Karriera prej dy dekadash e gjyqtarit Selimi në sistemin e drejtësisë duket se u mbyll mëngjesin e të hënës më 30 korrik 2018 me shkarkimin e tij nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me argumentin se është “i papërshtatshëm” për shkak të një serie lidhjesh me elementë të krimit të organizuar.
Selimi, 44 vjeç, u diplomua si magjistrat në vitin 2000 sipas CV-së zyrtare dhe ka punuar si gjyqtar për më shumë se një dekadë në Vlorë. Ai ishte gjyqtar i lartë që nga viti 2011 dhe iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës prioritare për shkak të postit si anëtar i Gjykatës së Lartë.
Në rastin e Selimit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk u përqendrua te pasuria por te raportet, sipas KPK “të siguruara nga brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e gjyqtarit me organizata kriminale”.
Agjencia BIRN shkruan se “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili po asiston Shqipërinë në procesin e vetingut ndërhyri në proces duke ofruar informacion të marrë nga shërbime të huaja të inteligjencës sipas të cilit gjyqtari ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejt Italisë të shtetasit Arben Isufaj, i cili është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”
Sipas ONM-së në vitet 2010-2012 subjekti ka përdorur një makinë në emër të shtetasit A.Sh, i cili është dhe shoferi i Arben Isufajt – i njohur gjithashtu si Ben Qimja. Subjekti sipas KPK-së ka pasur kontakte të papërshtatshme me Arben Isufajn, i cilësuar si anëtar i krimit të organizuar – shkruan BIRN.
Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionit shqiptar që përpunon të dhënat sekrete të shtetit, e ka cilësuar gjyqtarin Selimi si të ‘papërshtatshëm’.
Gjyqtari Selimi u paraqit me protestë në seancën dëgjimore të zhvilluar më 27 korrik duke kërkuar pezullimin e procesit dhe hetim të një rrjedhjeje informacioni sekret në media. Bëhet fjalë për një përgjim telefonik të publikuar nga Top Channel.
Ky i fundit e ka sulmuar gjyqtarin fort gjatë gjithë javëve të fundit.
Kanali nuk e tha kurrë në kronikat e tij, por Selimi ishte një nga gjykatësit që duhej të shqyrtonte në Gjykatën e Lartë, procesin mes ortakëve të Top Channel.
Selimi e braktisi seancën duke e cilësuar procesin të kompromentuar.
Megjithëse është gjykatësi që ka dhënë disa dënime me burgime të përjetshme për elementë të njohur të krimit në vend, kjo nuk mjaftoi të shmangej vendimi i shkarkimit të tij këtë të hënë, 30 korrik 2018.
Nga Gjykata e Lartë kanë mbetur edhe dy anëtarë pa kaluar procesin e vetingut, i cili ka shkarkuar deri tani katër dhe ka kaluar tre.
b.m. / dita

Kryetari i gjykates i ndershem, vartesit e tij t korruptum
Sikur mban pak ere kjo pune
T gjithe.ne Strasburg i ke keta.
Dhe do kthehen si Lul Basha me nje fature miliona euro qe duhet paguar