Në Itali janë të sigurt, Arturo Vidal në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Mançester Junajtid. Ndonëse lojtari ndodhet me Juventusin në turneun aziatik të kampionëve të Italisë, mediat italiane theksojnë se marrëveshja mes tij dhe Mançester Junajtidit mund të jetë një fakt i kryer. Ka qenë gazeta e Torinos “La Stampa” që ka bërë me dije një lajm të tillë që ka shtuar dhe më shumë mjegullën që po rrethon të ardhmen e mesfushorit kilianin të bardhezinjve. Juventusi vetëm pak ditë më parë pat bërë me dije se Vidal nuk kishte kërkuar ndonjëherë largimin nga Torino. Kësaj iu shtua dhe vetë deklarata e mesfushorit, i cili deklaroi vetëm pak ditë më parë se ndihej i lumtur në Torino dhe nuk kishte planifikuar të largohej nga kampionët e Italisë. Por nuk mendojnë kështu gazetat italiane. Sipas tyre marrëveshja është arritur.
Kontrata – Jo vetëm kaq, por gazeta “La Stampa” ka shkuar dhe më larg duke bërë me dije se Vidal ka një marrëveshje paraprake me Mançesterin për një kontratë 5 vjeçare me “Djajtë e kuq”. Për ta vërtetuar këtë gazeta italiane ka dhënë deh detaje nga pagesa e Vidalit, i cili pritet të përfitojë rreth 230 mijë euro në javë, duke u bërë kështu ndër lojtarët më të paguar në Premier Ligë. Arturo Vidal pritet t’i kushtojë rreth 60 milionë euro Juventusit
Problemet me dëmtimin – Por si gjithnjë kur flitet me shumë marramendëse ka dhe një por nga prapa. Dhe në rastin e kilianit Vidal ka më shumë se një dyshim. Vetë trajneri i Kilit, Horge Sampaoli ka deklaruar se Mançester Junajtid është i merakosur për dëmtimin e pësuar në gju nga mesfushori dhe kjo ka bërë që britanikët të stepen disi përpara se të shpenzojnë një shumë prej 60 milionë eurosh. Kjo përforcohet më shumë edhe nga vetë mediat britanike, që kanë bërë me dije se van Gal e do në ekip Vidalin, por urdhri i tij ka qenë i prerë. Kiliani mund t’i bashkohet ekipit të tij vetëm nëse kalon 100% testet mjekësore. Nuk do të ketë një firmë në kontratë pa u marrë më parë një dritë jeshile nga stafi mjekësor i Mançesterit. Arturo Vidal ka pësuar një dëmtim në gju prej muajsh dhe ende nuk ka mundur të riaftësohet plotësisht.