VIDEO / Si do transformohet qendra e Prrenjasit

Dita

Brenda një kohe të shkurtër, qendra e qytetit të Prrenjasit do të transformohet tërësisht.

Bashkia e Prrenjasit po vijon punën intensive për rehabilitimin e kësaj zone, një investim i cili i mungonte prej vitesh qytetit, duke shënuar një tjetër premtim të mbajtur për banorët.

E pranishme në inspektimin e punimeve ishte dhe kryetarja e Bashkisë Prrenjas, zonja Miranda Rira, e cila theksoi se investimi kap shifrat e 720 milionë lekëve të vjetër. “Ky projekt zbatohet në kuadër të rivitalizimit të qendrës së qytetit. Është një projekt me vlerë rreth 72 milionë lekë të rinj. Ka rreth dy muaj që kanë filluar punimet dhe deri më tani është kryer 25% e punimeve. Qendra e re e qytetit, ose e Bashkisë së Prrenjasit është konceptuar si një oaz i blertë, me hapësira të gjelbra, për brezin e tretë, për fëmijët, për qytetarët dhe ndaj mezi pres që ky projekt të marrë pamjen e tij finale dhe realisht të gjithë banorët ta shijojnë atë si një nga bukuritë e qytetit të Prrenjasit”, tha znj. Rira.

Kryetarja e Bashkisë vlerësoi se për hartimin ekëtij projekti sipas vlerave më të mira Europiane, është marrë më parë edhe dakordësia e banorëve dhe këshillit bashkiak. “Kemi pasur disa diskutime në lidhje me vendin ku kemi përcaktuar qendrën e re të Bashkisë së Prrenjasit. Kjo hapësirë është rreth 6.000 metra katrorë, e cila na lejon që ky projekt të jetë i vlerave Europiane. Për këtë projekt kemi marrë dakordësinë e banorëve dhe të këshillit bashkiak”, sqaroi znj. Rira.

Kryebashkiakja e Prrenjasit ka menduar edhe për fushën e futbollit të cilën do ta zhvendosë në pjesën periferike të qytetit. “Vendosëm që fusha e futbollit të zhvendoset në periferi të qytetit, në mënyrë që këto 6.000 metra katrorë t’i shërbejnë edhe komunitetit dhe jo vetëm sportit. Meqenëse Prrenjasi nuk ka pasur ndonjëherë qendër në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, kjo qendër të shërbejë për të dhënë trajtën e vërtetë të gjitha Bashkisë së madhe të Prrenjasit. Të gjithë do të kenë mundësinë ku të shëtisin, të relaksohem apo thjesht të pinë një kafe e gjithashtu të kenë një qendër për aktivitete social-kulturore etj”, u shpreh ndër të tjera kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira. Projekti për rivitalizimin e qëndrës së qytetit krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik, ku parashikohet ndërtimi i një sërë hapësirash multifunksionale, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.

Share This Article
1 Comment
  • Nje nostalgji e vecante per ish Teknikumin e Minierave dhe Gjeologjise se Prrenjasit, kesaj shkolle te mrekullueshme, ku dolen qindra e qindra specialiste ne sektoret e Gjeologjise, Minierave dhe Markshejderise!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *