Viti 2014, bien investimet e huaja me 13.4 për qind

redaktor

Investimet e huaja direkte po shkojnë gjithnjë në tkurrje. Edhe pse ka një përpjekje të qeverisë për të bërë pjesë të tregut investuesit e huaj në vendin tonë, duket se të dhënat statistikore flasin për të kundërtën. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja rezultuan 800 milionë euro për gjithë vitin 2014.

Në raport me një vit më parë, investimet e huaja rezultojnë me një rënie prej 13.4%. Por, burimet nga Banka e Shqipërisë sqarojnë se në vitin 2013 ka pasur dhe privatizime në sektorin e energjisë, që në vitin 2014 kanë munguar, çka ka dhënë ndikimin kryesor në këtë tendencë.

BSH thekson se diferenca shkaktohet pothuaj tërësisht nga privatizimet e kryera në vitin 2013.

Nëse hiqet efekti 105 milionë euro, që është vlera e shitjes së HEC-eve Bistrica 1 dhe 2, që u blenë nga Kurum në fillim të vitit 2013, investimet e huaja rezultojnë me një rritje të lehtë.

Investimet e kanë marrë lehtë veten në tremujorin e katërt, kur ritmet e rënies u ngadalësuan në krahasim me tremujorin e dytë dhe të tretë.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, në një shpërndarje sektoriale, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve me rreth 69%. Sektori bankar dhe sektorët e tjerë përfaqësojnë përkatësisht 4% dhe 27% të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Sipas BSH-së, të dhënat mbi investimet e huaja direkte me frekuence tremujore janë paraprake. Këto të dhëna për vitin 2014 cilësohen si përfundimtare në muajin shtator 2015, bazuar në vrojtimin vjetor të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) pranë ndërmarrjeve.

Si rezultat i të dhënave që merren nga ky vrojtim, kryhet rishikimi i vlerave të IHD për secilin tremujor të vitit.

Raporte të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ekonomike ndërkombëtare vlerësojnë se, ekonomia shqiptare ka ruajtur një trend rritës, por kjo nuk mund të thuhet për investimet e huaja.

Në vitin 2013, vlera e tyre në vendin tonë arriti në nivele rekord, 923 milionë euro dhe pjesa më e madhe e kësaj shume ka qenë riinvestimi i kapitalit të përfituar nga operimi i kompanive të huaja në vendin tonë.

Ndërkohë, në vitin 2014, investimet e huaja nisin të shënojnë rënie në Shqipëri. Edhe pse nuk ka një raport përfundimtar për vlerën e tyre, trendi i investimeve duket qartë që është në rënie. Arsyeja të çon të mendosh se, investitorët e huaj nuk e shohin më tërheqëse situatën ekonomike të Shqipërisë.

Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi rritja e fluksit të investimeve të Shqipëri të reduktohet, pasi janë vendet e BE­së që tërheqin sasitë më të mëdha të fondeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *