Zëvendës ministri i shëndetësisë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Asim Musa ka dhënë të martën dorëheqjen nga posti që mbante, pasi një natë më parë u shfaq në emisionin investigativ Fiks Fare, ku negocionte me disa individë rreth një operacioni që duhej kryer kundrejt një çmimi prej një mijë eurosh.
Zoti Musa shfaqet në video duke shpjeguar çmimet për shtetas të huaj që do të paguanin në spitalin e qytetit të Strugës, ku ai më parë kishte qenë drejtor dhe vazhdonte të ushtronte profesionin e mjekut – kirurg.
Zoti Musa në fillim refuzon, siç duket në video-regjistrim, të pranojë paradhënien e ofruar, por në fund pranon një banknotë prej pesëdhjetë eurosh “për kafe”, siç dëgjohet duke thënë ai vetë.
Zëvendësministri Musa në një konferencë për median tha se do të japë dorëheqje nga posti ndërkohë që e quajti “grackë për qëllime spektakli” atë që i kishin bërë bashkëpunëtorët e emisionit.
Musa deklaroi:
“23 vite rrjesht jam në shërbim të qytetarëve, jo vetëm të vendit tonë por edhe më gjerë. Me ndershmëri dhe përkushtim. Shpesh nuk kam kursyer as rehatinë familjare për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Fatkeqësisht, përpjekja ime për t’iu ndihmuar qytetarëve u shndërrua në grackë për spektakël inekzistent mediatik me qëllim të dëmtimit të figurës, personalitetit tim dhe punës sime profesionale. Unë e njoftoj “pacientin” se ndërhyrja për qytetarët e huaj pa siguracion shëndetësor në vendin tonë është private dhe e njoftoj për koston e mundshme të shërbimit shëndetësor për të gjithë procedurën. Ndërsa këta “pacientë” vazhdimisht përpiqeshin të krijojnin kurth me çfarëdo forme të mundshme, siç e shikoni në video”.
Sipas burimeve pranë emisionit në fjalë, kanë qenë disa qytetarë të cilët i janë drejtuar emisionit investigativ duke akuzuar Asim Musën për kryerje operacionesh kundrejt ryshfetit, ndonëse mban postin e zëvendës-ministrit.
Klinika e Nefrologjisë në Strugë ku ka qenë i angazhuar doktor Musa nuk është prononcuar në lidhje me çmimet që një shtetasi të huaj do t’i duhej të paguante për një operacion të caktuar apo për kontrollet mjekësore, duke thënë se për t’iu përgjigjur pyetjeve nevojitej leje nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe u shpreh se gjithkund ka ndëshkime për vepra të tilla dhe se ministria është përpjekur që t’i stimulojë mjekët përmes rritjes së pagave për shmangien e korrupsionit.
Prokuroria në Strugë ka hapur hetimet për Musën dhe është shprehur se përmes bashkëpunimit ndërkombëtar do të kërkojë regjistrimet origjinale, teksa do të merret në pyetje edhe vetë doktori.
Bashkimi Demokratik për Integrim, partia ku bën pjesë zëvendësministri i Shëndetësisë e ka përshëndetur vendimin e tij për dorëheqje. Deputeti Artan Grubi është shprehur për median se “përkushtimi i partisë është i pakompromis në luftën kundër korrupsionit”.
Aleanca për Shqiptarët, ndërkohë, përveç përgegjësisë morale kërkon edhe përgjegjësi ligjore në lidhje me rastin e Asim Musës.
Korrupsioni në shëndetësi dhe në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut është një çështje shqetësuese që jo rrallë e kanë ngritur edhe organizata ndërkombëtare. Po ashtu, një nga kapitujt e bisedimeve për integrimn e vendit në Bashkimin Evropian është pikërisht lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit./ VoA
e.ll./dita

Edhe kjo tregon kulture politike.A e kishte bere nje shqiptar i shqiperise kete ?perkundrazi do thoshte eshte video e montuar!shikoni pra ndryshimin!Atehere pse kerkojne hajdutet dhe te korruptuarit e shqiperise te hyjne ne evrope?
“A e kishte bere nje shqiptar i shqiperise kete ?”
sigurisht që jo!
dhe kjo jo ka arsyet e veta!!
këtu tek ne,nuk e di për maqedoninë,kemi një sistem korruptiv dhe jo njerëz të korruptuar!!
ndryshimi qëndron se kur kapet njeriu i korruptuar ai dënohet,pra si fillim largohet nga grupi dhe në vazhdim vepron ligji!!
në sistemin korruptiv kemi një ndryshim të vogël!
heqja e një tulle,guri,kapja e një të korruptuari,bën që të lëkunden themelet e sistemit!!
prandaj pranimi i krimit është i vështirë!!si nga lart poshtë ashtu dhe nga poshtë lartë!!
personi nuk e pranon,grupi e mbron!!po u këput hallka!?shkatërrohet grupi!!humbet fitimi,i pret burgu!!
Lamash shqiptar. Dhe duke e ditur stigmen e shemtuar qe kemi ne kurriz, dhe duke qen i vetedijshem per poziten diskriminuese te shqiptareve ne Maqedoni, ky palaco vete e zhytet me disckreditim total.
Plera pa dinjitet