Vitamina C është shumë e dobishme për organizmin. E njohur sidomos për stimulimin e sistemit imunitar, vitamina C ka edhe “sekrete” të tjera. Ajo vonon plakjen dhe lehtëson shërimin e frakturave apo plagëve në lëkurë. Gjithashtu, vitamina C është thelbësore për përthithjen e substancave ushqyese, të cilat garantojnë mirëqenien e organizmit.
Efektet pozitive
Vitamina C është një aleat i fuqishëm i sistemit imunitar për të luftuar sëmundjet si gripi. Duke qenë një antioksidant, vitamina C luan një rol të rëndësishëm në shtyrjen e procesit të plakjes, pasi lufton radikalet e lira dhe mban të reja indet e lëkurës. Vitamina C ndikon pozitivisht në parandalimin e skorbutit, një sëmundje që vjen nga mungesa e vitaminave. Falë saj, lufta kundër anemisë mund të bëhet më efektive dhe infeksionet urinare shërohen më shpejt. Ajo ndikon pozitivisht në prodhimin e hemoglobinës dhe rruazave të kuqe të gjakut, duke e bërë më të lehtë shërimin e plagëve. Vitamina C favorizon përthithjen e substancave ushqyese, por edhe të preparateve farmaceutike si acidi folik, hekuri dhe vitamina E.
Ushqimet e pasura me vitaminë C
Një i rritur ka nevojë për 60 mg vitaminë C në ditë. Ndërsa për fëmijët, kjo sasi varion sipas moshës, fillon nga 40 miligram për të porsalindurit deri në 45 për 13-vjeçarët. Ushqimet e pasura më vitaminë C janë agrumet, domatet, spinaqi, brokoli, asparagët, papaja, kivi, frutat e pyllit, por edhe lakrat e Brukselit apo specat jeshilë.