Vizita në Turqi e Rita Markos, zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit popullor të Shqipërisë

J L

Bilal Shimshir

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Çfarë nuk heqim për të mësuar këtë informacion të thjeshtë. Shkojnë dhe vijnë radiogramet urgjent. Na ngrihen nervat, na soset durimi, Në vende të tjera punë të tilla shkojnë vaj, zgjidhen pa zhurmë. Ndërsa në Shqipëri bëhet problem.  Nuk është e lehtë.  Pas vitesh të tëra të mbyllur ndaj botës, shqiptarët përpiqen të futen mes njerzve të qytetëruar. Do të mësojnë. Do të mësojnë si realizohen vizitat, si përgatitet programi i tyre, se cilat çështje duhet të mbeten sekrete dhe cilat jo. Tani ka një periudhë tranzicioni.  Duhet të jemi të duruar në Tiranë. Do të mësojnë. Ngadalë-ngadalë. Siç thonë shqiptarët “javash-javash, s’ka problem”. 

Delegacioni parlamentar shqiptar që do të vizitonte Turqinë me ftesë të Zotit Jëlldërëm Akbullut, kryetar i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, përbëhej nga 11 vetë: shtatë anëtarë delegacioni dhe katër personel ndihmës. Kryetar i delegacionit ishte Rita Marko, zëvendës i liderit Ramiz Alia dhe anëtar i byrosë politike, Ndërsa anëtarë të delegacionit ishin: Prof. Dr. Ylli Popa, deputet i Tiranës, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend; Fiqirete Myrto, deputete e Krujës, kryetare e bashkimit të grave të këtij rrethi dhe kryetare e Komisionit të Bujqësisë në Kuvend; Albert Verria, deputet i Vlorës, anëtar i Komisionit të Kulturës në Kuvend, aktor filmi; Gjergj Velo, deputet i Lushnjës, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të këtij rrethi, anëtar i Komisonit të Bujqësisë në Kuvend; Ibrahim Gjevori, deputet i Elbasanit, zëvendësdrejtor i Kombinatit Metalurgjik dhe kryetar i Komisionit të Buxhetit e të Planit në Kuvend; dhe Petraq Pojani, ambasador, sekretar i përgjithshëm i Komitetit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme. Ndërsa si personel ndihmës ishin një truprojë, një gazetar, një operator, dhe një përkthyes.

Vizita e Rita Markos në Turqi pati një jehonë të gjerë në shtypin shqiptar. Gazetat Zeri i Popullit dhe Bashkimi, si dhe radio dhe televizioni çdo ditë i kushtuan vëmendje të madhe. Edhe ne nga shtypi shqiptar e ndoqëm përditë.

Më 24 mars na erdhi ky informacion nga Ministria:

“Delegacioni parlamentar shqıptar i kryesuar nga Rita Marko mbërriti në Ankara më 22 mars. Po atë ditë u takua me Zotin Jëlldërëm Akbullut dhe mori pjesë në darkën e shtruar për nder të tij nga Zoti Akbullut. 

Më 23 mars Rita Marko u prit nga kryeministri dhe presidenti.  Mysafiri i përcolli presidentit tonë një mesazh të vullnetit të mirë të Ramiz Alisë.  Edhe Ali Bozer, i ngarkuar me detyrën e Ministrit të Jashtëm, u takua me Rita Markon. Në mbrëmje ambasadori shqiptar dha një pritje ku mori pjesë edhe Zoti Akbullut. 

Sot paradite Rita Marko do të takohet me Ministrin e shtetit Mehmet Jazar  (Mehmet Yazar) . 

Në orët e drekës delegacioni shqiptar do të shkojë në Stamboll, pastaj në 26 mars do të vizitojë Izmirin dhe rrethinat e tij, ndërsa më  27 mars në orën 16.40 do të largohet nga Stambolli për në Shqipëri.”

Takimet e delegacionit në Ankara u pasqyruan gjerësisht në shtypin shqiptar të datës 24 mars. Gazetat njoftonin me gëzim se delegaconi i Rita Markos u prit nga presidenti dhe kryeministri turk, dhe se u zhvilluan bisedime me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. Shkruhej se takimet kaluan në një klimë miqësore dhe të sinqertë, se vizita e delegacionit shqiptar ka ngjallur kënaqësi në Turqi dhe se vizita të tilla do të forcojnë më tej miqësinë tonë. Në lajme theksohej se kryetari i delegacionit shqiptar i dorëzoi presidentit turk një mesazh të Ramiz Alisë, dhe i shprehu kryeministrit turk konsideratat dhe urimet më të mira të kryeministrit Adil Çarçani. Gjithashtu vihej në dukje se gjatë darkës zyrtare Jëlldërëm Akbullut përmendi Enver Hoxhën, dhe Rita Marko shprehu respektin dhe dashurinë që ndienin për Ataturkun.

