Viruset e bakteret shkak për infeksione seksualisht të transmetueshme

anazapta

Infeksionet seksualisht të transmetueshme gjatë viteve të fundit janë shndërruar në një problem madhor të shëndetit publik. Përhapja masive e tyre po shfaqet edhe tek moshat e reja. Ajo që konsiderohet si më shqetësuese nga ekspertët e shëndetit publik është neglizhenca që shpesh herë tregohet në trajtimin e këtyre infeksioneve, çka shton rreziqet për infektimin e një numri më të madh njerëzish. Të dhënat e raportuara nga autoritetet shëndetësore tregojnë se çdo person i moshës riprodhuese, preket së paku një herë në jetë nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Ndonëse nuk ka studime të mirëfillta në këtë drejtim në lidhje me shifrat e përhapjes së këtyre infeksioneve, rezulton se kryesisht në vendet në zhvillim renditen të jenë në pesë sëmundjet më të përhapura. Në një intervistë për gazetën “Dita”, specialistja e shëndetit riprodhues në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) Lumturi Mërkuri tregon shkaqet e format se si shfaqen, si dhe kujdesin që duhet të mbajmë për t’i parandaluar në kohë problemet që shfaqen në shëndetin riprodhues prej infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Përgjithësisht shfaqja e tyre shoqërohet me shenja klinike të dukshme, çka e lehtëson diagnostikimin dhe trajtimin e tyre. Por, të shumta janë edhe rastet në të cilat nuk ndodh kështu, duke shfaqur vështirësi në diagnostikimin dhe trajtimin e tyre. Mjekia Mërkuri vë në dukje se mbartësit e këtyre infeksioneve kurohen lehtë e pa vështirësi, në rastet kur personi që dyshon se është i prekur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme i drejtohet për ndihmë mjekut specialist në stadet e para. Në të tilla raste janë të vogla shanset që infeksioni të shkaktojë dëme të pakorrigjueshme, siç mund të jetë përhapja tek partneri apo transmetimi nga nëna tek foshnja.

 

Në raportimet e bëra nga autoritetet shëndetësore, po vërehet gjithnjë e më shumë një tendencë në rritje e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Konkretisht çfarë janë këto infeksione, dhe nga se shkaktohen ?

 

Përgjegjëse për shfaqjen e këtyre infeksioneve janë viruse të ndryshme, bakteriet, si dhe parazitë të caktuar. Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë infeksione që kalohen gjatë kontaktit seksual të pambrojtur, me një person që është i infektuar. Duke iu referuar këtij treguesi, mund të vëmë në dukje se nga infeksionet seksualisht të transmetueshme janë të rrezikuar të gjithë, si femrat ashtu edhe meshkujt. Sot njihen një shumëllojshmëri e infeksioneve të kësaj natyre, të cilat shfaqen në forma nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato më të lehtat, pra nga ato që japin vetëm një bezdi të lehtë, deri tek ato me pasoja nga më seriozet. Flasim këtu për rastet në të cilat do të neglizhohet marrja e kujdesit mjekësor. Me zhvillimet mjekësore në ditët e sotme pjesa dërrmuese e infeksioneve seksualisht të transmetushme janë të shërueshme plotësisht. Por, ka edhe nga ato që nuk shërohen, siç është AIDS-i. Aktualisht njihen mbi 25 lloje të ndryshme të infeksioneve që prekin organet gjenitale. Ndër më të shpeshtat rezultojnë të jenë gonorreja, sifilizi, trikomonasi, myku, hepatiti B, herpes gjenital, sëmundja e shekullit-SIDA, etj.

 

Sa problematike janë në vendin tonë infeksionet seksualisht të transmetueshme?

 

Infeksionet seksualisht të transmetueshme radhiten ndër sëmundjet më të përhapura kudo në botë. Ato janë një problem madhor i shëndetit publik duke u identifikuar ndër 5 sëmundjet, për të cilat pacientët paraqiten më shpesh për ndihmë mjekësore. Të dhënat për vendin tonë tregojnë se infeksionet seksualisht të transmetueshme janë një problem në rritje. Rastet me hepatit B janë duke u rritur, po ashtu edhe ato me sifiliz, klamidia etj. Gjithashtu rritje kanë pësuar edhe rastet e reja të diagnostikuara me HIV-AIDS.

 

Cilat janë kategoritë më të rriskuara për t’u prekur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme?

 

Prej infeksioneve seksualisht të transmetueshme mund të preken të gjithë, pa dallim gjinie apo moshe. Çdo njeri është në rrezik për t’u infektuar prej një infeksion seksualisht të transmetueshëm, nëse bën seks të pambrojtur, (pa prezervativ) me një person të infektuar.

Nuk është e thënë që të kesh shumë partnerë për t’u infektuar, mjafton edhe një marrëdhënie seksuale e vetme me një person të infektuar për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Por, të pasurit shumë partnerë e rrit shansin për t’u infektuar. Stili i të jetuarit dhe sjelljet në të shumtën e rasteve favorizojnë ose më mirë të themi e lehtësojnë përçimin e infeksionit tek grupe të tjera të popullatës, me të cilat një person i infektuar ka kontakt.

 

Po sa i takon kriterit moshë ç’mund të themi?

 

E theksuam edhe pak më lart që të gjithë mund të preken nga këto lloje infeksionesh. Megjithatë duke iu referuar shifrave të raportuara nga autoritetet shëndetësore, rezulton se së fundmi më të ekspozuarit ndaj rrezikut për t’u prekur nga infeksionet seksuale janë të rinjtë, kryesisht ata të moshave deri në 25 vjeç. Më tej mund të themi se janë të rriskuara vajzat që mund të kenë pasur kontakte të hershme seksuale, e veçanërisht në rastet kur këtë raport seksual e kryejnë me djem që nuk e kanë raportin e parë seksual, si dhe e kundërta në rastin e djemve. Të rrezikuara janë edhe kategoritë që praktikojnë disa partnerë seksualë, personat që kanë kryer raport me një partner që ka pasur ose ka një infeksion të kësaj natyre, përdoruesit e drogave dhe pijeve alkoolike, personat e dhunuar seksualisht, personat që kanë kryer një raport seksual të pambrojtur me persona të rastësishëm etj.

 

Si mund të infektohem nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm?

 

Raporti seksual është rruga kryesore e transmetimit të këtyre infeksioneve. Ju mund të merrni një infeksion seksualisht të transmetueshëm nëpërmjet kontaktit seksual me dikë që është i infektuar. Ndërkohë që ka edhe një numër të caktuar infeksionesh që mund të përhapen në rrugë të tjera. Disa infeksione mund të transmetohen edhe në mënyra të tjera siç është kontakti lëkurë me lëkurë, kur keni marrëdhënie seksuale me dikë që ka plagë të dukshme ose puçrra gjenitale. Kundrejt kësaj situate duhet të jemi shumë të kujdesshëm në marrjen e masave mbrojtëse gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Përdorimi i prezervativit gjatë seksit vaginal, anal e oral do t’ju mbrojë nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, ndaj nuk duhet neglizhuar në asnjë rast përdorimi i tyre.

 

Transmetimi i këtyre infeksioneve mund të ndodhë edhe me një kontakt të vetëm seksual apo kur kryhen shumë të tilla?

 

Janë të shumta rastet kur pacientët janë prekur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme edhe nga kryerja e një kontakti të vetëm seksual. Ndaj duhet të dini se nëse partneri juaj ka një infeksion seksual dhe ju kryeni seks pa prezervativ, ju mund të infektoheni. Në këto kushte mjafton edhe një marrëdhënie seksuale e vetme me një person të infektuar, për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Nuk është e thënë që të kesh shumë partnerë për t’u infektuar, por të pasurit shumë partnerë rrit shansin për t’u infektuar më shpejt, pasi kjo pohohet të jetë një ndër shkaqet që favorizon përhapjen e tyre.

 

Duke iu referuar simptomave shoqëruese, a mund të kuptojmë nëse partneri është i prekur nga këto infeksione?

Ju nuk mundeni. Për deri sa shumë infeksione seksualisht të transmetueshme nuk kanë shenja të dukshme ju nuk mund ta kuptoni që një person është i infektuar. Madje disa njerëz mund të kenë një infeksion seksualisht të transmetueshëm dhe nuk e dinë as edhe vetë, mbasi nuk kanë shenja për muaj dhe vite me radhë. Konkretisht, Klamidia shfaqet shpesh pa shenja, duke mbetur për vite të tëra pa u mjekuar. Për këtë arsye shume vende rekomandojnë bërjen e analizave për të gjitha femrat seksualisht aktive mbi 25 vjeç. Vetëm në këtë formë mund të trajtojmë në kohë dhe në mënyrë efikase praninë e këtyre infeksioneve.

 

Çfarë duhet bërë që të mund t’i evidentojmë në kohë këto infeksione, veçanërisht ato që nuk shoqërohen me shenja të dukshme?

 

Ju mund të mos jeni në gjendje të kuptoni nëse keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Shumë prej tyre nuk kanë shenja dalluese ose kanë shenja të lehta që nuk mund t’i vini re. Shpesh shfaqja e shenjave bëhet me vonesë, atëherë kur infeksioni ka përparuar. Për këtë arsye këshillohet të kryhet një analizë sa herë që ju mendoni se keni qenë në rrezik për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm.

 

Me çfarë simptomash shoqërohet shfaqja e këtyre infeksionesh. Si mund ta kuptojë një pacient që është i infektuar ?

 

Mjaft infeksione seksualisht të transmetueshme janë pa shenja dalluese, por nëse shfaqen shenjat, ato janë të ndryshme për infeksione të ndryshme. Ato mund të jenë nga shqetësime të lehta në formë bezdie dhe deri tek shenja që tregojnë një problem serioz. Shenjat më të shpeshta që duhet të tërheqin vëmendjen se ju mund të keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm janë: “Skuqje, djegie apo kruajtje rreth organeve gjenitale, shtim të rrjedhjeve nga organet gjenitale, shpesh me erë të keqe e ngjyrë, djegie ose dhimbje gjatë urinimit, urinim të shpeshtë dhe në sasi të pakët, dhimbje në fund të barkut ose rreth organeve gjenitale, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale, puçrra ose plagë rreth organeve gjenitale, si dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksionit seksualisht të transmetueshëm dhe dëmtimit që mund të këtë shkaktuar në organizëm.

 

Dëmet që sjellin infeksionet seksuale kur neglizhohet trajtimi i hershëm

Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, edhe infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të kalojnë në forma të rënduara, si dhe të mbartin pasoja fatale në rastet kur nuk marrin kujdesin e duhur mjekësor që në stadet e para të shfaqjes. Pasojat e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të pamjekuar mund të jenë mjaft serioze për shëndetin e burrave edhe të grave. Tek meshkujt, ato shkaktojnë infeksione të fshikës urinare, të testikujve, të prostatës deri në qelbëzim. Tek gratë infeksione të fshikës urinare, inflamacione të uterusit dhe të tubave fallopiane së bashku me pasojat e tyre. Mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, barrë jashtë mitre, etj. Pamundësia për të lindur fëmijë, shpesh është pasojë e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të pamjekuar. Një grua shtatzënë e infektuar mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë shtatzënisë apo lindjes. Infeksioni mund të përhapet në organet e tjera duke dhënë qelbëzim të organeve të legenit. Nëse ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm kjo rrit mundësinë për t’u  infektuar më lehtë me virusin HIV-AIDS!

 

Somarjo  :

Prania e infeksioneve seksuale mund ta dëmtojë rëndë shëndetin riprodhues femëror dhe mashkullor, pasi me kalimin e kohës mund të japin pasoja si sterilitet apo tumore. Nëse infeksionet seksualisht të transmetueshme zbulohen në kohë, atëherë pasojat mund të parandalohen. Për rastet kur nuk evidentohen, apo dhe kur kurohen në mënyrë sipërfaqësore mund të prishin rehatinë e jetës personale dhe shoqërore duke shkaktuar edhe vuajtje psikologjike.

 

Klamidia

Klamidia është një ndër infeksionet seksualisht të transmetueshme që në të shumtën e rasteve shfaqet pa simptoma të dukshme që në stadet e para. Klamidia është infeksion bakterial që dëmton tubat e fallopit (ajo që lidh vezoren me mitrën), duke bërë që femra të humbasë aftësinë për të lindur nëse nuk trajtohet herët. Kryerja e analizave periodike ju ndihmon që ky lloj infeksioni të zbulohet sa më herët, e për rrjedhojë të shmangen edhe pasojat e rënda.

 

Gonorrea  dhe Herpesi.

Gonorrea ka të bëjë me një infeksion bakterial që shkakton dhimbje, si dhe rrjedhje qelbi. Shoqërohet në të shumtën e rasteve me shenja të dukshme. Ndërsa infeksioni tjetër që njihet si herpes (HSV) ose “herpesi simpleks”, shkakton acarim të lëkurës rreth organeve gjenitale. Edhe në këto raste është e këshillueshme që të merret sa më shpejt ndihma mjekësore, pasi në të kundërt infeksioni mund të rëndohet duke ndikuar në shfaqjen e komplikacioneve serioze.

 

Sifilizi 

Sifilizi është një infeksion bakterial, që prek tërë trupin dhe në rastet kur nuk merr trajtimin e duhur dëmton zemrën, trurin dhe nervat. Sifilizi transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual me personin e infektuar. Në veçanti bakteri i sifilizit transmetohet nëpërmjet kontaktit direkt me puçrrat e sifilizit, të cilat zakonisht paraqiten në sipërfaqen e organeve gjenitale. Për shkak se këto puçrra nuk janë me dhembje, shumë njerëz nuk e dinë që janë të infektuar.

 

Hepatiti B

Hepatiti B është një infeksion i rrezikshëm për mëlçinë i shkaktuar nga virusi po me të njëjtin emër. Transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si ato me virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50-100 herë më infektiv. Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i vaksinuar.

 

Myku

Myku është infeksion i shpeshtë që shkaktohet nga një kërpudhë që shumë njerëz e kanë në lëkurë. Në shumicën e rasteve nuk shkakton probleme, por kur shumohet, shfaqet myku. Kushtet favorizuese për shfaqjen e tij janë: periudha e shtatzanisë, diabeti dhe përdorimi për një kohë të gjatë i antibiotikëve. Nga myku shpesh preken organet seksuale, dhe simptomat e këtij infeksioni kanë të bëjnë me “kruarje të forta të organeve gjenitale, sekrecione të bardha, djegie gjatë urinimit, si dhe cipa të bardha në sipërfaqe të organeve gjenitale”

 

HIV-AIDS

HIV-AIDS është virusi i cili dëmton sistemin mbrojtës në organizmin e njeriut duke e lënë atë të pambrojtur prej infeksioneve dhe prej disa lloje kanceresh. Stadi më i avancuar i infeksionit HIV është sëmundja AIDS. Infektimi me virusin ndodh kur lëngjet e një personi të infektuar transmetohen tek një person tjetër nëpërmjet: gjakut, spermës, lëngjeve vaginale apo qumështit të gjirit. Transmetimi i infeksionit HIV bëhet me rrugë seksuale, nëpërmjet gjakut, si dhe nga nëna tek fëmija

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *