Interesi i kredive në lekë ka rënë në fillim të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajt janar dhe shkurt, interesi mesatar i kredive të reja në lekë ishte 8.05% nga 9.15% që kishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Politika monetare nxitëse e Bankës së Shqipërisë duket se është reflektuar në një masë të konsiderueshme në interesat e tregjeve financiare, përfshi edhe kreditë. Ulja e interesave ka ndihmuar në kthimin e kreditimit në territor të rritjes pozitive. Ulja e interesave ka ndihmuar ndjeshëm në një orientim më të theksuar të kredisë drejt monedhës vendase.
Tashmë leku përbën mbi 40% të kredisë për ekonominë, ndërkohë që në fillimet e krizës, në vitin 2009, nuk zinte më shumë se 30%. Në vitet e fundit, zgjerimi i portofolit kreditor ka ardhur pikërisht nga leku, ndërsa kredia në valutë të huaj dhe sidomos në euro ka pësuar rënie, jo vetëm në peshë specifike, por edhe në vlerë absolute.
Ende kredia në lekë është rreth 25% më e shtrenjtë krahasuar me atë në monedhën e përbashkët europiane. Sidoqoftë, diferencat në normat e interesit janë ngushtuar ndjeshëm, po të kemi parasysh se pesë vjet më parë kredia në lekë, e matur si interes i thjeshtë mesatar, ishte rreth 70% më e shtrenjtë.