Vetingu, Boldnews merr në analizë rastin Cama: U shkarkua për një informacion të paprovuar

Leda Hysa

 

Prokurori i shkallës së parë në Tiranë, Adriatik Cama, u shkarkua nga detyra të Enjten pasi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, siç raportoi, ka konkluduar se ai ishte përfshirë në një rast korrupsioni në vitin 2005, kur ishte drejtues i Prokurorisë së Lushnjes.

Në bazë të këtij informacioni, të përcjellë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Cama ka marrë para nga familjarë të një të arrestuari për të pushuar një hetim të nisur.

Po sipas Vetingut, Cama, në cilësinë e drejtuesit, zëvendësoi prokuroren që e kishte këtë çështje, duke ia kaluar një prokurori tjetër, i cili vendosi pushimin e hetimit.

Por portali Boldnews shkruan se “ky vendim pushimi më tej është shfuqizuar nga Prokuroria e Përgjithshme, por Komisioni i Vetingut nuk dha asnjë informacion se si kishte vijuar më tej kjo çështje”.

Referuar këtij rasti, Komisioni i Vetingut e rrëzoi prokurorin Cama në dy kritere të rivlerësimit, në atë të “integritetit personale” dhe të “aftësive personale”. Gjithashtu, Komisioni i Vetingut gjeti edhe pasaktësi në deklarimin e pasurisë, të cilat ishin në rendin e rreth 3-4 milionë lekësh të vjetra, një shumë jo shumë domethënëse për një zyrtar publik me mbi 20 vjet karrierë.

Prokurori Adriatik Cama kundërshtoi gjetjet e Komisionit të Vetingut, duke kërkuar që të përballej në seancë me faktet dhe me personin që e ka denoncuar për mitmarrje në vitin 2005.

Boldnews shkruan se “kjo kërkesë e tij u rrëzua nga Komisioni i Vetingut, duke i hequr të drejtën subjektit të rivlerësimit për të pasur një proces të rregullt ligjor dhe për të pasur barazi armësh në gjykim, sipas terminologjisë përkatëse”

“Në këtë mënyrë, Komisioni i Vetingut shkeli një prej normave më të rëndësishme, të mbrojtura nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, ajo që i njeh të drejtën çdo individi për të pasur një proces të rregullt ligjor” – shkruan portali në fjalë.

Sipas analizës që i ka bërë rastit ky portal, “kjo është një çështje proceduriale dhe parimore, mos-respektimi i të cilës mund të rikthejë të gjithë procesin e vetingut të prokurorit Adriatik Cama në pikën zero”.

Analiza e komenton shlarkimin e Camës “në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut” pasi si thekson portali “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi të pranonte kërkesën e prokurorit Adriatik Cama për t’u përballur me provat kundër tij dhe me denoncuesin që pretendon se ai ka marrë para korrupsioni në vitin 2005”.

“Pra, praktikisht prokurori Adriatik Cama u shkarkua pa e ditur se çfarë provash konkrete ka ndaj tij. Në mungesë të vendimit të zbardhur, është e pamundur që të analizohen argumentat e Komisionit të Vetingut në këtë rast dhe saktësia e informacionit, por ajo që është e dukshme është fakti që komisionerët kanë shkelur në mënyrë flagrante procedurat ligjore, gjë e cila e bën vendimmarrjen e tyre lehtësisht të cënueshme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe, më tej, në Gjykatën e Strasburgut” – shkruan Boldnews.

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *