Xhevdet Shehu
Tashmë jemi më të qartë me atë çfarë pritet të ketë në fletën e votimit në 23 qershor. Fiks dy muaj para zgjedhjeve janë përcaktuar koalicionet e dy kampeve të mëdha të politikës. Nënshkrimi dje në Shkodër i marrëveshjes midis PS-së dhe LSI-së i dha formën përfundimtare aleancës së majtë që u quajt “Aleanca për Shqipërinë E uropiane”. Përveç dy partive të majta, në këtë Aleancë konfirmuan dje pjesëmarrjen edhe parti të tjera të njohura dhe me përvojë gjatë viteve të tranzicionit. Për ata që njohin hartën elektorale dhe sistemin, bashkimet e djeshme, së paku matematikisht garantojnë një fitore pa probleme të opozitës së majtë shqiptare në 23 qershor. Nga ana tjetër, dje PD me anë të Ridvan Bodes bëri apelin e fundit për bashkimin e forcave të djathta në një koalicion. Ndër emrat e përmendur si aleatë të Berishës dolën edhe Xhuveli i agraro-ambjentalistëve dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së, edhe këta persona që janë në politikë me shkak votat e majta. Berisha mbahet si njeriu që bën çudira, që me fjalë e me dhunë kthen humbjet në fitore, pa pyetur shumë për ligje e për logjikë. A ka shanse të përsërisë të njëjtën
gjë më 23 qershor? Duket përditë e më e pamundur Së pari, “gjeli” i koalicionit të djathtë ndodhet aktualisht në kulmin e venitjes së tij. I janë shterrur argumentat e premtimet, bota i ka kthyer shpinën, fushata është pa pikë fantazie. Miss Laura ka mbetur te
“pallati i Lindës”. Së dyti, është fakt i njohur që PD nuk ka fituar ndonjëherë votën e shumicës së shqiptarëve me përjashtim të vitit 1992, kur nuk bëhej fjalë fare për votime. Të gjitha fitoret e saj kanë qenë histori dezertimesh e trafiku votash nga e majta. Aktualisht qeveria është e rrëzuar, po të mos ishin tri votat e atyre 3 të majtëve në Kuvend, Islami, Dogjani e Kaceli Këtë herë koalicioni parazgjedhor i majtë thjesht ka çuar hakën te i zoti. Koalicioni që ka përballë është më i madhi, më i organizuari dhe më i konsoliduari në historinë e së majtës. Së treti, ajo që ndodhi dhe po ndodh me KQZ-në e bën edhe më të zymtë të ardhmen e afërt për PD-në. Ishte kjo sfida e fundit që Berisha u bëri ndërkombëtarëve, të cilët e paralajmëruan të mos e hidhte atë hap. Gjysma e KQZ-së së mbetur nuk jep asnjë shpresë për Berishën. Për më tepër, burime të besueshme bëjnë me dije se shembulli I dorëheqjes së tre anëtarëve të KQZ-së, mund të “shtrihet” me anëtarë të kabinetit të Berishës, në rast se ky i fundit nuk ndryshon qëndrim. Ai që bëri shtëmbën, do t’i veje edhe vegjën. Së katërti, mundësitë për manipulimet e përhershme janë minimizuar dukshëm. Shqipëria është jashtëzakonisht e monitoruar
këtë herë, ndërsa zgjedhjet e 23 qershorit janë konsideruar si një test shumë i forte për këtë klasë politike dhe sidomos për vetë Berishën. Gjeli nuk do mundet të bëjë
vezë këtë here.
***
Pika 5 e marrëveshjes PS-LSI: Deputetët që do bëhen ministra dorëzojnë mandatin
Pakti i djeshem mes PS dhe LSI permbante 15 pika shkurtimisht.Një ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjes ështe edhe ajo e ndarjes së Qeverisë nga Parlamenti. Tekstualisht kjo pike thoshte:
“…Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”.
Sipas burimeve brenda dy partive, kjo do te thote qe deputetët nuk do të jenë ministra, çka nënkupton që edhe nëse zgjidhen në Kuvend do të japin dorëheqjen pas emërimit në kabinetin qeveritar.
