Vetingu në Polici, komisionet e përkohshme zëvendësohen nga SHÇBA

DITA Online

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar këtë të hënë propozimin e Ministrisë së Brendshme, për shtyrjen e afatit të Vettingut në Polici, Gardë dhe Shërbimet e Brendshme, ndërsa Trupa e Brendshme, të zëvendësohet nga SHÇBA (Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave).

Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ky ndryshim ligjor nuk sjell ndryshim substancial në vettingun që do i bëhet 13 mijë efektivëve, mes të cilëve rreth 300 drejtues policie.

Deputeti socialist Pjerin Ndreu është shprehur se Garda e Republikës duhet të ishte përjashtuar nga Vettingu. “Unë mendoj se Garda duhet të përjashtohet nga kjo skemë e vettingut. Garda ka një rol të shërbimeve statike kryesisht të personaliteteve të larta të shtetit dhe të homologëve që vijnë. Ndërsa policia ka tjetër pozicion dhe unë mendoj se duhet të ndahen” tha Ndreu.

Ndërsa Myslim Murrizi, demokrati që u përjashtua nga PD-ja, u shpreh se vettingun në polici mund ta bënte shumë SHÇBA-ja nëse do të ishte lënë që të punonte pa presion dhe të mos përdorej si kamxhik. “Duhet të jemi më të hapur. Vettingu erdhi si pasojë e delirit të atij që ju vendosët ministër pas kampionit. Ne kemi SHÇBA-në, por nuk është lënë dhe është përdorur si kamxhik” tha ai.

Stafi i përzgjedhur nuk do të kalojë në filtër vetëm drejtuesit e policisë së shtetit por edhe drejtuesit dhe anëtarët e Gardës së Republikës si dhe stafin e shërbimit të brendshëm dhe ankesave në polici. Ndërsa Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, do të shqyrtojë dosjet e nivelit të mesëm dhe atij bazë të policisë. Vettingu i drejtuesve të lartë, pritet të përfundojë brenda një periudhe 12 mujore, ndërsa në dispozicion do të jenë 5 trupa vlerësimi.

v.l/ Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *