Mbipopullohet urgjenca e pediatrisë në Qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Luhatjet e theksuara të temperaturave kanë shtuar komplikacionet e shfaqura jo vetëm në shëndetin e fëmijëve të vegjël, por edhe tek moshat më të rritura. Gjatë ditëve të fundit urgjenca e pediatrisë në QSUT është përballur me një fluks të lartë viriozash e gjendjesh gripale, ku çdo ditë rreth 200 pacientë të vegjël kanë kërkuar ndihmën e specializuar mjekësore. Infeksionet në rrugët e frymëmarrjes janë ndër komplikacionet më të përhapura gjatë kësaj periudhe.
Simptomat më të shpeshta të shfaqura në këto raste janë bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe veçanërisht infeksionet respiratore. Këto të fundit në pjesën dërrmuese të rasteve janë shoqëruar me temperaturë të lartë, çrregullime gastrointensinale dhe rënie të imunitetit trupor. Gjithashtu, nuk kanë qenë të pakta rastet e tjera kur infeksionet prekin rrugët e poshtme respiratore, që fillojnë nga bronkitet akute, në një riaktivizim të bronkiteve kronike, si dhe me bronkopneumoni apo ftohje të tjera të shkallëve më të rënda.
Përkundrejt kësaj gjendjeje, mjekët pohojnë se kujdes i veçantë duhet treguar sidomos në rastet kur këto viroza shfaqen me temperaturë të lartë, sepse, nëse nuk marrin trajtimin e duhur në kohë, mund të mbartin pasoja të rënda për shëndetin e fëmijës, pasi mund të kalojnë në bronkopneumoni. Po ashtu, komplikacione të rënda mund të shfaqin edhe të sëmurët kronikë që vuajnë nga zemra, diabeti etj, në rast se preken nga virusi i gripit. Mjekët këshillojnë që kujdesin më të madh gjatë ditëve të ardhshme duhet ta kenë grupet e riskut, siç janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike, si dhe nga sëmundjet e zemrës.
“Është e nevojshme që për rastet kur shfaqen këto simptoma, sidomos tek fëmijët, të bëhet kujdes me izolimin e tyre nga ambientet ku qëndrojnë shumë persona, sepse përveç riskut të transmetimit të sëmundjes, rrezikohen që të përkeqësohen vetë edhe më shumë”, theksohet nga bluzat e bardha. Kjo kategori duhet të qëndrojë në ambiente të mbyllura dhe të ngrohta, si dhe të bëjë kujdes me përdorimin e ilaçeve që kanë për sëmundjet e tjera kronike nga të cilat vuajnë. P.Kola
Kujdes!
Qëndroni në shtëpi kur jeni sëmurë.
Kërkoni ndihmën e mjekut në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Përdorni dietë të pasur me proteina, fruta dhe lëngje.
Evitoni qëndrimet në mjedise të mbyllura dhe të populluara.
Përdorni shami kur kolliteni ose teshtini.
Lani sa më shpesh duart me ujë dhe sapun, sidomos pas prekjes se hundës, gojës dhe syve dhe pas shtrëngimit të duarve me persona të tjerë.
Kujdes në përdorimin e antibiotikëve pa rekomandim e mjekut.
Simptomat
Temperaturë mbi 37 gradë
Sekrecione të hundës
Skuqje të mukozës
Debulesë trupore
Kollë e thatë
Djegie fyti
Gjendje rrufe
Vështirësi në frymëmarrje
Ftohje
mekattt