Një ditë pas ultimatumit të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për mbajtjen pezull të negociatave deri në depozitimin e garancisë së kontratës, kompania “Vetro Energy” ka njoftuar sot se është e gatshme të paguajë 20 për qindëshin e garancisë.
Vetro Energy thotë se është e gatshme ta shlyejë garancinë prej 20 për qind të ofertës, me të cilën fitoi tenderin për blerjen e kompanisë së naftës, Albpetrol. Vetro Enrgy thotë se do të paguajë 20 për qind të 850 milionë eurove, ndërsa shtoi se garancia në fjalë do të derdhet pas nënshkrimit të një kontrate formale të firmosur nga të dy palët. Ndërkohë, Vetro kërkon nga qeveria një sërë dokumentesh dhe thotë se shpreson që negociatat komplekse të mbyllen shpejt.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria një numër dokumentesh të lidhura më privatizimin. Nga ana e saj, Qeveria ka kërkuar një garanci kontrate, të cilën Vetro Energy do ta japë brenda pak ditësh. Këto janë negociata komplekse dhe ka shumë detaje për t’u mbuluar. Gjithsesi, unë kam besim se së bashku me Qeverinë do të finalizojmë negociatat së shpejti dhe do të arrijmë në një përfundim të suksesshëm të transaksionit”, tha Rezart Taçi, aksioneri kryesor i Vetro Energy. .
Vetro Energy fitoi tenderin për blerjen e kompanisë së naftës Albpetrol në shtator.