Otranto godet sërish

redaktor

Shtatë të vdekur është zyrtarisht bilanci i fatkeqësisë së tragetit të përfshirë nga flakët pranë brigjeve të Korfuzit, ndërsa evakuimi i të gjithë personave në bord ka përfunduar, sipas mediave italiane.

Në traget ndodhet vetëm kapiteni i cili po pret përfundimin e operacionit. Atij i takon në fakt të deklarojë se në anije nuk ndodhet më asnjeri.

Shtetasi grek Jorgos Dulis ishte i pari që humbi jetën ndërsa tentonte të largohej nga anija dhe katër trupa të tjerë janë gjetur në det. Sipas disa raporteve, mund të ketë edhe të tjera viktima në hambaret e anijes, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Zjarri mësohet të ketë shpërthyer mëngjesin e së djelës në pjesën e tragetit, ku mbaheshin automjetet. “Norman Atlantic” udhëtonte nga Patra e Greqisë drejt Ankonës në Itali. Shumica e pasagjerëve ishin grekë dhe turq, por në mesin e tyre ka pasur edhe  33 shqiptarë, 11 nga të cilët me dyshtetësi.

Rreth 100 vetë u shpëtuan prej andej gjatë natës, në kushte tepër të vështira, thonë rojet bregdetare italiane. Ekipet e shpëtimit, që me shumë zor i kanë larguar pasagjerët me helikopterë në mes të errësirës dhe shkulmeve të erës, ishin të pajisura me aparate për të parë natën.

Piloti i Forcave Ajrore Italiane, Antonio Laneve tha për televizionin shtetëror se kabina e helikopterit të tij ishte mbushur me një tym djegës, çka e bënte edhe më sfidues operacionin e shpëtimit.

Bashkëshortja e njërit prej kuzhinierëve i ka thënë gazetarëve se kishte marrë një telefonatë nga i shoqi që i thoshte: “Nuk marr dot frymë, do të digjemi të gjithë si minjtë këtu brenda. Zoti na shpëtoftë!”.

Ndërkohë, një pasagjer ka komunikuar me televizionin grek Mega, të cilit i rrëfeu se janë jashtë dhe bën tmerrësisht ftohtë.

“Anija është e mbushur me tym dhe vazhdon të digjet, dyshemeja përvëlon, poshtë kabinave, zjarri kërcet që prej orës 5 të mëngjesit, erdhën disa barka të na marrin e u kthyen mbrapsht, nuk na ndihmuan dot”, tha ai.

Mësohet se shumica e pasagjerëve të nxjerrë prej tragetit janë transferuar në anije të tjera pranë tij, ndërsa ata në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar menjëherë në spital.

Në mesin e atyre që po trajtohen për hipotermi janë edhe tre fëmijë dhe një grua shtatëzënë. Anija e parë me 49 pasagjerë të shpëtuar mbërriti në portin e Barit mëngjesin e së hënës. Nuk dihet ende me siguri se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Carlo Visentini, shefi ekzekutiv i grupit Visentini që ka tragetin në zotërim, pretendon se kohët e fundit anija e kishte kaluar testimin teknik, pavarësisht një problemi të lehtë me njërën prej dyerve të emergjencës nga zjarri.

Prokuroria e Barit ka nisur një hetim mbi ngjarjen me dyshimin se mund të bëhet fjalë për gabim njerëzor. Ndërkohë, nuk dihet ende se ku do të përfundojë trageti, si një objekt që pas dëmeve materiale dhe evakuimit ka mbetur në mes të detit. /

Share This Article
2 Comments
  • Me siguri viktimat duhet te jete e ndonje vendi pa shtet si gjithnje!Nuk ka si te ndodhe ndryshe.Uroj te mos jete ndonje familje fatezeze Shqipetare.Te bene pershtypje ne Gazeten Tema shkruhet me te medha lajmi “Ja emrat e 22 shqipetareve qe kane mbetur akoma ne bordin e Tragetit e qe per fate te keq trageti po digjet ,pasi deri me tani jane evakuuar rreth 132 pasagjere ,ku s’ka asnje lajm per shqipetaret.Lajmi tjeter i gezueshem eshte se Tahua i paskerka ofruar te gjitha portet,” ne gatishmeri”(humor ky per vititn e ri)kolegut Italian per ta ankoruar ne nje nga portet Shqipetare !Ju lutem me mire mos thoni asgje ,eshte me e ndershme se sa na plasni zemrat e pashpresa me keto lloj informacionesh qe vetem gazetareske nuk jane!

  • po,ku i keni aniet e shpetimit,po ku i keni aniet e ushtris,po i keni or matufa se te gjitha i kishit ne vitin e shkerdhyr 1990,pra i kishite por sikeni,se saliu me banden e vete i shiti dhe tani ai kenaqet me jeten e luxit qe po bene me gjith kupolen e ti,te hajdutve.QUO VADIS ALBANI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *