Dhjetori ka qenë një muaj plot shkëlqim. Tirana si asnjëherë tjetër ishte e mbushur me drita vezulluese. Por pritja për të festuar natën e ndërrimit të viteve është gjithmonë më e bukur se sa vetë ky moment.
Atmosfera festive ndikon në gjendjen emocionale të çdo kujt ndaj, vështirë të mos jesh i ndikuar nga vezullimi i dritave festive. Por festat kaq ishin! Ato ikën së bashku me kohën e mirë dhe të pazakontë të fundit të 2015. Viti i ri ka ardhur ndryshe në kohë, por vështirë të themi së është e njëjta gjë në përmbajtje.
Sot është dita e parë e punës për administratën dhe institucionet arsimore. Java e fundit ka qenë e mbushur me shkëlqim, optimizëm, shkëmbime urimesh dhe dhuratash, ndërsa sot, dritat janë fikur për t’ju kthyer rutinës.
Për të diskutuar se si përjetohet dhe kalohet ky moment, ne kemi marrë mendimin e Flavia Shehut, psikologe klinike.
“Çdo vit, por fiks çdo vit në fillim të dhjetorit, qytetet fillojnë të përkëdhelen ashtu siç dimë më së miri, duke i stolisur ashtu siç ne na duket se i ka hije qytetit. Në këtë muaj plot ndriçim, plot gjallëri, plot njerëz që shëtisin dhe sodisin qytetin (a thua se ka ndryshuar vërtet diçka) dhe që harrojnë shpesh herë se pse ky ritual ndodh, urojnë njëri-tjetrin për një Vit të Ri të mbarë e plot surpriza. Por a ka vërtet një Vit të Ri? Numerikisht po, mendërisht koha ecën dhe numri është thjesht shënjues”.

Flavia thotë se njeriu e kupton që kjo është një periudhë shfokusimi, por ka pranuar në heshtje këtë pakt duke u përpjekur të plotësojë në njëfarë mënyre kënaqësitë e tij e të të tjerëve që e rrethojnë.
“Parimisht periudha e festive i përfshin individët në rutinat dhe ritualet e saj të përvitshme, duke i krijuar kështu edhe shfokusim nga situatat e përditshme jetësore. Vetë individët, pavarësisht se sa e kanë qartësuar me veten këtë ndodhi, bëjnë pakt po me veten për të kaluar në paqe periudhën e festave pa “vramendje” për situatat e përditshme jetësore. Dhe kështu bëjnë, përpiqen të plotësojnë kënaqësitë e të tjerëve dhe të tyre”.
Por festat nuk zgjasin përgjithmonë dhe pushimet po ashtu. Problemi është që pas ditëve në qetësi të plotë, njerëzit mund ta kanë stresues rikthimin nën punën e përditshme.
“Fillimi i Janarit përkon me rikthimin jo thjesht nga festat, por edhe nga ditët e pushimeve zyrtare të dimrit. Ky rikthim, ndryshe nga të tjerët, i përball individët me shumë nga situatat të cilat i kishin lënë shumë mënjanë gjatë festave, situata për zgjidhjen e të cilave shpeshherë do i duhet të bëjnë dyfish punë. Përgjatë festave dhe gjatë pushimeve, pjesa më e madhe e individëve përpiqen të mos përballen me konceptin e detyrës (puna, shkolla apo një angazhim tjetër i rëndësishëm) dhe në momentin e rikthimit në këtë detyrë janë thjesht të regresuar si në momentin e parë kur e kanë marrë si detyrë. Vetë individët në varësi të tipareve të tyre kanë reagime të ndryshme, një pjesë në rikthimin pas pushimeve është shumë më efektiv dhe ka të tjerë të cilëve do u duhet më shumë kohë të ripërshtaten”- thotë Flavia Shehu.
Ditët kalojnë, një vit ikën, të paktën numerikisht dhe rikthimi në rutinë është i pashmangshëm. Jemi në një vit të ri, me halle të vjetra…
“Periudha pas festave i përball individët me të njëjtat situata të vitit të vjetër, me të njëjtat mendime e ndjesi pasi asgjë e papritur nuk ndodh sa të tronditë themelet dhe situatat të ndryshojnë, asgjë e papritur nuk ndodh pavarësisht numrit që ndryshon dhe individëve që rendin pas tij duke humbur ndërkohë shumë ndjesi të bukura, mundësi reflektimi për veten dhe me veten”.
