Vidhet një tjetër kishë në jug të vendit. Kisha 300-vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë është vjedhur një javë më parë, ndërsa lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga Gentian Stratobërdha, arkitekt, restaurator dhe drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për “Gazetën Shqiptare”. Keqbërësit kanë marrë në këtë objekt 9 kolona të ikonostasit të shekullit të XVIII.
Stratobërdha thotë se objekti është monument kulture, ndërsa sqaron se elemente të rëndësishme të dekoracionit të brendshëm të saj, janë ikonostasi prej druri të gdhendur dhe tavani. Eksperti thotë se në këtë kishë, gjendej një ndër të paktët ikonostase origjinale, i realizuar në shekullin e 18-të, i gdhendur thellë, dhe i restauruar së bashku me kishën disa vite më parë. Vjedhja është konstatuar nga banorët e zonës, pasi kanë shkuar në mëngjes dhe kanë gjetur derën hapur. Ata thonë se vjedhje është bërë për arsye përfitimi, pasi kolonat janë çmontuar në mënyrë të kujdesshme, si duket për t’u shitur në tregun e zi.
Stratobërdha sqaron se ikonat nuk kanë qenë origjinale, prandaj vijojnë të jenë në kishë, ndërsa. origjinalet ruhen nga institucionet e shtetit shqiptar. Fakti që nuk janë prekur ikonat tregon se personat që kanë kryer vjedhjen kanë qenë njerëz që dinë të dallojnë kopjen nga origjinali, ose kanë pasur informacion të detajuar mbi objektet me vlerë brenda kishës.