Messi ka menduar jo pak largimin nga Barcelona. Dhe po të mos kishte qenë për ish-trajnerin e këtij ekipi, Tito Vilanova në sezonin e ardhshëm me shumë mundësi yllin e Argjentinës dhe të Barcelonës do ta kishim parë me një fanellë tjetër. Ka qenë televizioni katalanas “TV3” që ka bërë me dije se vendimtar në qëndrimin e Lionel Mesit në Barcelonë ka qenë Tito Vilanova, ish-trajneri i Barcelonës, i ndarë nga jeta vetëm disa javë më parë. Sipas këtij televizioni, vetëm gjashtë ditë përpara se Tito të ndërronte jetë, ai ka pasur një vizitë të Lionel Messit në shtëpi. Gjatë një bisede mes miqsh Lionel Messi i është rrëfyer Titos, duke i shprehur vendimin e tij për të lënë Barcelonën. “Unë u kam vendosur do të largohem nga Barcelona”, mësohet t’i ketë thënë Mesi ish-trajnerit të Barçës. Sipas TV3 Mesi nuk ka qenë në gjendjen e tij më të mirë qoftë fizike qoftë mendore, ndërkohë që në adresë të tij nuk kanë munguar kritikat e ashpra nga mediat spanjolle. Sakaq për të konfirmuar rolin vendimtar të ish-trajnerit Vilanova ka menduar dhe vetë presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu. Ndonëse nuk e ka deklaruar hapur emrin, ai i referohet pikërisht Tito Vilanovës. “Unë jam i mrekulluar nga ajo çfarë ka bërë një trajner. Deri në minutën e fundit ka punuar për Barcelonën. Ndonëse nuk e ka bërë në fushë, e ka bërë këtë nga shtëpia me këshillat e tij mjaft të vlefshme”, ka shkruar në një letër të hapur presidenti i Barcelonës.
