Mungesa e ambienteve për të përballuar prurjet e reja në radhët e studentëve, tashmë është shndërruar në një makth të përvitshëm më të cilin duhet të përballen universitetet publike. Kuotat e miratuara pak ditë më parë mbi pranimet e reja që do përzgjidhen përmes maturës shtetërore, flasin për një rritje të numrit të studentëve. Ndonëse kjo rritje është zyrtarizuar, fakultetet nuk raportojnë ndonjë shtim të ambienteve ku do të zhvillojnë mësimin studentët e rinj. Çka e bën të pashmangshme mbingarkesën edhe gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Ky fakt shqetësues vihet në dukje edhe nga rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani.
Degët e fakulteteve të këtij universiteti renditen të parat në preferencat e mijëra maturantëve që aplikojnë për të vijuar studimet e larta publike. Sa i takon mungesës së infrastrukturës, Kaçani vë në dukje se pavarësisht faktit që ka filluar ndërtimi i një shtese (e cila nuk do të jetë gati këtë viti), si dhe marrjes së disa ambiente në disa prej fakulteteve të tij, sërish kapacitetet për të përballuar numrin e studentëve që do të pranohen gjatë vitit të ri akademik janë të pamjaftueshme. Sipas tij mungesa e infrastrukturës është një ndër treguesit që e pengon zhvillimin cilësor që duhet të ekzistojë në strukturat universitare.
“Kapacitetet që kemi ne si ambiente janë po ato që kemi pasur në vitet e shkuara. Është bërë një rritje e numrit të studentëve. Nevojë kemi për kapacitete ndaj po bëjmë edhe shtesën. Kemi nevojë që të rriten e të përmirësohen treguesit në mënyrë që edhe akreditimi i universiteteve të plotësojë maksimalisht të gjithë treguesit e nevojshëm për t’u akredituar, jo më nga një agjenci brenda vendit, por nga një agjenci e huaj për t’u kredituar”, ka deklaruar dje në media rektori Jorgaq Kaçani. Krahas nevojave për ambiente, për të përballuar numrin e lartë të studentëve duhet vepruar edhe me shtimin e stafit akademik. Sa i takon kësaj problematike Kaçani shton më tej se plotësimi i kërkesave me staf akademik mbetet ende i kushtëzuar. Shkak për këtë gjë bëhet mungesa e të ardhurave për të paguar pedagogët shtesë që duhet ti vijnë në ndihmë procesit mësimor. Për të shmangur këtë problematikë, Kaçani shprehet se ka ardhur koha që strukturat universitare të bëhen pjesë e ekonomisë së tregut. Duke konkurruar me projektet e tyre universitetet mund të sigurojnë më shumë të ardhura, të cilat i vijnë më pas në ndihmë zhvillimit të një procesi mësimor sa më cilësor.
“Ne kemi nevojë për staf akademik. Që sot do të nisim kërkesë të gjitha departamenteve për të prurë kriteret që duhet të plotësojnë stafi i ri akademik që do të merret në Universitetin Politeknik të Tiranës. T’i jepet mundësi universiteteve që janë institucione shtetërore të dalin si aktorë në ekonominë e tregut, të jenë lojtarë përsa i përket tenderimeve që bëhen dhe universiteti do të sigurojë të ardhura”, shton më tej Kaçani. Mungesa e ambienteve dhe pedagogëve më së shumti ndihet në Universitetin e Tiranës, fakultetet e të cilit njohin dhe prurjet më të mëdha, teksa nuk mbeten pas edhe strukturat e arsimit të lartë në rrethe.
