Viti 2016 shënon rënie të investimeve të huaja në vend

redaktor

Investimet e huaja nuk po njohin rritje në tregun shqiptar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një tendencë negative të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, duke shënuar një ulje të ndjeshme në tre muajt e parë të vitit 2016.

Sipas të dhënave statistikore këto investime shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014.

Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijojnë të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 27 për qind), energjetikës (me rreth 25 për qind), ndërtimit (në masën 17 për qind), dhe sektori i telekomunikacionit (me 6 për qind). Ndërkohë që rënia me e madhe e fluksit vërehet në sektorin e hidrokarbureve.

Investitorët e rinj larg vendit tonë

Vendit tonë po i mungon ardhja e investuesve të rinj megjithë përpjekjet për të promovuar vendin tonë. Ndryshe ndodh me shtetet e tjera të Ballkanit, ku sidomos në Maqedoni dhe  Serbi, është shtuar shumë numri i kompanive të huaja, që premtojnë rritje të qëndrueshme.

Ëeibo, një sipërmarrje e madhe turke në industrinë tekstile ka hapur degë në Maqedoni e më pas është zhvendosur edhe në Serbi. Johnson Control, Lear Corporation dhe Capcon, janë tre sipërmarrje në fushën e industrisë mbështetëse të makinave, që kanë shfaqur interes dhe për Shqipërinë, por për momentin kanë investuar në Maqedoni.

Taksat më të larta në rajon, mungesa e incentivave (Serbia p.sh ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne, ofron subvencione për investitorët), klima jo fort e qëndrueshme e të bërit biznes në vendin tonë, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj. Shpresa e vetme mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *