Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar me ambasadorët e Shqipërisë ku tha se Shqipëria duhet të vijojë të përpiqet për të përmbushur 5 prioritetet për çeljen e negociatave.
Gjatë këtij takimi presidenti kërkoi të mos veprohet emocionalisht dhe me Kosovën, për shkak se vendi ynë është në monitorim, përsa i përket liberalizimit të vizave.
Meta foli për takimin në Kosovë me homologun Hashim Thaçi, për dhënien e pasaportave të Shqipërisë për shtetasit të Kosovës. Sipas tij, nëse Shqipëria do të ndërmerrte çdo veprim emocional, jo vetëm nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës, por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.
“Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë edhe më të vështirë. Ndaj unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve që po bëhen atje edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment sepse zgjidhja e këtij problemi do ta përqendronte akoma më mirë Kosovën në problemet më të mëdha që ajo ka për ta çuar përpara dialogun me Serbinë por mbi të gjitha do t’i jepte fund një frustrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon që po përjetojnë një izolim të padrejtë e të pamerituar”, tha Meta.
Meta kërkoi të promovohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, pasi sipas tij tani janë rrethanat e favorshme.
“Forcimi i sigurisë rajonale dhe të përbashkët, do të ishte e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Do ndihmonte në plotësimin më të shpejtë të aspiratave të shqiptarëve të Maqedonisë. Element i rëndësishëm është përparimi i Kosovës, të cilat kohët e fundit kanë një vështirësi të paparashikueshme, demarkacioni me Malin e Zi, që është vendosur dhe si kusht prej dy vitesh për liberalizimin e vizave. Duhet kaluar ky izolim i padrejtë dhe i pamerituar. Anëtarësim i Malit të Zi në NATO është me rëndësi. Do theksoja rëndësinë edhe të bashkëpunimit të përfaqësuesve të rajonit. Në këtë drejtim besoj tek eksperienca juaj, tek motivimi i juaj dhe se do jeni një shembull i këtij përfaqësimi në vendet e rajonit, kudo ku jeni. Duhet të jeni më prezent në format nga më të ndryshmet, në rajon dhe kontinente të ndryshme. Ne jemi vend modest, edhe resurset financiare nuk i kemi kaq të bollshme, por mund të jemi prezent në organizata të ndryshme, ku rajone të ndryshme janë të bashkuara dhe ne mund të jemi me statusin e vëzhguesit, që të kemi komunikime të vazhdueshme dhe të përfitojmë sa më shumë si në planin politik por edhe në atë ekonomik”, tha Meta.
Meta përshëndeti edhe ministrinë e Diasporës, si një element pozitiv për shqiptarët në diasporë, dhe u shpreh besimplotë se viti i ardhshëm i Skënderbeut, do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët.
“Duhet të tërheqim investitorë të rëndësishëm dhe vëmendje nga këto vende drejt Shqipërisë. Duhet të përmirësojmë klimën e biznesit, do të bëni gjithçka për të promovuar turizmin dhe për të rritur interesin e investitorëve drejt Shqipërisë, se shqiptarët jashtë janë një potencial shumë më i madh se shqiptarët brenda, për arsye se për fat të keq, një pjesë e shoqërisë sonë është kualifikuar dhe ndodhet jashtë vendit, është problem, por është edhe avantazh duke pasur parasysh që shumë prej tyre janë mjaft të suksesshëm dhe kanë ndikim në vendet ku sot jetojnë. Krijimi i ministrisë së Diasporës është një element pozitiv për shqiptarët në diasporë. Viti që vjen është viti i Skënderbeut, është moment i mirë për të bashkuar të gjithë shqiptarët. Shpresoj që viti i Skënderbeut të na bashkojë të gjithëve. Është figurë me të cilën lidhet fillimi i këtij komb,” u shpreh ai.

SA BURGIME TE PERJETESHME PARASHIKON BABA TOMORRI PER LIKE FLORIRIN!?