Vija e drejtë dhe drurët e shtrembër

redaktor

Sikurse nuk mund të hiqet një vijë e drejtë me një dru të shtrembër, po ashtu nuk mund të gdhendet dhe një statujë në një dru të kalbur. Për analogji, as drurët e shtrembër të politikës dhe as ato të kalbura të drejtësisë nuk ngjallin shpresë për një reformë: ku ligji të ketë fuqinë e shtetit dhe statuja e drejtësisë me sytë e fashuara, të mos ngjajë me një sekser, dhe më keq akoma me maskat, që dalin në rrugë. Gjithë jetën kemi dëgjuar veçse një gjë: drejt e drejt nuk i dilet. Kësisoj, ata që na e marrin në kthesë, bëjnë hajër, u ecën fjollë, sepse nuk ka rregulla loje, përvetësohet merita, tjetërsohet kontributi, “i imi” merr statusin e të qënit “i yni” dhe, gjithë të tjerët, shpallen të padëshirueshëm, nuk honepsen, duke mos i lënë të ngrenë kokë e të bëjnë xhap. Në një shoqëri të orientuar keq, shembulli negativ merr të drejtën e autorit në shprehjen bajate “Rri shtrembër dhe fol drejt”, duke legjitimuar kështu drurin e shtrembër, si modelin më praktik në promovimin e vetes. Gjithsesi stazhionimi i gjatë nuk e shpëtoi nga kalbja, ndaj dhe tentativa për t’i ngritur statuja vetes, u dështon.

Kur Shqipëria sundohej nga një mbret, i cili lëvdohet se bëri shtet me dorë të hekurt, përkrah tij udhëhiqte dhe një princ, ndonëse i vdekur, me kanunin e tij të famshëm. S’dihej se kush zotëronte territore më të mëdha: Ahmet Zogu i shtetit apo Lek Dukagjini i ligjeve? (Bernd Fischer jep një detaj interesant, kur thotë se mbi mbretin rëndonin 500 gjaqe, ndaj ai dilte shëtitje me të ëmën, pasi zakoni e ndalonte gjaksin të qëllonte, kur hasmi ishte i shoqëruar me një femër. Hajde, shtet!) Pra, në një krah ishte shteti me ushtri, xhandarmëri, burgje dhe në krahun tjetër, ishin vetëm ligjet e kanunit, në mungesë të plotë të institucioneve. Princ Leka, (nuk është fjala për këtë të sotmin që kërkon të bëhet mbret), sikurse nuk iu bashkua Skënderbeut në ngjallje të tij, i ndenji larg dhe Skandërbegut të Ri nga Mati, ashtu i vdekur, duke besuar si përhera tek kodet zakonore dhe jo tek institucionet. Tashmë ka ardhur koha, që shteti dhe ligji, të jenë bashkë në të ashtuquajturin: shtet ligjor, pa mbretër dhe princër, por me xhentelmen dhe fisnikë. Në këtë shpërfytyrim masiv, me drurë të shtrembër dhe të kalbur, a kanë mbetur ende të tillë diva me shtatin si selvi?!

Në periudhën komuniste, ‘vija e drejtë’ njihej si atribut i partisë, ndaj kaçatorët e saj, në procesin e përhershëm të seleksionimit të radhëve, ta masnin kokën me pe të kuq dhe, më parë se të flaknin, deklaroheshin me pathos revolucionar: “Nuk do lejojmë, që, një dru i shtrembër të na prishë të gjithë stivën!” Vija e drejtë e partisë, sikurse dihet, ishte një vijë imagjinare, që kishte efekte çorientuese dhe deformuese tek ata që besonin në të drejtat shterpe. (Enver Hoxha sa ishte gjallë sundoi si mbret, dhe më pas, si i vdekur: donte të udhëhiqte si princ, ku në vend të kanunit të ishin veprat e tij. Tashmë i gjalli dhe i vdekuri janë tek i njëjti person, i cili në fillim sundoi me shtetin e diktaturës së proletariatit dhe me pas shpresonte të udhëhiqte me idetë e tij largpamëse, me gjasa të vlefshme për të gjitha kohërat. Ja pse Lek Dukagjini u luftua më shumë nga Ahmet Zogu, që rruga e diktatorit të ishte e lirë në postmortumin e tij.) Si koha e mbretërisë dhe ajo e socializmit, të gjithë fuqinë e përqendronte tek njëshi, qoftë ky i gjallë apo dhe i vdekur, ku institucionet humbisnin legjitimitetin e tyre. Tashmë kjo histori duhet të marrë fund, por si mund të ndodhë kjo në një shoqëri paradoksale: ku dikush vret fqinjin për një pemë dhe shteti prej vitesh bën sehir se si shkatërrohen pyjet?