Edhe gazetat shqiptare të datës 25 mars ishin plot me lajme për vizitën e Rita Markos. Delegacioni shqiptar ishte pritur nga Ministri i shtetit Mehmet Jazar. Në takim ishte folur për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve turko-shqiptare në fushën ekonomike dhe tregtare. Pastaj delegacioni kishte vizitur Mauzoleumin e Ataturkut, Muzen e Qytetërimeve të Anadollit, dhe një uzinën të prodhimit të kamionëve.  Në darkë ambasadori shqiptar kishte dhënë një pritje, ku kishin marrë pjesë Yëlldërëm Akbullut, Erdall Inëny (Erdal İnönü) dhe shumë personalitete të larta turke. Delegacioni nga Ankaraja shkoi në Stamboll ku u prit nga valiu i Stambollit Xhavit Bayar (Cavit Bayar).

Më 27 mars shtypi shqiptar fliste për vizitën e delegacionit të Rita Markos në Stamboll dhe në Izmir. Në Stamboll kishin vizituar qendra të ndryshme historike dhe kulturore, si dhe një fabrikë të prodhimeve prej qelqi dhe kristali. Prefekti Bajar kishte shtruar një darkë për nder të delegacionit, e cila kishte kaluar në një frymë shumë miqësore dhe ku ishin ngritur dolli për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionale turko-shqiptare.

Pas Stambollit delegacioni kishte shkuar në Izmir ku edhe atje kishte vizituar disa objekte arkeologjike. Në darkën e shtruar nga prefekti Nevzat Ajaz (Nevzat Ayaz), ku ndodheshin edhe rektori i Universitetit Ege dhe pedagogë të tjerë. Nevzat Ajaz, i cili kishte vizituar Shqipërinë kur ishte prefekt i Stambollit, e kishte pritur me shumë përzemërsi delegacionin parlamentar shqiptar.

Delegacioni i Rita Markos u kthye në Tiranë më 28 mars. I njëjti avion zviceran e solli direkt delegacionin shqiptar nga Stambolli në Tiranë. Ashtu siç ndodhi në shkuarje, edhe gjatë kthimit nuk këmbeu avion. Delegacionin e prita në aeroport. Kishin dalë pothuajse të njëjtët persona që e kishin përcjellë delegacionin.

Vërejta se Rita Marko dhe anëtarët e delegacionit kishin mbetur shumë të kënaqur nga vizita. Sapo zbriti nga avioni Rita Marko më përqafoi dhe më puthi, ndërsa në sallën VIP më tregoi sesa i kënaqur ishte nga vizita. Më tha se Akbullut kishte përgatitur një program të shkëlqyer dhe i kishte shprehur një dashuri të madhe, se kudo gjatë gjithë vizitës kishin hasur të njëjtat ndjenja të miqësisë dhe të vëllazërisë. Më theksoi se ishin pritur vëllazërisht nga presidenti dhe kryeministri, se kishin bërë takime shumë të dobishme të nivelit të lartë, me një fjalë, ishin kthyer tepër të kënaqur nga kjo vizitë. Më nënvizoi se gjatë takimeve me shtetarët turq kishin rënë dakord për të zhvilluar më tej miqësinë dhe se Shqipëria do të punojë në këtë drejtim. Atë ditë në ditarin tim shkrova :

“Delegacioni i Rita Markos u kthye nga Turqia. E prita në aeroport. Kishin dalë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme. Delegacioni dukej shumë i kënaqur. Rita Marko më puthi. Ishte fytyrëqeshur dhe i lumtur…”

Në sallën VIP dëgjova deri në fund përshtypjet entuziaste të Rita Markos dhe të të tjerëve. I thashë se besoja se me këtë vizitë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të miqësisë, se edhe ne do të përpiqemi vazhdimisht për t’i zhvilluar ato, se vlerësojmë dhe i kushtojmë rëndësi miqësisë me Shqipërinë.

Jehona e kësaj vizite zgjati dhe më. Në ato ditë të gjithë funksionarët shqiptarë që takoja ma hapnin këtë temë dhe më thonin se Rita Marko ishte kthyer shumë i kënaqur nga vizita.

Për vizitën u fol shumë edhe në trupin diplomatik. Ambasadori grek, në pritjen me rastin e festës kombëtare, më pyeti me kureshtje se si  kishte shkuar vizita e Rita Markos në Turqi. Kishte pandehur se Rita Marko do të kalonte nga Athina dhe  kishin pritur t’i jepnin vizë, por nuk kishte ardhur. U  habit kur i thashë se kishte udhëtuar direkt nga Tirana në Ankara. “Si ka mundësi? Shqiptarët nuk kanë avionë civilë që të fluturojnë direkt nga Tirana në Ankara”.  Por greku u çudit edhe më shumë kur i shpjegova se avioni zviceran zbriti në Tiranë, mori delegacionin e Rita Markos dhe e dërgoi direkt në Ankara. U mendua pak, e kuptoi se çfarë kishte ndodhur dhe tha: “Po, shqiptarët nuk kanë avionë civilë, por janë krenarë. Gjithë ai Rita Marko nuk shkon deri në Athinë për të ndërruar avionin, por e sjell avionin në këmbët e tij në Tiranë”.

Gruaja ime kishte marrë pjesë në pritjen e ambasadorit shqiptar në Ankara dhe më shkruante :

“Pritja e shtruar për nder të Rita Markos kaloi mirë. Të gjithë ishin të kënaqur. Gruaja e sekretarit të parë shtatlartë të Ambasadës ishte vazja e Rita Markos. Më tregoi se e ëma nuk kishte mundur të vinte se ishte me reumatizëm, i dhimbnin duart dhe këmbët. Në pritje morën pjesë  Akbullut, kryetar i Parlamentit, Erdal Inëny, Prof. Tarik Somer, drejtori i Agjencisë së Lajmeve Anadollu Azhansë (Anadolu Ajansı) dhe bashkëshortja e tij. Ndërsa nga Ministria e Jashtme ishin Metin Mekik, Teoman Syrenkëk dhe bashkëshortja etj. Si të ardhurit nga Shqipëria, edhe punonjësit e Ambasadës më folën me simpati për ty… Nga fundi i pritjes ambasadori shqiptar më mori dhe më uli pranë Rita Markos. Ngritëm dolli duke thënë “Gëzuar”. Kur fliste për ty, Rita Marko thoshte “Bilali ynë”. Pastaj i kthehej ambasadorit shqiptar dhe i thoshte  “Ambasador të tilllë nuk ka parë Shqipëria”. Edhe anëtarët e delegacionit nuk m’u ndanë. “Edhe ju konsideroheni nga të Ambasadës. Mos ikni menjëherë”, më tha ambasadori shqiptar. Me zor u shpëtova rreth orës 20.30…”

Kjo miqësi dhe afërsi midis shqiptarëve dhe turqve kishte vazhduar gjatë gjithë vizitës.

Më 23 mars 1988 në orën 16.00 Presidenti Kenan Evren priti delegacionin parlamentar shqiptar të kryesuar nga Rita Marko. Midis tyre ishte zhvilluar kjo bisedë:

Evren : Jam i kënaqur të pres në vendin tonë delegacionin e Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë gjithmonë kanë qenë të mira…Vizitat ndërparlamentare kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve dhe për shtrirjen e miqësisë edhe mes  popujve. … Mirë se erdhët në vendin tonë. 

Marko: I nderuar Zoti President, dëshiroj ta filloj fjalën time duke ju falenderuar për pritjen që po i bëni delegcionit tonë dhe ju përcjell mesazhin e vullnetit të mirë që kryetari i shtetit shqiptar i ka dërguar Shkëlqesisë Tuaj. Që nga çasti kur shkelëm në vendin tuaj kemi ndierë një ngrohtësi dhe mikpritje të madhe. Midis popujve tanë ekzistojnë marrëdhënie të mbështetura në dashurinë dhe respektin reciprok. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe kësaj miqësie, themelet e së cilës  janë hedhur në kohën e Ataturkut dhe të Enver Hoxhës…

Evren: Marrëdhëniet Turqi-Shqipëria kanë rrënjë të thella në  shekuj. Kështu që janë krijuar edhe lidhje farefisnore midis popujve tanë  që kanë jetuar  bashkarisht në shekuj. Edhe babai im ka ardhur nga Presheva. Atje lagjet turke dhe shqiptare ishin pranë njëra-tjetrës. Babai im kuptonte shqip, por nuk mund të fliste…

Ju lutem t’i përcillni Zotit Ramiz Alia falenderimet e mia për mesazhin dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë e Tij personale dhe për mirëqenien e popullit shqiptar. Këto urime  pasqyrojnë ndjenjat e sinqerta edhe të popullit turk… 

Marko: Marrëdhëniet tona me Turqinë i tregojmë si shembull për vendet e tjera. Shqipëria është vend i vogël, Turqia është vend i madh. Edhe sistemet tona janë të ndryshëm.  Por kjo nuk ka penguar zhvillimin e mbarë të këtyre marrëdhënieve. Populli dhe administrata turke na respektojnë.  Në të njëjtën mënyrë sillemi edhe ne… Në marrëdhëniet me jashtë duhet marrë për bazë respektimi reciprokisht i të drejtave…           

Gjatë takimit Rita Marko i dorëzoi presidentit Kenan Evren një mesazh të vullnetit të mirë të dërguar nga kryetari i shtetit shqiptar Ramiz Alia. Edhe presidenti ynë pas një muaji iu përgjigj me një mesazh të ngjashëm. Po i botoj këto mesazhe, sepse janë nga një dokument historik.

Mesazh i Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Ramiz Alia për Presidentin e Turqise Kenan Evren

 

         Tiranë, më 20 mars 1988

I nderuar Zoti President, 

Me rastin e vizitës në Republikën e Turqisë të delegacionit parlamentar shqiptar të kryesuar nga Rita Marko, Zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit të Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, kam kënaqësinë e madhe t’Ju shpreh urimet e mia më të ngrohta dhe më të mira për lumturinë personale të Shkëlqesisë Tuaj dhe për  lumturinë e popullit turk.

Dëshiroj të shpreh edhe kënaqësinë e madhe që ndiejmë bashkë me popullin shqiptar për marrëdhëniet vëllazërore midis vendeve tona dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të këtyre marrëdhënieve. Lidhjet tradicionale të miqësisë së vjetër midis dy popujve dhe respekti  reciprok i tyre për njëri-tjetrin përbëjnë themelin për një zhvillim pozitiv.  

Kjo vizitë e delegacionit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë krijon një rast të mirë për zhvillimin  e mëtejshëm në çdo nivel dhe në çdo fushë të marrëdhënieve shqiptaro-turke  në të mirë të të dy vendeve. Dëshiroj të theksoj edhe besimin tim të plotë se kjo vizitë do t’i shërbejë zgjerimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, forcimit të mëtejshëm të lidhjeve miqësore midis popujve tanë vëllezër dhe  mirëkuptimit e paqes në Ballkan e më gjerë. 

Zoti President, Ju lutem të pranoni konsideratat e mia më të larta, bashkë me urimet e sinqerta për zhvillimin dhe mirëqenien e vendit Tuaj. 

 

                                                                                    Ramiz ALIA

                                                        Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor 

                                                    të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë  

 

Mesazh i Presidentit të Turqisë Kenan Evren për Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Ramiz Alia

 

                                                                                           Ankara, më 22 prill 1988

            I nderuar Zoti President, 

 

Ju shpreh falenderimet e mia për mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e vizitës në Republikën e Turqisë të delegacionit parlamentar shqiptar të kryesuar nga Rita Marko, Zëvendëskryetar i Presidiumit të Kuvendit të Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. 

Siç u shpreha edhe anëtarëve të vyer të delegacionit për të cilët ndieva një kënaqësi të madhe duke i pritur, miqësia midis Turqisë dhe Shqipërisë është pronë e popujve tanë. Kjo miqësi tradicionale jo vetëm që përgatit një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e mëtejshëm në çdo fushë, por në të njëjtën kohë përbën një element të vyer edhe për klimën e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për të cilat bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të mbizotëruar në Ballkan. 

Shkëlqesi, përfitoj nga rasti t’Ju shpreh konsideratat dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj personale dhe për përparimin dhe begatinë e popullit mik shqiptar. 

                                                                                    Kenan EVREN

                                                                                    President i Turqisë 

Kopjen e këtij mesazhi që na erdhi me radiogram në Ambasadë, ia dorëzova  Kostaq Çifligut, shef i protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke iu lutur ta përcillte te Ramiz Alia. Mesazhi mbërriti në destinacionin e lartë në vigjilje të 1 majit.

 

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *