Shoqata Kombëtare e Funksionarëve të Policisë italiane është shprehur kundër vendimit të 2011-s për të hequr vizat me Shqipërinë. Krimi në rajonin e Toskanës është rritur që kur janë hequr masat e kontrollit në kufij dhe pjesa më e madhe të arrestuarve për grabitje janë shqiptarë që hyjnë në Itali si turistë
Është rritur alarmi ndaj hyrjes së lirë të shqiptarëve në Itali pa viza dhe praktikisht pa asnjë kontroll. Përballë shtimit të numrit të grabitjeve paralelisht me atë të arrestimeve të shqiptarëve, Shoqata Kombëtare e Funksionarëve të Policisë i ka dërguar qeverisë italiane apelin për të rivendosur sa më shpejt “format e kontrollit në kufij”.
“Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj forme racizmi, por vetëm për kontrolle që bazohen në të dhëna objektive”, thotë Antonio Fusko, sekretari rajonal i kësaj shoqate. “Për më tepër, në vitin 2012, në Toskanë, arrestimet e para të shqiptarëve janë verifikuar për grabitje banesash pikërisht në San Miniato. Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, në Siena u arrestua një bandë shqiptarësh e cila konsiderohej përgjegjëse për më shumë se 20 grabitje në Groseto, Siena dhe Arezo”.
Ndërsa nga mesi i dhjetorit në këto zona ka pasur dhjetëra operacione antidroge dhe kundër vjedhjeve. Por, pa filluar mirë 2013-a, janë kryer arrestime të shqiptarëve në Kuarrata për grabitje dhe në Pistoi-Agliana për trafikim lëndësh narkotike.
Dr.Fusko, përse e lidhni rritjen e kriminalitetit me praninë e shqiptarëve në Toskana?
“Si shoqatë e funksionarëve të policisë, ne kufizohemi në bashkëvendosjen e disa të dhënave objektive: që nga 2011-a janë shtuar grabitjet dhe vjedhjet; Shqipëria dhe Bosnja bëjnë pjesë në marrëveshjen e traktatit “Shengen”, kështu që qytetarët e këtyre vendeve mund të hyjnë në Itali me një pasaportë biometrike, pa pasur nevojë për vizë; që nga viti 2011 është rritur numri i arrestimeve, sidomos i atyre në flagrancë të hajdutëve, grabitësve dhe trafikantëve, të cilët nuk kanë pasur leje qëndrimi, por kishin ardhur rregullisht në Itali për arsye ‘turistike’”.
Para se shqiptarët të hyjnë në Itali, a e kanë kusht dhënien e informacionit mbi të ardhurat që do të përdorin për të qëndruar këtu?
“Ligji parashikon që në kufi duhet të tregojnë adresën ku po shkojnë dhe se kanë të ardhura të mjaftueshme për periudhën e deklaruar të qëndrimit (por në raste të rralla personeli është në gjendje të ushtrojë kontrolle specifike më të detajuara). Sigurisht që ai që hyn për turizëm nuk duhet të punojë dhe kush gjen punë këtu, duhet të kthehet në Shqipëri që të pajiset me një lejë qëndrimi”.
A është e mundur të verifikohet nëse një shqiptar do të qëndrojë 3 muaj në Itali, vetëm për turizëm?
Me një vulë në pasaportë kur hyn në këtë vend, po. Por jo gjithmonë ajo vendoset. Ja përse qeveria duhet të vendosë sa më shpejt një formë minimale kontrolli në kufij, duke i detyruar turistët që të vërtetojnë se kanë mundësi financiare në përputhje me shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit e njëkohësisht të tregojnë se ku do të qëndrojnë. Qytetarët janë të shqetësuar dhe kanë nevojë për përgjigje që duhet të vijnë nga politika, dhe jo vetëm nga forcat e policisë. Gjithashtu, kjo masë është e nevojshme edhe për të shmangur rrezikun e një përshkallëzimi të intolerancës që mund të gjejë terren pjellor në situatën aktuale të krizës ekonomike.
Një i mitur nga Shqipëria u kërkon ndihmë karabinierëve
Një 15-vjeçar me kombësi shqiptare është paraqitur dje mbasdite në kazermën e karabinierëve në Çita di Kastelo për të kërkuar ndihmë. I riu që nuk kishte me vete dokumente identifikimi, nuk fliste italisht, por arriti të shpjegonte se ishte tepër i uritur. Pasi e ushqyen dhe u siguruan për gjendjen e mirë shëndetësore të tij, karabinerët, me ndihmën e një përkthyesi, arritën që të mësonin historinë e tij.
15-vjeçari ishte larguar nga shtëpia e tij në Shqipëri për shkak të sjelljes së dhunshme të të atit dhe sepse shpresonte që në Itali të gjente një të ardhme më të mirë. Ai rrëfeu se kishte mbërritur në Itali me avion dhe se kishte lëvizur pa pasur një destinacion për disa ditë duke qarkulluar me mjete të transportit publik. Pasi i kishin mbaruar paratë e pakta që kishte me vete dhe kishte humbur çantën që përmbante dokumente dhe sende të tjera personale, kishte mbërritur në Çita di Kastelo dhe i rraskapitur nga lodhja dhe uria, vendosi t’u kërkonte ndihmë karabinierëve.
Menjëherë u lajmërua bashkia e Çita di Kastelos, gjithashtu edhe konsullata shqiptare, Gjykata e të miturve dhe policia e Peruxhas. Në pritje për të gjetur një zgjidhje për situatën e djalit dhe duke pasur parasysh se në Itali nuk ka të afërm, ai u la nën kujdesin e një familjeje të zonës.
Përgatiti: Dorina Gjuzi