E respektuara Dita! Lexova shkrimin e datës 07.03.2015, me titull dhe përmbajtje tepër të dëshiruar prej kohësh: “Sa kohë duhet për të përgatitur një prift shqiptar”, shkruar nga një mësues i nderuar besimtar me një mendje të kthjellët shqiptari. Kam vite i shqetësuar për problemin që ai shtron, ndaj i kam bërë vetes disa pyetje, shpesh edhe në biseda shoqërore, duke mos mohuar asnjëherë meritat e Hirësisë të profesor Janullatos.
A mund të quhet një autoqefali e vërtetë ortodoksia jonë; kur në krye qëndron një Hirësi i huaj? A është autoqefali e vërtetë kur në çdo ceremoni kishtare nuk flitet, nuk psallet në gjuhën amtare? Mire pesë, apo fundja dhjetë vjet që nuk patëm priftërinj të shkolluar me arsim në teologji, por jo mbi njëzetë vjet! Ama, për kaq vite, a nuk pati mundësi shteti ynë të shkollojë asnjë për të zëvendësuar Hirësinë e tij Janullatos?! Pse për shumë profesione të tjera për kaq vite kanë studiuar në shumë shtete perëndimore dhe kanë dalë elita intelektualesh të aftë me tituj shkencorë, ndërsa për fenë ortodokse asnjë?!
Këto janë pyetje tepër serioze, që dikush duhet t’u japi një përgjigje. Jo pak shqiptarëve pyetje të tilla u lëndojnë shpirtrat dhe stimulojnë pakënaqësinë, jo vetëm të besimtarëve ortodoksë. Biles thënë saktë pakënaqësia ka çuar në dyshime: Mos vallë ky qëndrim është i qëllimshëm në dëm të kombësisë tënde? Urojmë të mos jetë i tillë.
Letër e nënshkruar,
Spiro Duka