Prej lashtësisë Konfuci këshillon: “Nga një shtet i paorganizuar, largohu”. Kur flitet për eksodin e shqiptarëve, s’kam dëgjuar deri më sot një të vetëm, që, shkakun kryesorë të ikjeve, ta shoh tek mungesa e gjatë e një shteti të paorganizuar. (Ata që bënë namin dikur në mbrojtje të kioskave, që s’të shkulen nga dera e burgut pa e nxjerrë të vetin, duket sikur thonë: “Kur s’e bëmë ne shtetin në aq e aq vite, dashkeni ta bëni ju në dy vjet e gjysmë?!” dhe, sikur të mos jenë këta të rrumpallës, ofrojnë para kamerave serbes: ofertën e shpëtimit tonë. Pra, shpëtimi ynë paska qenë në dorën e tyre dhe ata na lanë kaq gjatë të lëngonim? Dihet që punët e kalorësit nuk i bën këmbësori.

“Rama nuk bën shtet!” – dëgjoj të thonë ca si puna e Lubonjës, i habitur që këto janë fjalët e një të urti. Nëse shtetin do ta kishin bërë Zogu, Enveri, apo Saliu në këto një qind vjet e kusur, pse duhet t’ia kërkonim Ramës në këto dy vjet e gjysëm qeverisje? Sepse shtetformimi nuk çështje individi, një ndërmarrje personale, kushdo qoftë madhëria e tij. Për më tepër që shtetin nuk pritet ta ngrejë qeveria, nuk mund të jetë vepër e pushtetarëve, që në të gjithë historinë tonë janë veçse rrënuesit e tij. Rama e ka kuptuar këtë dhe po e ushtron me dinjitet rolin e tij, si nxitës i procesit, dhe jo komandues i tij. Ai kërkon të mbetet dhe jo të bëhet. Sipas meje, po bën gjënë e duhur: duke ofruar forcën e vullnetit dhe jo fuqinë e pushtetit, duke i lejuar ekspertët të bëjnë punët, dhe jo t’u ngatërrohet atyre nëpër këmbë, si një “kokë e madhe” që i di të gjitha. Që kur Rama zëvendësoi portretin e Bujar Nishanit me atë të Ismail Qemalit, la të kuptojë se ëndrra e Plakut të Vlorës mbetet dhe e tija: shtetformimi. Ky është një moment historik, një ndarje përfundimtare nga e shkuara, nëse fuqia e individit i kalon ligjit. (Deri tani mbahen mend 33 kryeministra, po burrat e shtetit ku janë? Në ’97-ën kur ranë të gjitha institucionet, veçse Saliu mbeti në presidencë. Pse s’ndodhi e kundërta, të largohej Saliu dhe të mbeteshin institucionet? Edhe në ditët e zeza të pushtimit, kur shteti ra: lufta për pushtet nuk rreshti, pavarësisht se po ngjasonin me kukullat. Shefqet Vërlaci s’i lë gjë pa thënë Musolinit, sikur ta kishte mvartës, kur e zëvendësuan me Mustafa Merlikën, meqë në të shkuarën familjarët e tij kishin qenë shërbëtor tek Vërlacët. Paria në shekuj ishte mësuar me mungesën e shtetit, le ta kishin të huajtë, përderisa pushtet fitonin me bollëk. deri në vezir të perandorisë. U mësuan të joshen me gradat e tujet, se sa me emblemën e shtetit të tyre, që kur ua donte puna, i vinin flakën.)

Ujërat e reformës i trazon një fakt i thjeshtë: nevoja urgjente për ndëshkueshmëri. Se sa e suksesshme do jetë reforma e pritshme, ka vetëm një provë zjarri: çuarjen pas hekurave të “peshqve të mëdhenj”. Por, cili do të pranonte të farkëtonte pranga për veten e tij? Por, më parë se të shkohet tek prova e zjarrit, ku karrigia e shtetit të kthehet në karrige elektrike, duhet të plotësohet një kusht: nderi i panjollosur i atij që bën reformën. Kjo mbetet të jetë kartabianka, që do të mundësojë kalimin e një reforme, që do t’u sjellë shqiptarëve, më në fund shtetin ligjor.

Lajmi se, ambasadori amerikan Lu, kohën e shtyrë për të marrë detyrën në Shqipëri, e shfrytëzoi për të mësuar gjuhën tonë të vështirë, ishte në fakt, një sihariq, një paralajmërim se kontakti i tij do të ishte i drejtpërdrejtë. Por ndërsa zoti Lu merr komplimenta për shqipen e qartë, të folurit troç, ne të këtushmit jemi gati të hedhim bombën atomike për të vrarë një plesht. Sakrilegjin e vijës së drejtë e kanë veçse të drejtët. Shpresojmë të ndodhë kështu.

Share This Article
1 Comment
  • nuk e di cfare edukimi,shkolle,experience,moshe keni….

    do ju jepja vetem nje sugjerim:

    ju lutem mos shkruani me se po I merrni kohen lexuesve

    po ai hajduti qe vodhi lopen..nuk pati faj..

    tung

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *