Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë, arrest me burg për Anjeza Shabanin, administratoren e kopshtit privat “Diren”.
33 – vjeçarja akuzohet për veprat penale keqtrajtim i të miturve dhe shpërdorim detyre.
Në momentin kur u fut në sallën e gjyqit, ajo pati një komunikim të shkurtër me babain, i cili i tha “bëhu e fortë”.
Shabani u arrestua në orët e vona të së hënës, pas videoskandalit, ku ajo shfaqej duke dhunuar barbarisht një fëmijë 3 – vjeçar. Denoncimi u bë nga babai i të miturit, pas dyshimeve se i biri dhunohej, për shkak të shenjave të herë pas herëshme që i vogli kishte në trup.
Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, Shabani pranoi dhunën ndaj të miturit, por tha se e kishte qëlluar vetëm herën që ishte regjistruar në kamera. Por edukatoret e kopshtit, që po ndiqen në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se dhuna ndaj 3 – vjeçarit ka qënë e përsëritur.
Në dëshmitë e tyre ato thanë se ka patur dhunë verbale edhe ndaj fëmijëve të tjerë. /KLAN
