Vizitë e mirëpritur!

J L

Dr. Jorgji Kote

 

Vizita e Shefit Qeverisë, njëherazi Ministër i Jashtëm, Edi Rama në Moskë më 26 Shkurt, ndonëse në cilësinë e tij si Kryetar i Radhës i OSBE-së, është hap i mirëpritur dhe nxitës në marrëdhëniet me Rusinë; bashkë me bisedimet mbi një katalog të gjerë çështjesh dy dhe shumëpalëshe me  Ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov; krahas luksemburgasit Jean Asselborn, ai është më jetëgjati në këtë post të lartë me 16 vjet; është i vetmi Ministër i Jashtëm i këtij kalibri diplomat karriere me përvojë 45 vjeçare dhe me gradën “Ambasador“; veç posteve të tjera diplomatike, Lavrov ka shërbyer 8 vjet si sekretar dhe këshilltar dhe për një dekadë rresht si Shef i Përfaqësisë ruse në OKB, posti më i rëndësishëm diplomatik deri më 2004, kur u emërua Ministër i Jashtëm.

Natyrisht që në kuadrin e OSBE-së, si kontakti i parë, nga kjo vizitë  nuk mund të pritej më shumë se aq, për vetë kompleksitetin e krizës në Ukrainë dhe moszbatimit të disa marrëveshjeve dhe formateve të nivelit më të lartë – “ Normandi“ “Minsk“ “Paris dhe formulës me emrin e autorit, presidentit gjerman “Steinmeier“ Megjithatë, shpresohet që ky takim me kontaktet vijuese të jenë shtysë dhe në marrëdhënieve tona dypalëshe; të cilat kanë mbetur në vend numëro, me mungesë pothuajse totale të vizitave të nivelit të ulët dhe të mesëm, përjashto një takim vitin e kaluar në nivel zv.ministrash në kuadrin e Komisionit Miks  të Ekonomisë dhe Tregtisë; sa për takime të formatit më të lartë  as që bëhet fjalë; kështu vizita e fundit e ish -Kryeministrit Meksi i takon vitit 1995; tejet të rralla gjatë 20 viteve të fundit kane qenë dhe vizitat e  ministrave të jashtëm, etj.

Në këto kushte, me të drejtë në takimin e lartpërmendur u nënvizua nevoja për një riformatizim të dialogut dhe marrëdhënieve tona dypalëshe në fushat me përfitime të ndërsjella; natyrisht pa cënuar, le të jemi të qartë, larg lojës së fjalëve, po detyrimet që burojnë nga zgjedhja jonë historike për antarësim në NATO, BE dhe aleanca strategjike me SHBA-të.

Dihet se vështirësitë në këtë fushë janë të mëdha e të gjithanshme, për shkak të gjendjes ndërkombëtare dhe në rastin konkret të problematikës së njohur të brendshme dhe të jashtme ruse që kulmoi me aneksimin e Krimesë më 2014.

Të gjitha këto janë faktorë kritikë që duhen marrë seriozisht në konsideratë në prapambetjen e  marrëdhënieve  tona me Rusinë.

Por, ndërkohë, nuk ka vend për stepje dhe panik; si shtet antar i NATO-s, kandidat i BE-së dhe i disa organizatave të tjera të mëdha ndërkombëtare i kemi  mundësitë politike dhe diplomatike për të shprehur rezervat, vërejtjet dhe qëndrimet tona edhe ndaj Rusisë, siç kemi vepruar deri tani, apo dhe për t’iu bashkuar sanksioneve ekonomike dhe masave të tjera të njohura.

Por ndërkohë, me Rusinë kemi shumë tema dhe sfida të përbashkëta, sidomos në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të djathtë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, zgjidhja e konflikteve dhe krizave të ndryshme, përfshi dhe ato në Lindjen e Mesme, ku Rusia po del si “violinë e parë“, mbrojtja, zhvillimi i traditave  patriotike dhe liridashëse, etj.

Në vijim, kemi një të kaluar dhe sfond të pasur miqësie dhe bashkëpunimi, të ndërprerë brutalisht për shkaqe ideologjike dhe partiake  që tashmë kemi kohë që i kemi kënë pas. Protagonistë të saj janë me qindra të rinj që kanë studiuar e janë kualifikuar në ish – BRSS dhe në Rusi 30 vitet e fundit, kuadro të talentuar dhe personalitete rrezatuese me kontribut briliant në historinë, ekonominë, artin, letërsinë, sportet dhe në fusha të tjera: me plot ndodhi të bukura por dhe tragjike të njohura nga publiku.

Ja pse, megjithë kufizimet e mësipërme, janë mundësitë që bashkëpunimi ynë dypalësh të ngrihet në një nivel më të lartë. Natyrisht pa shkuar “direkt e në thela“ siç ndodhi  me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit më 2004. Vetëm se atë nuk kishte pse të pritej të na e përmendte Lavrov në Konferencën e Shtypit, kur shfrytëzoi një “dalje“ të gabuar të Ramës lidhur me mungesën e telefonatave ndoshta qysh nga koha e Stalinit!!! Kur dihet se prishja ndodhi pnë periudhën e Hrushovit i cili vizitoi Shqipërine më 1959 dhe ftoi në Moskë liderët komunistë shqiptare. Por, Lavrov i bëri “kosh“ nga distanca Ramës, duke i rikujtuar se vetë ai ndër vizitat e para jashtë vendit si kryediplomat më 2004 e kishte  bërë në Tiranë; ku kishte nënshkruar dhe marrëveshjen e lartpërmendur, e cila, siç u shpreh ai është gati por e  harruar nga qeveria; madje,  korrigjoi dhe gafën tjetër të pajustifikueshme diplomatike të Ramës, se atë Marrëveshje Lavrov nuk e  kishte nënshkruar me liderin e sotëm të  opozitës, por me K. Islamin me qeverinë socialiste Nano. Nuk është serioze që Rama nuk kishte dijeni mbi atë Traktat, rreth të cilit ka patur shumë zhurmë atëhere  dhe për faktin tjetër se Basha u bë Ministër i Jashtëm në Maj 2007.

Kësisoj, natyrshëm lind nevoja për shtimin e  kontakteve dhe veprimtarive të ndryshme me Rusinë. Dhe e para që mund “të thyejë akullin“  si gjithmonë është diplomacia e të dy vendeve; me objektiva të qarta, me takime ekspertësh dhe drejtorësh të MPJ-ve dhe pastaj në nivele më të larta. Këto konsultime ndihmojnë, sidomos në fazën e tanishme që të shprehen në tryezë qëndrimet, specifikat dhe dallimet  për gjithë tematikën  dy dhe shumëpalëshe. Ato lehtësojnë dhe nxisin  dëshirën dhe përpjekjet për gjetjen dhe shfrytëzimin e mundësive reale të këtij bashkëpunimi. Për rrjedhojë, rritet mirëkuptimi i ndërsjellë,  që pse jo mund të çojë në afrimin e pozicioneve të kundërta dhe forcimin e qëndrimeve të ngjashme për aspekte të ndryshme.

Siç u përmend më lart, premisat premtuese në këtë fushë nuk mungojnë. Duke filluar nga ekpertët dhe diplomatët e rangjeve të ndryshme të përgatitur në shkolla/institute të njohura ruse gjatë 30 viteve të fundit; siç është rasti i ambasadorit tonë në Moskë, Drejtores sonë të Përgjithshme në MPJ, e cila para disa vitesh ka drejtuar dhe Misionin tonë prane BE – së në Bruksel dhe diplomatë të tjerë të cilët kanë shërbyer me kompetencë në Moskë dhe në metropole të tjera.

Më tej, nëse rënia e vëllimit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare pas vitit 2015 shpjegohet me sanksionet ekonomike, nuk mund të justifikohet kursesi niveli shumë i ulët i  bashkëpunimit  kulturor, artistik, akademik, njerëzor, ku mundësitë janë shumë më të mëdha. Disa shfaqje artistike nga grupe ruse dhe akordimi çdo vit i bursave ruse për shumë studentë shqiptarë kanë treguar vlerat e këtyre shkëmbimeve dhe domosdoshmërinë e rritjes së tyre.

Vlen të theksohet se në këto e të tjera fusha të ngjashme nuk është se “po ecim në shtigje të pashkelura“. Shumë vende të tjera, përfshirë antare të BE-së dhe NATO-s‘ janë shumë më përpara në këtë drejtim. Në Gjermani ka psh 17 shoqata gjerman-ruse miqësie dhe bashkëpunimi, me karakter shtetëror, jo- qeveritar, të shoqërisë civile, etj të cilat drejtohen nga zyrtarë të lartë dhe emra të njohur të politikës gjermane; ato zhvillojnë shumë veprimtari, samite, takime dhe procese dialogu gjithëpërshirëse, me emrat e Moskës, Petersburgut, Bonit, Berlinit, etj.

Gjithashtu, në Gjermani por dhe gjetkë janë shtuar zërat që kërkojnë afrimin dhe shtimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke filluar nga heqja e sanksioneve, të cilat sipas tyre nuk kanë dhënë efektet e pritshme. Më tej shkon dhe Presidenti Macron, i cili, krahas pranimit dhe trajtimit të shqetësimeve serioze me atë vend, sërish këmbëngul për forcimin dhe zgjerimin e  dialogut/konsultimeve dhe kundër acarimit ushtarak me Rusinë.

Më tej, dihet se Këshilli i Europës e pezulloi Rusinë më 2015 pas aneksimit të Krimesë. Mirëpo, disa muaj më parë, përballë krizës së tij financiare, ku ndikoi dhe kuota vjetore ruse  prej plot 60 Milionë Euro, tejet e nevojshme pikërisht  për projektet mbi të drejtat e njeriut, KiE u detyrua ta ripranojë Rusinë. Edhe vendet skandinave të “Paktit të Arktikut“ “partizane“ të embargos, pas vitit 2014 i ndërprenë  konsultimet periodike me Rusinë; mirëpo, problemet urgjente dhe serioze të Arktikut lidhur me mbetjet, mjedisin, klimën, përmbytjet, etj ku aktor dhe faktor vendimtar është Rusia bënë që dhe liderët skandinavë të “dorëzohen“dhe Majin e kaluar shkuan për Samitin e tyre  në Moskë.

Këto janë prirje logjike, sepse, në terma të real politikës, të kërkosh të trajtosh e të zgjidhësh një krizë apo problem politik kudo në botë dhe ca më tepër të konfrontohesh politikisht apo dhe ushtarakisht me Rusinë, do të thotë  më e pakta “t’i biesh murit me kokë“ E njëjta vlen dhe për Rusinë me qëndrimet e saj politike.

Edhe në Ballkanin Perendimor, Rusia po bëhet, dashje pa dashje,  pjesë e demarsheve të reja ndërkombëtare lidhur me dialogun për Marrëveshjen  e shumëpërfolur Prishtinë – Beograd. “Merita“ për këtë i takon dhe BE-së, e cila ka dështuar në gati 10 vitet e fundit si ndërmjetësuese; tanimë është futur por shumë më fort në veprim SHBA-të por dhe Rusia; siç e përmendi dhe Lavrov në takimin me Ramën, çdo marrëveshje Prishtinë – Beograd  duhet të ketë dhe “vulën“  e KS të OKB-së, një sfidë tjetër madhore.

Për pasojë, ridimensionimi i marrëdhënieve me Rusinë, siç janë shprehur shumë ekspertë, kërkon  që të mos t‘u fshihemi, t’u shmangemi apo vetëm të shtyjmë kapërcimin e rreziqeve dhe sfidave, por t’u dalim përpara dhe t’i përballojmë ato, sipas kushteve dhe mundësive përkatëse, me vizione diplomatike dhe kurajo politike, me forcim të aftësive mbrojtëse dhe dialog të vazhdueshëm.

Së fundi, shumë personalitete dhe vende europiane i janë referuar rrezikut rus nga mosçelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dakord, veçse tepërimi me këtë aspekt gjeopolitik ka të bëjë dhe me trysninë ndaj skeptikëve për çeljen sa më parë rë këtyre negociatave. Gjithsesi, kërkohet kujdes që ky argument të mos kthehet në “gjethe fiku“ për të mbuluar të metat dhe mangësitë në fushën e zbatimit të reformave dhe ca më pak për konsum të brendshëm politik apo partiak. Sepse, siç përmendim shumë ekspertë të njohur, Rusia nuk është se ka pritur çeljen e engociatave për të depërtuar në rajonin tonë apo dhe gjetkë. Pa shkuar më tej, ja ku e kemi Serbinë, shembullin më të qartë të lidhjeve shumë të forta me Rusinë, edhe pse  ka 6 vjet që i ka çelur këto negociata!.

Në fakt, më shumë se kërcënimi nga “ ariu rus“, rreziku mund të vijë nga dështimi i reformave kyçe. Për më tepër se dhe përvoja po tregon se as  antarësimi në BE apo NATO  nuk krijon asnjë lloj imuniteti; këtë të fundit ta garantojnë kryesisht vlerat thelbësore të këtij integrimi, veçse  kur zbatohen në praktikë çdo ditë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *