Një tjetër stuhi rëre është përplasur mbi Irak të hënën, duke bërë që të mbyllen aeroporte, shkolla, universitete dhe zyrat e administratës civile në vend.
Kjo është stuhia e tetë e rërës që nga mesi i prillit që godet irakun, vend ky i shënjuar nga degradimi i tokës, thatësirat e mëdha dhe reshjet e pakta të shiut, si pasojë e ndryshimeve të klimës.
Më i fundit, më herët këtë muaj, çoi në vdekjen e një personi ndërsa 5 mijë të tjerë u shtruan në spital me probleme frymëmarrjeje. Të hënën një re e dendur pluhuri mbështolli kryeqytetin Bagdad nën një shtresë ngjyrë portokalli, por edhe shumë qytete të tjera të vendit.
Rëra e verdhë dhe portokalli mbuloi çatitë e shtëpive, makinat e madje hyri edhe brenda nëpër shtëpi. Ajo e reduktoi në mënyrë drastike shikueshmërinë në vetëm 300 metra në aeroportin e Bagdadit duke bërë që autoritetet të mbyllin hapësirën ajrore dhe të ndalin fluturimet.
Autoritetet në 18 provinca të irakut urdhëruan zyrat publike të qëndrojnë të mbyllura. Ata kanë paralajmëruar njerëzit, veçanërisht të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbajnë mbyllur dyert e dritaret.
j.l./ dita
