Tregu i sigurimeve shënon rënie, raporton Autoriteti i Mbikeqyrjes Financiare. Gjatë periudhës janar-nëntor 2013, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 899,048 me një ulje prej 5.40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 88.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 11.17% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.26%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 56% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 44% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2013, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,393 milionë lekë, ose 2.48% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-nëntor 2013 arritën rreth 3,350 milionë lekë, ose rreth 17.46% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-nëntor 2013, pati ulje prej 21.23% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 15.75% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2012. Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-nëntor 2013 pati një ulje prej 28.12% të volumit të primeve të shkruara bruto, e shoqëruar edhe me ulje të numrit të kontratave me 13.72% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2012. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-nëntor 2013 pati rritje me 8.90% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2012. Gjithashtu edhe numri i kontratave u rrit me 5.98%. Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-nëntor 2013 arritën rreth 4,253 milionë lekë, ose 7.66% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2012. Kjo u shoqërua me ulje të numrit të kontratave të sigurimit vullnetar me 15.69% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-nëntor 2013, patën rritje me rreth 7.12% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2012.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2013, siguruan rreth 2,252 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 82.10% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 10.63% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2013, vihet re një ulje prej 3.52% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me rreth 7.05% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2012. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2013, arritën në mbi 609 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 6.68% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2012.
