ardhura mezi sigurojnë bukën thatë për fëmijët, pyesin: për çfarë sovraniteti bëhet fjalë? Ne e dimë se hapësirën ajrore na e ruajnë të tjerët, po ashtu edhe hapësirën ujore. Gjithë shqiptarët po të munden largohen brenda ditës prej këtij vendi.

Në nivelin ku ndodhet Shqipëria është e çuditshme të flasësh për sovranitet. Të paktën jo nga kjo klasë idiote politike që na ka rënë në hise.

Kësisoj kjo reformë mund të shtyhet drejt kalendës greke. Klasa jonë politike e zhytur deri në brez me llumin e pafund të mashtrimeve e plaçkitjes, kërkon t’i shpëtojë drejtësisë duke mbajtur në atë karrige monstra që i polli barku i llumosur i plazhit të Durrësit në verën e vitit 1992. Për shqiptarët nuk është shqetësim prekja e sovranitetit, por zvarritja e reformës së drejtësisë. Për të startuar drejtësinë në këtë vend, kërkohet të paktën, kësaj klase politike të mos i lihet gjë të zgjedhë. Është budallallëk me brirë t’i lëmë edhe më tej “vende të rezervuara” kësaj klase politike që nuk la gjë pa shkatërruar në këtë vend.

Tashmë jemi mësuar me hapat false që na imponon klasa jonë politike. Në çdo hap të jetës e në çdo sektor. Bile edhe në sektorin e arsimit, ku gjithçka ka marrë rrokopujën. Më e çuditshme është rrokopuja që ka marrë sindikalizmi, krerët e së cilit tashmë janë kthyer në mbretër të përjetshëm, bile mbretër edhe të botës së përtejme. Sepse kemi presidentë edhe 86 vjeçarë. Ndërsa asnjë sindikatë nuk ka bërë të paktën një zgjedhje prej 26 vjetësh. Sindikatat janë kthyer në monstra plaçkitësish të punëtorëve e të papunëve. Sepse askush nuk u thotë gjë.

E sot në Shqipëri nuk kemi drejtësi, nuk kemi një administratë normale, nuk kemi asgjë normale. Ndaj të zvarrisësh pa kufi një reformë që mund të ndryshojë shumëçka në Shqipëri është paturpësi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *