Kohë të vështira në Katalonjë ku Barcelona po kalon një nga periudhat më të errëta të viteve të fundit edhe pse titulli është pothuajse një çështje e mbyllur për ekipin e drejtuar nga Tito Vilanova. Është pikërisht drejtuesi i stolit të kësaj skuadre ai që merr përsipër të gjitha kritikat dhe përgjegjësitë, duke dalë përpara gazetarëve për herë të parë që pas largimit në New York ku u kurua për disa muaj. Dhe ashtu siç pritej, në nisjen e konferencës për shtyp, drejtuesi i skuadrës së rekordeve i siguroi të gjithë se nuk do të heqë dorë nga aventura e nisur rreth një vit më parë ku i ra mbi shpatulla trashëgimia e ish shefit të tij, Pep Guardiola.
“Ndihem shumë mirë pas kurimit dhe periudhës së vështirë. Çdo ditë që kalon ndihem edhe më në formë. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se kam pasur probleme komunikimi me skuadrën për shkak të distancës së madhe sepse gjithçka do të ishte ndryshe nëse do të kurohesha në Londër, Paris apo Barcelonë. Asgjë nuk mund të zëvendësohet me praninë në fushë bashkë me skuadrën edhe pse kam dhënë shpesh herë këshilla për lojtarët. Drejtuesit dëshirojnë që të vazhdoj edhe sezonin e ardhshëm dhe unë kam forcën dhe dëshirën për ta bërë një gjë të tillë. Nuk kam menduar asnjëherë të dorëzohem sepse unë nuk e shikojë këtë detyrë si një peshë apo presion ndaj meje. Jordi Roura dhe stafi kanë bërë një punë të madhe”.
Në vijim, trajneri katalanas katapultohet direkt në ndeshjen e kthimit kundër Bayernit të Mynihut, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur në kampin blaugrana.
“Nuk do të isha i besueshëm nëse do të thoja që kualifikimi është i sigurt por ne jemi Barcelona dhe kemi për detyrë t’i tregojmë botës se jemi në lartësinë e duhur për t’u ndeshur edhe me një skuadër si Bayerni i Mynihut. Tifozët tanë duhet të besojnë dhe të krijojnë të njëjtën atmosferë siç vepruan në takimin e parë mbështetësit e klubit gjerman. Rezultati i parë është dukshëm në disfavorin tonë por kjo nuk ia ul vlerën skuadrës, sepse me këtë grup mund të luajnë shumë pak lojtarë në botë dhe në këtë aspekt, djemtë e mi nuk janë të detyruar të tregojnë asgjë”.
Dominimi gjerman në Europë është i dikshëm, por ai beson se kjo varet shumë edhe nga karakteristikat e kampionatit gjerman.
“Niveli i Bayernit dhe Borussias nuk mund të krahasohet me Realin dhe Barcelonën pasi ata zhvillojnë një kampionat të ndryshëm. Nuk mund të bëhen krahasime sepse ndikojnë detaje të ndryshme në të dyja tablotë, gjithsesi jam i sigurt se nëse Bayerni do të luante në kampionatin tonë, nuk do të ishte në këtë nivel”.
I pyetur në lidhje me marrëdhënien e tij me paraardhësin Pep Guardiola, Vilanova lë të kuptohet se asgjë nuk ka ndryshuar.
“E njoh që fëmijë dhe me të kam një lidhje shumë të ngushtë sepse jam njohur në La Masia dhe pavarësisht kalimit të viteve asgjë nuk ka ndryshuar”.
Konferenca për shtyp vijoi me komentet rreth të ardhmes së Abidal e Victor Valdes.
“Francezi po kalon një situatë të veçantë sepse po grumbullon energjitë për të siguruar formën optimale dhe unë mendoj se është një lojtar shumë i vlefshëm për Barcelonën. Ndërsa për Victor Valdes mund të them se ai ka qenë shumë i qartë në qëndrimin e tij duke mos dashur të rinovojë”.
Objektivi më i prekshëm për Barcelonën është titullim kampion, të cilin Vilanova kërkon ta hipotekojë sa më shpejt. Sipas trajnerit katalanas nuk ka rëndësi nëse një gjë të tillë skuadra e bën në transfertën e Bilbaos apo kundër Real Betis.
Në fund të konferencës për shtyp, Vilanova u ndal sërish në periudhën e aftësimit të tij, duke pohuar se ushtrimet fizike do ta ndihmojnë të rikthehet si më parë
Vilanova eshte trajner dhe keshtu i takon te flase per ndeshjen e kthimit me Bayernin. E veshtire, per te mos thene e pamundur kualifikimi per ne finale, megjithe ate fjale e tij ne vesh te perendise.