Pretendimi kryesor për pafajësi nga ana e të ndaluarve për gabitjen e Bankës së Shtetit në ambjentet e Thesarit në Linzë – përveç Bitrajt – është se nuk kanë patur një rregullore, në bazë të së cilës, aktiviteti i tyre prej nëpunësish në funksion të sigurisë, të ishtë më i qartë e më solid. Dhe këtu, bëhet fjalë për aspekte teknike dhe proçeduriale. Por nëse të njëjtën kartë mund të përdorë dhe Bitraj, duke bërë konvertimin nga teknike e proçeduariale në parimore, edhe ai del i larë nga kjo histori: Mjaft të thotë se asnjëherë dhe askund nuk është hasur me ndonjë ndalesë për të mos marrë para nga thesari. Fare mirë ai mund të justifikohet duke thënë se, ngaqë kudo dëgjonte për fitime e përfitime të mëdha nga shqiptare të shkathët e dobiça, sidomos nga të fortë, politikanë e njerëz me pushtet të cilët shfrytëzonin çdo lloj rrethane për të bërë lekë, edhe ai mendoi pafajshmërisht ta rendiste veten tek kjo kategori. Ky abstragim, gjen paralele me një parrullë që hasej dikur në çdo ndërmarrje, në kohën e sistemit komunist. “Jo 8 orë në punë, por 8 orë punë!” – vendosej në ballë të çdo reparti, për t`u shquar e lexuar nga çdo i punësuar. E përse duhej sqaruar kjo gjë?! Përse mund të ndodhte pra që shqiptari mos ta kishte të qartë se 8 orë duhej punuar e jo ndenjur duke bërë muhabet, sorrollatur e treguar barsoleta?! Dhe ja si vjen puna, që Bitraj e të tjerë, deri dhe Fullani e skota politike që e ka vënë në krye të Bankës së Shtetit, u duhet patjetër t`u thuhet se ajo që nuk është e jotja, nuk preket, në qoftë send e në qoftë para. Dhe kjo, nuk ka nevojë të shkruhet. Eshtë një parim moral i natyrshëm, që kush nuk e ka, konsiderohet i sëmurë. Dhe vjedhja e thesarit të Bankës, nuk është gjë tjetër, veçse faza më e avancuar e një sëmundjeje të rëndë që na ka kapluar si shoqëri: E kemi bërë mënyrë jetese të marrin atë që nuk na takon; pra, të vjedhim, qoftë si ordinerë e qoftë si intelektualë! / E.H.