Në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Londër, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit nga Kryetari i Komisionit Parlamentar Britanik i Drejtësisë Bob Neill me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar në fushën e drejtësisë.
Meta vlerësoi bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në çështjet e drejtësisë dhe vuri në dukje se Shqipëria mund të përfitojë më shumë nga eksperienca dhe ekspertiza e gjerë britanike në këtë fushë kyçe.
Në këtë kuadër, Meta dhe Neill diskutuan mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të cilën z. Meta e konsideroi se një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë, i nevojshëm jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rritjen e besueshmërisë ndaj investitorëve të huaj, veçanërisht atyre britanikë. Në këtë kontekst, z. Meta theksoi se Britania e Madhe është një partner i veçantë për Shqipërinë, falë eksperiencës së saj në vite, por edhe për shkak të investimit të madh në këtë fushë në Shqipëri e në rajon.
Kryetari i Komisionit Parlamentar Britanik të Drejtësisë Bob Neill nënvizoi se arritja e konsensusit për miratimin e kësaj reforme madhore kushtetuese në Shqipëri vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe në këtë drejtim inkurajohet ndërtimi i një sistemi solid të drejtësisë, të pavarur nga çdo ndërhyrje politike në të ardhmen.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi një takim edhe me Shefen e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme Britanike, ish-Ambasadoren Britanike në Shqipëri, Fiona Mcilwham.
