Vettingu, 500 policë dorëhiqen nga detyra

Leda Hysa

 

Kur na ndajnë vetëm 6 ditë nga afati i dorëzimit të formularit të vettingut në polici mësohet se rreth 500 efektivë do të dorëzojnë kërkesën për lirim.

Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme, 8 mijë efektivë kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Por burime nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit thonë për Report Tv se 500 punonjës policie nuk do dorëzojnë formularët, nisur nga një nen i ligjit të Vettingut, i cili i lejon ata të japin dorëheqje dhe për rrjedhojë verifikimi për ta ndërpritet.

Punonjësit e policisë largohen nga detyra dhe nuk i nënshtrohen as kontrollit të pasurisë dhe as anës profesionale. E njëjta formulë si me Vettingun në drejtësi kur disa gjyqtarë dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u larguan nga sistemi.

Afati i fundit për t’u larguar nga Policia e Shtetit, njësoj si për ata që duhet të dorëzojnë formularin e Vettingut, është data 7 maj. Pas kësaj date, të gjithë punonjësit e policisë do t’i nënshtrohen kontrollit për pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Mësohet se janë edhe Drejtues të lartë të Policisë, ish-drejtues në qarqe, të cilët do japin dorëheqje nga Policia e Shtetit për t’i shpëtuar verifikimit të figurës, kontrollit të pasurive dhe vlerësimit të aftësive profesionale. Ky vendim i efektivëve vjen edhe për të përfituar pagesën kalimtare, apo pensionin suplementar për ata që kanë më shumë se 15 vite pune.

Vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se Vettingu në Policinë e Shtetit nuk synon fshesën në polici por identifikimin e elementëve të inkriminuar, ata të cilët kanë bashkëpunuar me kontigjente kriminale dhe nuk përmbushin kriterin profesional.

l.h/ dita

Share This Article
2 Comments
  • Mire do bejen keta 500 police qe do ikijn vete, por ama ta dine se jane te regjistruar qe kane mizen ne kesule dhe puna do vazhdoje me vone me ta. Ky nen i djallezuar per ta lene vete detyren, eshte: pohojne me gojen e tyre se kush jane dhe pastaj e dine se ku do qendrojne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *