Skuadra e Trabzonsporit ka mbërritur dje në Tiranë, dy ditë para ndeshjes kundër Kukësit në stadiumin “Qemal Stafa”. Skuadra shqiptare pret turqit në takimin e vlefshëm për Europa League, nesër në orën 19:30. Turqit kanë ardhur një ditë më herët se zakonisht, për shkak se ata e kishin bërë gjysmën e rrugës që të dielën, me takimin kundër Beshiktashit në Stamboll. Drejtuesit e klubit e kanë gjykuar më mirë të udhëtojnë drejt Tiranës, se sa të kthehen në Trabzon e pastaj të udhëtojnë drejt Shqipërisë. Në Rinas, skuadra është pritur nga një numër turqish që jetojnë në Shqipëri, ndërkohë që pritet të vijnë edhe shumë tifozë nga Trabzoni. Ndërkaq, për ndeshjen e humbur me Beshiktashin, lojtarët besojnë se ishte një moment i keq që duhet harruar sa më parë. “Ndeshja me Kukësin do të na vlejë për ta harruar Beshiktashin. Ishte një moment i keq për ne, por tani e kemi lënë pas”, thotë Olxhan Adin. Skuadra turke do ta kalojë në Hotel Sheraton edhe natën pas ndeshjes, për t’u kthyer në qytetin e saj të premten në mëngjes.