Videoja e seksit, Prokuroria: Nuk gjendej në lap-topin e Dritan Priftit

anazapta

Videoja me pamjet intime të ish-ministrit Dritan Prifti, pjesë nga e cila u bënë publike tri ditë më parë, nuk është nxjerrë nga kompjuteri që ai ka dorëzuar në Prokurori, në vitin 2011.

Burime të grupit të hetimit në Prokurorinë e Tiranës, që kanë hetuar dosjen “Prifti- Beqiraj”, në vitin 2011, thanë dje se nuk kishin pasur dijeni për një video të tillë deri tri ditë më parë.

Në atë kohë, për efekt të hetimeve, i është kërkuar shtetasit Dritan Prifti që të dorëzonte kompjuterin laptop të markës ‘Dell’ dhe orën-kamera së bashku me një USB, pasi pretendonte se aty ndodhej materiali filmik në lidhje me shtetasin Ilir Meta”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, ka qenë vetë Dritan Prifti që me vullnetin e tij është paraqitur në Prokurori dhe pasi ka dhënë shpjegimet e tij, ka dorëzuar laptopin, orën-kamera dhe USB-në.

Dorëzimi i pajisjeve në fjalë është bërë me procesverbal ku është përshkruar gjithçka”, thanë hetuesit. Sipas tyre, këto pajisje janë ekspertuar njëherë në Shqipëri dhe më pas iu dorëzuan një specialisti amerikan.

Marrja në dorëzim e laptopit, USB-së dhe orës-kamera nga eksperti amerikan është bërë me procesverbalin përkatës që është në dosje edhe sot”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, specialisti amerikan dorëzoi me procesverbal videon e zotit Meta dhe pamjet filmike të rikuperuara (pasi ishin fshirë), ku ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, numëronte rreth 70 mijë euro me zëvendësministrin Leonard Beqiraj.

Sipas Prokurorisë, eksperti amerikan arriti që të rikuperonte nga memoria e laptopit të Dritan Priftit, veç pamjeve filmike ku ndodhej Meta, edhe një video tjetër për të cilën Dritan Prifti nuk kishte folur.

Fjala ishte për një video të filmuar në shtëpinë e Dritan Priftit ku ai numëronte rreth 70 mijë euro me ish-zëvendësministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiraj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *