Mbi 2 milionë vende pune janë mbyllur përgjatë vitit që po lëmë pas në vendet e Eurozonës.i. Kriza e borxheve, masat shtrënguese dhe recesioni kanë çuar në 18,7 milionë numrin e të papunëve në 17 vendet anëtare të Eurozonës, ose 2,17 milionë më shumë krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e publikuara nga Eurostat, japin kështu panoramën dhe rezultatin e dhjetra planeve të shkurtimit të vendeve të punës, të njoftuara çdo muaj nga sipërmarrjet europiane. Ndërsa, Eurostat deklaroi se norma e papunësisë arriti në 11,7%, kundrejt 11,6% në shtator.
Ulja e shpenzimeve publike, rritja e taksave dhe rënia e konsumit kanë ndikuar negativisht në bilancet e sipërmarrjeve, që shkurtojnë vendet e punës duke ulur shpenzimet, dhe rrjedhimisht frenojnë perspektivën e ringritjes. Kurrë më parë që nga viti 1995 (kur Eurostat nisi të publikonte këto të dhëna), norma e papunësisë nuk ka qenë kaq e lartë në zonën e monedhës së përbashkët. Eurozona është teknikisht në recession, pas dy tremujorësh kontraktimi të njëpasnjëshëm dhe parashikohet të regjistrojë një rënie tjetër prej 0,3% edhe në tre muajt e fundit të vitit. “Plaga” e papunësisë konfirmohet sidomos e rëndë në Spanjë, ku është rritur në 26,2%, në Greqi me mbi 25%, Portugali me 16,3%. Por, nga ana tjetër Austria shënon një normë papunësie prej 4,3% dhe Gjermania me 5,4%.
Rritja e papunësisë është vetëm një nga kanalet nëpërmjet të cilit kriza godet botën e punës. Javën e shkuar, “Renault” njoftoi fuqizimin e prodhimit në Spanjë me marrjen në punë të 1.300 personave, në këmbim të kushteve kontraktuale të punës që ndër të tjera parashikojnë tre ditë pune më shumë dhe pagë më të ulët për punonjësit e rinj. Ndërkaq, kërkesat për një vend pune, përveçse e shtyjnë për poshtë pagat, rindezin edhe fenomenin e migrimit. Shifrat në këtë pikë janë ende të ulëta, por trendi është domethënës. Në gjysmën e parë të vitit, gjysmë milion persona emigruan në Gjermani, me një rritje prej 15%, pasi 20% të regjistruar në vitin 2011. Në pjesën më të madhe ata janë polakë. Por, grekët, të cilët kërkojnë fat në ekonominë më të madhe të Eurozonës janë rritur me 78% dhe spanjollët dhe portugezët me 53%.